OpEd

Kosova më mirë të dështojë sesa të mos provojë

Është e pakuptimtë mungesa e ambicieve të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Nëse është e vërtetë se aplikime nuk do të ketë deri në vitin 2023, atëherë kjo dëshmon se Qeveria nuk beson as në ndonjë rezultat të shpejtë në dialog. Në të kundërtën, nëse vërtet besojnë se marrëveshja me Serbinë është “çështje muajsh e jo vitesh”, atëherë pse të shtyhen aq shumë afatet për aplikime në organizatat ndërkombëtare

Kosova po hyn në këtë vit të ri me mungesë të plotë të ambicieve në planin ndërkombëtar, dhe kjo nuk është aspak mirë për një shtet të ri i cili ende nuk e ka konsoliduar subjektivitetin e vet ndërkombëtar. E lodhur nga dialogu i pafund dhe, në shumë aspekte i pakuptimtë në Bruksel, e demoralizuar nga dështimet për të siguruar njohje të reja dhe për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, e zhgënjyer nga mungesa e çfarëdo përparimi në procesin e integrimeve evropiane, klasa politike në Kosovë duket se ka vendosur të “pushojë pak” dhe të heqë dorë përkohësisht nga aplikimet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Në anën tjetër Kosova ka marrë obligim edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të suspenduar përpjekjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Këtë obligim e ka kërkuar Serbia duke e barazuar këtë përpjekje të Kosovës me fushatën e Serbisë për të tërhequr njohjet e Kosovës. Në këtë mënyrë Kosova e ka vendosur veten në një pozicion edhe më shumë inferior dhe të pabarabartë ndaj Serbisë. Serbia nuk ka problem me subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Lobimi i saj kundër njohjeve të reja të Kosovës dhe kundër anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare tash është i panevojshëm, sepse Kosova as që do të aplikojë. Dhe Serbia nuk ka nevojë të bëjë lobim kundër anëtarësimeve që Kosova nuk do t’i kërkojë. Në anën tjetër, respektimi i këtij obligimi nga Kosova mund të kontrollohet shumë lehtë. Sepse kërkesat formale janë edhe publike dhe nuk mund të bëhen në mënyrë të fshehtë. E lobimi i Serbisë nuk mund të kontrollohet, sepse ai nuk ka nevojë të jetë publik. U pa edhe në muajt e shkuar se Serbia nuk do t’iu përmbahet as këtyre premtimeve. Kanë vazhduar falënderimet ndaj shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, si ndaj Qipros, Marokut dhe disa shteteve të tjera, dhe presioni ndaj atyre që e kanë njohur Kosovën, siç është Mali i Zi.

Jo rrallë nga politikanët e Kosovës dëgjohen përgjigje në stilin “jemi lodhur”. Dhe me të drejtë dikush mund t’u thotë: “pushoni pak atëherë”. Sepse ata nuk janë zgjedhur për t’u lodhur, por për të punuar në mënyrë të palodhshme. Dhe qytetarëve gjithmonë duhet dhënë përgjigje. Kjo vlen edhe për zyrtarët e BE-së, të cilët “janë lodhur” nga pyetjet rreth statusit të Kosovës, liberalizimit të vizave dhe përparimit në integrime evropiane. Vlera e punës nuk shihet në bazë të nivelit të lodhjes së atyre që punojnë, por në bazë të rezultatit që e arrijnë.

Në ditët e fundit të vitit tjetër u bë publik një lajm se Qeveria e Kosovës ka hartuar një strategji, sipas së cilës këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të bëjë përgatitje, ndërsa tek në vitin 2023 planifikon të bëjë aplikime formale për anëtarësime në organizatat ndërkombëtare. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë është një gabim i rëndë. Sepse Kosova duhet të dëshmojë ambicie, nëse asgjë tjetër. Si mund të presë Kosova që miqtë e saj ndërkombëtarë të jenë më me ambicie sesa vetë Kosova për nevoja të Kosovës. Vërtet se Kosova nuk mund të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare pa ndihmën e shteteve mike. Por Kosova duhet të kërkojë më shumë ndihmë nga to, të insistojë gjithmonë që të përshpejtohet e jo të ngadalësohet procesi i anëtarësimeve në organizatat ndërkombëtare. Edhe kur ndonjë prej këtyre shteteve i sugjeron Kosovës që të mos aplikojë, Kosova duhet në mënyrë miqësore tua sqarojë se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, sepse Kosova nuk mund të heqë dorë nga subjektiviteti i saj shtetëror, qoftë edhe për afate të shkurta kohore. Do të ishte diçka tjetër sikur të saktësohej se pas skadimit të ndonjë moratoriumi, do të pasojë anëtarësimi dhe Serbia nuk do ta kundërshtojë. Por Kosova ka marrë një përgjegjësi pa marrë asnjë premtim se çfarë do të ndodhë pas skadimit të këtij moratoriumi.

Është e pakuptimtë mungesa e ambicieve të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Nëse është e vërtetë se aplikime nuk do të ketë deri në vitin 2023, atëherë kjo dëshmon se Qeveria nuk beson as në ndonjë rezultat të shpejtë në dialog. Në të kundërtën, nëse vërtet besojnë se marrëveshja me Serbinë është “çështje muajsh e jo vitesh”, atëherë pse të shtyhen aq shumë afatet për aplikime në organizatat ndërkombëtare.

Dështimet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol dhe në UNESCO kanë qenë vërtet një gjë e pafat. Vërtet kanë munguar pak vota, sidomos nga fakti se jo të gjitha shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën kanë votuar në favor të saj. Gjasat janë të mëdha që Kosova do të dështonte edhe po të kërkonte anëtarësim këtë vit. Por më mirë është të dështojë sesa të mos e provojë fare. Së paku Kosova duhet ta dijë se ku qëndron. E këtë nuk mund ta dijë pa kërkuar anëtarësim. Kosova diku ka kaluar me vetëm një numër të vogël të votave dallim e diku është refuzuar në të njëjtën mënyrë. Në UEFA ka qenë një rezultat i ngushtë në favor të Kosovës, ndërsa në UNESCO kundër saj. Por, së paku Kosova ka provuar. Nëse vetë Kosova do të bjerë përsëri në gjumë, atëherë nuk mund të presim një angazhim më të madh dhe më ambicioz nga shtetet e tjera për Kosovën. Sepse edhe ata kanë edhe punë të tjera.