OpEd

Filozofia e pallangës

Mbi asgjënë urbano-fshatare gjatë historisë së Serbisë, një flakaresh mbretëror ndaj një ministri, Gavrillo Principin që nuk e kaloi kufirin e Kosovës dhe armët nga Kragujevci në duar të terroristëve

1.

Në vitin 1969 në Beograd, atëherë kryeqytet i Jugosllavisë, u botua libri “Filosofija palanke” i Radomir Konstantinoviqit. Libri u publikua nga edicioni i Programit të Tretë të Radio Beogradit. Është një vepër kritike mbi filozofinë patriarkale të shoqërisë serbe. Edhe sot, 51 vjet pas botimit, libri mbetet një studim i pakalueshëm mbi defektet e shoqërisë serbe. Palanka është versioni serb i asgjësë urbano-fshatare, pra një ambient dhe lokalitet që nuk është as fshat, as qytet.

Fjalia e parë e “Filosofija palanke” është kjo: “Përvoja jonë është ajo e palankës”. Palanka (në shqip: pallanga), sipas Konstantinoviqit, dallon nga fshati, sepse është vendbanim i mbyllur dhe ka vetëm disa dyqane. Në epokën osmane palanka ishte e rrethuar me gardh apo me mur. Kështu palanka veçohej nga bota e jashtme, palanka ishte një botë e mbyllur, “fati ynë, mallkimi ynë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë ndryshime. Historia na ka harruar. (...) Mes fshatit dhe qytetit – dhe e harruar aq shumë – bota e palankës nuk është as fshat, as qytet”.

“Zoti suprem” i palankës është, sipas Konstantinoviqit, “zoti i unitetit”, kombi bosh, përtej gardhit të të cilit s’ka asgjë tjetër veçse “kaos”, një kaos i botës “absolute dhe të hapur”. Këtë mendësi e zotëron frika nga ndikimet e jashtme dhe nga ndryshimet, fryma e shoqërisë së mbyllur, fryma e “një fisi në agoni”.

Kthimin triumfal të mendësisë së palankës, Konstantinoviqi e përjetoi në vitet ‘90 gjatë sundimit të Slobodan Milosheviqit. Kjo mendësi korri një fitore më 2003, me vrasjen e kryeministrit properëndimor Zoran Gjingjiq. Dhe kjo mendësi sot është në pushtet në Serbi. Radomir Konstantinoviq vdiq në vitin 2011.

2.

Më 8 korrik 1900, mbreti serb Aleksandar Obrenoviq njoftoi se e ka ndarë mendjen të martohet me Draga Lunjeviq-Mashin. Serbia ishte e tronditur. Mashin kishte qenë e martuar, ishte 10 vjet më e moshuar se mbreti i ri, konsiderohej e paaftë për të lindur, etiketohej si prostitutë, ishte shërbëtore e mbretëreshës Natalia, nënës së Aleksandar Obrenoviqit.

Planet që Aleksandar Obrenoviqi të martohej me princeshën gjermane Sibylle von Hessen apo me një princeshë nga familja aristokrate Schaumburg-Lippe dështuan. I ati i Aleksandrit, Milani, iku në Vjenë, ku vdiq, ndërsa ministri i Brendshëm, Gjorgje Gençiq, përpiqej ta detyronte mbretin e ri të hiqte dorë nga martesa me Draga Mashinin. Mes të tjerash, Gençiq e kërcënonte mbretin se do të bënte publike “dosjet e kurvërisë” të Draga Mashinit. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Kurorës, ministrat i bënë thirrje mbretit të heq dorë nga martesa e planifikuar, ndërsa Gjorgje Gençiq përdori edhe argumentin e fundit: “Lartmadhëri, nuk mund ta martoni atë. Ka qenë dashnore e secilit - edhe e imja”. Për këto fjalë Gençiq e hëngri një flakaresh të rreptë. Më 1903, Gençiq ishte njëri nga komplotistët që vranë mbretin Aleksandër.

Milan Obrenoviqi i tha shtypit austriak: “Me një grua të tillë s'do të martohej as një nënoficer”. Natalia i shkroi të birit të saj: “Më mirë të kisha marrë kumtin se ke vdekur”. Për të fituar simpatinë e publikut nga konaku mbretëror u përhap lajmi se mbretëresha Draga Mashin është shtatzënë. Këtë e paskësh konstatuar një gjinekolog francez. Pas disa muajsh u konsultuan edhe gjinekologë nga Austria dhe Rusia. Diagnoza e tyre ishte kjo: “grossesse imaginaire”, shtatzënësi imagjinare. Gazetat bulevardeske të Evropës talleshin me “komedinë serbe të shtatzënësisë”.

3.

Gati një shekull para “Al-Kaidës”, aktivistët nacionalistë serbë përdorën metodat terroriste për arritjen e qëllimeve politike. Gavrillo Principi, gjimnazisti serb që do ta vriste në Sarajevë, më 28 qershor 1914, Franz Ferdinandin, trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, ishte ngushtë i lidhur me strukturat (para)shtetërore në Beograd dhe sidomos me organizatën “Crna ruka” (Dora e zezë), të themeluar më 1911 nga oficerët serbë dhe të udhëhequr nga shefi i Shërbimit Sekret Ushtarak, Dragutin Dimitrijeviq, i njohur me nofkën Apis (demi i shenjtë nga mitologjia e Egjiptit).

Nën instruksionet e oficerëve të Apisit, atentatorët e ardhshëm të Sarajevës u trajnuan në Beograd për të shtënë me armë. Katër revolverë dhe gjashtë granata ata i morën nga Fabrika e Armëve në Kragujevc.

Në vitin 2015 - 101 vjet pas atentatit në Sarajevë - armët e prodhuara në Serbi u përdorën nga terroristët islamikë për të masakruar dhjetëra njerëz në Paris. Edhe terroristi nga Vjena (me origjinë shqiptare dhe shtetësi austriake dhe maqedonase), i cili më 2 nëntor 2020 vrau disa persona, në duar mbante një armë të prodhimit serb.

Më 28 korrik 1914 (saktësisht një muaj pas atentatit në Sarajevë), Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë. Brenda pak muajsh shtete të ndryshme shpallën 21 herë luftë kundër njëri-tjetrit, e fundit qe Franca, e cila i shpalli luftë Perandorisë Osmane më 6 nëntor 1914. Bilanci i Luftës së Parë Botërore (1914-1918): 20 milionë njerëz të vrarë, 21 milionë të plagosur.

4.

Shpeshherë gjatë historisë aktivistët politikë kanë marrë si model zhvillimet në vendet e tjera, ose së paku janë inspiruar prej tyre. Në fillim të shekullit të 20-të nacionalistët serbë i shihnin si shembull irredentistët radikalë italianë, të cilët synonin bashkimin e Italisë. Nacionalistët serbë ëndërronin një shtet serbomadh nën çatinë e të cilit do të jetonin sllavët e jugut. Revista e organizatës terroriste serbe “Dora e zezë” quhej “Pijemont” - një shembull i orientimit të aktivistëve serbë në lëvizjen italiane Risorgimento. I politizuar në një ambient të përndezur nacionalist, Gavrillo Principi (vrasësi i pretendentit të fronit austro-hungarez më 1914), më 1912 braktisi Sarajevën dhe vajti në Beograd.

Në kryeqytetin e Serbisë ai takoi majorin Milan Vasiq. Kur shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike, Vasiqi i ndihmoi Principit t’i afrohet “kufirit turk”, pra kufirit me Kosovën që atëbotë ende ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane, e cila ishte para tërheqjes nga Ballkani. Qëllimi i Principit ishte të luftojë si vullnetar për zaptimin e Kosovës nga Serbia. Në kufi komandanti serb Voja Tankosiq e ktheu prapa Gavrilo Principin me arsyetimin se ishte shëndetlig dhe i vogël. I dëshpëruar nga ky refuzim, Principi e koncentroi aktivitetin e tij kundër një perandorie tjetër: asaj Austro-Hungareze, e cila administronte Bosnjën. Më 1914, Princip vrau Franz Ferdinandin dhe ndezi fitilin për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.