OpEd

Karantinë reminishencash dhe shenjues bosh

Descriptive Text

Në një artikull që i përgjigjej një anketimi me temën “A besojmë ne tek qenia njerëzore”, të botuar në gazetën e përjavshme të kooperativistëve suedezë “Vi” më 1950, shkrimtari Stig Dagerman, shkruante: “Për mua, solidariteti, simpatia dhe dashuria janë këmishët e fundit të bardha të njerëzimit.” I titulluar “Fati i njeriut luhet kudo e në çdo kohë”, te ky artikull fare i shkurtër, Dagerman shprehë dyshimet e tij lidhur me aftësinë e njeriut për të penguar asgjësimin e botës, teksa hedh mendimin “se armiku trashëgimtar i njeriut është makroorganizimi, sepse ky e zhvesh atë nga ndjenja e domosdoshme për jetën, nga përgjegjësia që ai ka ndaj të përngjashmëve të vet, tek pakëson numrin e rasteve që i jepen për të treguar solidaritet e dashuri.” E thënë në kuptimin Arendtian, gjendja njerëzore, ajo që është shkaktuar prej pandemisë nga virusi COVID 19, është parë që nga fillimi si e përcjellë edhe me situata që i mundësojnë njeriut të tregoi solidaritet, nëse jo edhe dashuri, për të ngjashmit e tij. Por sa janë parë të veshur me këmishën e bardhë të solidaritetit njerëzit këto kohë, teksa po vazhdojnë të jetojnë me rrezikun e një virusi të përhapur në gjithë botën? Ndonëse fati i njeriut luhet kudo e në çdo kohë, ai nuk luhet askund dhe në asnjë kohë njejtë për të gjithë. COVID 19 ka rezultuar të jetë virus shumë mutativ, e po kaq me shumë pamje është shfaqur edhe pandemia prej këtij virusi, në rajone dhe zona të ndryshme të botës. Pandemia prej virusit COVID 19, ka provuar qëndrueshmërinë e pothuajse të gjitha sistemeve, duke shkundur themelet e secilit, nga ato politike dhe ekonomike, deri te sistemet e vlerave të shoqërive. Ky virus, mbase është turbulluesi që i ka trazuar ujërat e kohës sonë në atë mënyrë, që shumëkush beson se kur ai të largohet dhe ujërat të kthjellohen, ne do t’i shohim më qartë të metat e jetës dhe kohës sonë.

Si historian dhe antropolog, më intereson të shoh se çfarë leximi historik mund t’i bëhet kësaj periudhe dhe si i përcakton kultura mënyrat e reagimit të njerëzve ndaj kushteve të jashtëzakonshme që ka imponuar kjo pandemi. Këto kohë, historianët kërkojnë të gjejnë periudha të ngjashme në të shkuarën për krahasim. Dhe historia është e mbushur me të tilla. Madje, mund të zgjedhësh mes tyre: nga murtaja bubonike apo Vdekja e Zezë e mesjetës, e deri te Gripi spanjoll si shembulli më i frikshëm i kohërave më të vona. Gjatë kohës së tepërt që na solli karantinimi, teksa shëtisja nga një tekst në tjetrin, vërejta që qysh në librin e parë në gjuhën shqipe, – të botuar pikërisht në Venedik aty ku origjinon karantinimi – kishte një lutje për të shpëtuar nga murtaja. Si për ironi të historisë, autori i këtij libri prifti katolik Gjon Buzuku, në këtë tekst të vitit 1555, kishte shkruar: “Gjithë popullinë e kërshtenë ndë Arbanīt ata n mortajet largo, tý të lusmë, Zot”. Në situatat kufitare të kësaj kohe, kjo lutje mesharie e para pesë shekujve, po fiton vlerë sërish sot!

anën tjetër, përtej mënyrave të ndryshme që zgjedhin shtetet për të përballur pandeminë, në sytë e antropologëve, kultura e bën diferencën mes shoqërive edhe në këtë gjendje me përfshirje planetare. Në shoqëri më tradicionale, sikur edhe ajo për të cilen po shkruhet ky tekst, kjo është edhe më e dukshme. Frikë dhe panik; dyshim dhe mosbesim; mbyllje në karantinë dhe lëvizje e kufizuar; kujdes ndaj higjienës dhe pastërti e shtuar; distancë sociale dhe vetëizolim; solidaritet dhe empati. Këto dhe të tjera karakteristika që po e përcjellin pandeminë, formësohen dhe ngjyrosen varësisht nga sfondet kulturore të shoqërive të ndryshme nëpër botë. Në këtë kontekst, duke përfshirë gjithë botën, pandemia ka krijuar disa situata të përshtatshme dhe shumë tërheqëse për tu studiuar nga antropologët. Edhe kësaj radhe, në Europë, gadishulli i Ballkanit rezulton të jetë rajoni ku më së shumti sinkretizohen mënyrat tradicionale të jetesës me kulturat moderne të Perëndimit. Dhe në qendër të Ballkanit, Kosova është si një monadë që përmbledh pothuajse të gjitha kulturat ballkanike.

Më 13 mars 2020, një vajzë 20 vjeçare me nënshtetësi italiane, rezultoi të ishte personi i parë i infektuar me virusin COVID 19 në Kosovë. Sikur vetë ajo, infeksioni i saj besohej se vinte po nga Italia, vendi me më së shumti të infektuar në Europë. Ndonjëherë, të jesh në periferi ku gjërat arrijnë në fund dhe të qenit i vogël apo i pakët për çka gjërat të arrijnnë të zvogëluara, mund të kthehet në avantazh në raste katastrofash. Rrjedhimisht, kjo është edhe shpresa e atyre që jetojnë në periferi dhe që janë më të pakët. Por Republika e Kosovës, e pozicionuar gjeografikisht në qendër të Ballkanit dhe me një demografi prej rreth dy milionë banorë, nuk është as në periferi dhe as e vogël. Të paktën jo, krahasuar me vendet fqinje të gadishullit në rajon. Megjithatë, Kosova përceptohet nga jashtë si e tillë dhe përjetohet nga brenda po kështu: periferike dhe e vogël. E shpallur e pavarur më 2008, kjo republikë parlamentare është shteti më i ri i formuar në Europë. E paanëtarësuar në OKB, por me aspirata për të qenë anëtare në Bashkimin Europian dhe në NATO, Kosova nuk njihet ende nga pesë shtete të BE-së, mes tyre dhe Spanja. Me territor prej rreth 11 mijë kilometrash katrorë, Kosova është vendi më i izoluar në Europë sot. Të izoluar nga jashtë, por shumë të hapur nga brenda për botën jashtë, kosovarët presin qe një dekadë për të lëvizur pa viza në zonën Schengen. Me buxhet shtetëror dy miliardë e gjysmë euro në vit, ekonomia e këtij vendi është e bazuar kryesisht në tregti të vogël dhe të mesme dhe fare pak në prodhim. Gjysma e qytetarëve të Kosovës janë përgjithësisht të varfër dhe një pjesë të madhe të jetesës, e sigurojnë nga ndihmat në para që u dërgojnë familjarët prej diasporës së madhe shqiptare që kryesisht jeton në Gjermani.

Historikisht një krahinë e banuar me shumicë shqiptare, Kosova u pushtua dy herë nga Serbia fqinje, më 1918 dhe 1945. Kosova bënte pjesë në Mbretërinë e Jugosllavisë mes dy luftërave botërore dhe pastaj në Jugosllavinë komuniste derisa kjo u shpërbë nga luftërat e shkaktuara nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit në vitet 1990-të. Të shkëputur nga shteti i tyre Shqipëria, që ndërkohë e ka përjetuar një mbret të vetëshpallur dhe një diktaturë të egër komuniste, shqiptarët e Kosovës kanë qenë një nga komunitetet etnike më të shtypura politikisht dhe më me pa të drejta në Europën e shekullit të 20-të. Në vitet 30-të dhe 40-të, ata kanë përjetuar periudha të vështira të zisë së bukës, për të cilat ende flasin të moshuarit. Në vitet ’60-të dhe ’80-të, qindra mijëra shqiptarë të Kosovës apo rreth 1/3 e popullsisë, janë përndjekur, burgosur dhe torturuar, në kuadër të fushatave të Serbisë për të shtypur çdo përpjekje për të drejta politike dhe kulturore shqiptarëve. Pasi ia suprimoi autonominë si krahinë socialiste në Jugosllavi më 1989, gjatë viteve ‘90-të, Serbia ushtroi në Kosovë politika të egra aparteidi dhe segregacioni, ndaj të cilave nuk ishte i përjashtuar asnjë shqiptarë. Kjo dekadë, i barazoi të gjithë shqiptarët përballë politikave të diktatorit Sllobodan Millosheviq, më vonë të mbiquajturit “Kasapi i Ballkanit”. Pikërisht të kësaj periudhe janë shumica e shqiptarëve të migruar në Gjermani, të cilët sipas një tradite të vjetër të diasporës shqiptare për të dërguar para në vendlindje, i ndihmuan familjarët e tyre duke u mundësuar të mbijetojnë ekonomikisht gjatë viteve ’90-të, kur të gjithë shqiptarët u përjashtuan nga puna mbi kritere etnike. Të përjashtuar të gjithë nga puna dhe përballë politikave të aparteidit dhe segregacionit që Serbia e Millosheviqit ushtronte ndaj tyre, gjatë viteve ’90-të, shqiptarët në Kosovë u bënë pothuajse të gjithë njësoj. Të vetmet dallime vinin mes fshatit dhe qytetit. Pikërisht në këtë kohë, në Kosovë u kultivua natyrshëm një kulturë solidariteti mes njerëzve e cila i ka habitur të gjithë ata që e kanë vizituar apo që e kanë studiuar Kosovën e saj kohe. Në vitet 1998 – ’99, Kosova u përfshi në një luftë me Serbinë, që rezultoi me rreth 13 500 njerëz të vrarë; 20 000 gra dhe burra të dhunuar; rreth 1 milionë refugjatë të deportuar nga Kosova dhe rreth 500 000 të zhvendosur brenda saj; 100 000 godina të shkatërruara dhe shumë pasuri të plaçkitura. Rezisteenca e armatosur çlirimtare e shqiptarëve, u përkrah nga një fushatë bombardimesh të NATO-s mbi ushtrinë serbe, që solli çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj si shtet i pavarur dhe demokratik.

E izoluar si vendi i fundit në kontinent me regjim vizash, gjatë muajve mars, prill, maj dhe qershor kur u karantinua, Kosova ka qenë vendi me njerëzit absolutisht më të izoluar në Europë. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, në mikrobotët familjare dhe psikologjitë individuale të njerëzve në Kosovë, u krijuan kushte të ngjashme me ato që këta njerëz kishin kaluar gjatë viteve 90-të dhe veçanërisht gjatë kohës së luftës. Izolim, lëvizje e kufizuar, frikë, pasiguri, nevojë për të grumbulluar ushqime, ditë të tëra të kaluara bashkë në familje etj. Fenomeni i parë social që u kthye në dukuri ishte ngarendja për të blerë miell, derisa ky u bë një mall i munguar në treg. Kjo dukuri, shpjegohet nga dy faktor: së pari, kultura e ushqimit në traditën shqiptare është e dominuar nga kultura e bukës; dhe së dyti, kujtesa kolektive e këtij populli përmban periudha të zisë së bukës dhe mungesës së miellit.

Edhe në fushën politike, pikërisht gjatë karantinës, Kosova u përfshi nga një luftë e ashpër mes Presidentit të djathtë që u përpoq të shpallte gjendje të jashtëzakonshme që më 17 mars dhe Kryeministrit të majtë që e pamundësoi këtë, i bindur që kjo nuk ishte e nevojshme. Kosova nuk kishte përjetuar gjendje të jashtëzakonshme që nga vitet ’90-të dhe kjo do të ishte një tjetër lloj i kthimit të traumave të asaj kohe. Madje që nga përfundimi i luftës, për herë të parë u fol seriozisht për mundësinë e një lufte a konflikti të armatosur me Serbinë, si qëllim i kësaj të fundit për ta ndryshuar realitetin në terren pak kohë para një përpjekje të ngutshme të administratës së presidentit amerikan, për të ndërmjetësuar një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, që do të nënshkruhej në Washington, në ditët e fundit të kësaj administrate para zgjedhjeve. Kjo solli reagimin e Bashkimit Europian dhe sidomos të Gjermanisë, duke e bërë kështu Kosovën sërish temë diskutimi mes Europës dhe Amerikës. Në Kosovë, kjo prodhoi një debat në publik për atë se kujt duhej besuar më shumë mes këtyre dyjave. Me Serbinë fqinje në pozicion gatishmërie, gjithçka ngjasonte me situatat e fundviteve ’90-të, vetëm se ato ishin disi të përmbysura! Kjo ndarje prodhoi një çarje të atillë brenda vendit, që rezultoi me një mocion mosbesimi në parlament, që rrëzoi qeverinë vetëm 51 ditë pasi ishte formuar. Kjo qeveri që ishte formuar nga një koalicion i quajtur ‘koalicioni i shpresës’, goditi pikërisht atë që çdo vend i botës po mundohet ta mirëmbajë në këtë kohë: shpresën! Vendi më i izoluar në Europë, Kosova, u bë vendi i vetëm në botë që rrëzoi qeverinë e saj në kohë pandemie, madje në mes të karantinës. Edhe protestat e qytetarëve ndaj kësaj, ishin rikthim i një forme proteste të viteve ’90-të. Duke qenë të izoluar në karantinë, në pamundësi për tu grumbulluar në rrugë, njerëzit protestuan duke zhurmuar me çelsa dhe duke goditur enët me lugë nëpër ballkone.

Kur traumat përsëriten, shfaqen edhe pasojat e traumave fillestare! Bashkë me to, edhe solidariteti mes njerëzve, një virtyt ky që në Kosovën e viteve ’90-të, kishte marrë formë të atillë sa që ishte kthyer në një normë shoqërore gati të pashkelshme. Kështu, netët e gjata të pranverës së vitit 2020, në familjet e karantinuara kosovare, u kthyen në netë të rrëfimit të kujtimeve për luftën e vitit 1999 dhe për vuajtjet e dekadave të Jugosllavisë së regjimit komunist të Titos dhe atij fashist të Millosheviqit. Për shqiptarët e Kosovës, karantina e pandemisë së virusit COVID 19, ishte karantinë e solidaritetit dhe e reminishencave traumatike! Profesori amerikano-boshnjak i shekencës politike, Jasmin Mujanoviq, ka hedhur tezën se të gjithë banorët e ish-Jugosllavisë, jetojnë me çrregullime të stresit post-traumatik (PTSD), pasi kanë kaluar në mënyrë të përsëritur nëpër situata të forta ankthi, depresioni dhe paniku. Sipas Mujanoviqit, kjo e bën më të përballueshme pandeminë e koronavirusit, pasi që për këta njerëz, krizat nuk janë problem, sepse truri i tyre është mësuar me kriza dhe adaptohet shpejt duke gjetur forma mbijetese. Si për ta mbështetur këtë tezë të Mujanoviqit, në një grafite të mirënjohur në muret e kryeqytetit Prishtinës, është shkruar: “Ai qi su tranu deri tash n’ketë Kosovë kurr su kon normal!!!”. Mbase ky është shpjegimi për solidaritetin dhe aftësinë e popullit të Kosovës, për të përballuar gjithë këto çmenduri mes një izolimi të shumëfishtë: brenda kokave me kujtime traumatike të patrajtuara, të mbyllur në karantinë, në vendin më të izoluar në Europë! Kushedi!

Në një intervistë të rrallë, të dhënë për televizionin franko-gjerman “arte” në shtator 2020, filozofi italian Giorgio Agamben, shprehej dyshues ndaj mundësisë për solidaritet në këtë kohë pandemie. “Unë nuk dua të kundërshtoj askënd që tregon solidaritet në ndonjë mënyrë, por nëse e shikoni nga një këndvështrim tjetër, modeli që po na paraqitet, mua më duket se është ndarja në distancë dhe dyshimi. Kjo nuk ka asnjë lidhje me solidaritetin, meqë është në kundërshtim me idenë e solidaritetit të vërtetë” – thoshte Agamben, i cili që në muajin mars kishte nxitur me shkrime një debat mes intelektualëve italianë, për atë që solli pandemia në Itali. I mirënjohur për tekstet e tij mbi biopolitikën, njeriun si homo sacer dhe gjendjen e jashtëzakonshme, Agamben duket të jetë filozofi i duhur për tu (ri)lexuar në këto kohëra të turbullta.

Teksa ky tekst po shkruhet, pandemia ende nuk ka kaluar dhe të gjitha parashikimet thonë se të paktën edhe viti 2021 do të kaloi nën shenjën e virusit COVID 19. Në këto kohëra pandemie të kuantifikueshme në kuante kushtesh të jashtëzakonshme, asnjë emërtim për përjetimet e njerëzve nuk mund të jetë i sigurt dhe final. Në terminologjinë e semiotikës, ka një term që i përgjigjet kësaj gjendje fluide: shenjuesi lundrues! Ai është një shenjues pa referencë, një shenjues i pangarkuar me përmbajtje që shenjon diçka të papërcaktuar plotësisht. Po kaq të papërcaktuara janë edhe historitë e kohës së kësaj pandemie. Shenjuesi lundrues apo shenjuesi bosh, shërben për tu ngarkuar me çfarëdo lloj përmbajtje a domethënie. Përderisa pandemia ende nuk e ka liruar botën nga virusi COVID 19, në kushtet e gjendjes njerëzore të jashtëzakonshme, pluskojnë në kaos plot shenjues bosh, që presin të emërtojnë një kozmos postcovidian! Ka qenë e nevojshme të ndodhë Lufta e Dytë Botërore, që Lufta e Madhe të quhet pastaj Lufta e Parë Botërore. Kur virusi COVID 19 të kapitulloi, mbase pandemia e shkaktuar prej tij do të marë emrin Lufta e Tretë Botërore. Një gjë duket të jetë e qartë: asnjë gjë nuk do të jetë si më parë. Asgjë!