Nonda Bulka është shkrimtari i ironisë së hollë dhe satiriku që godet me elegancë therëse. Rrjedhimisht, ai është ndër autorët më të përshtatshëm të gjuhës shqipe për ta lexuar gjatë muajve melankolikë të dimrit dhe pandemisë. Çfarë ka shkruar ai në vitet ‘30 tingëllon edhe sot tejet moderne dhe kreative
Prej shumë vjetësh pothuaj çdo ditë e lexoj rubrikën “Streiflicht” (shkëndija, xixa) të gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Një shtyllë e gazetës, e para, ana e djathtë, në ballinë. Në këtë shtyllë njëri nga autorët anonimë të rubrikës përshkruan një fenomen, një ngjarje, një ndodhi, një skandal, një aferë. Arti i shkrimit është me plot fantazi, humor të mençur, dije shndritëse dhe formulime mahnitëse. Kreativitet i plotë. Gjuha e kësaj publicistike të lartë i ngjan gjuhës letraro-satirike të shkrimtarit shqiptar Nonda Bulka. Kush e njeh sot Nonda Bulkën? Pakkush. Askush. Por para se të merremi me Bulkën, poetin me origjinë nga një fshat i Përmetit, po sjellim në vijim paragrafin e parë të rubrikës “Streiflicht” (botuar më 5 dhjetor): “Këtyre ditëve, të cilat janë plot e përplot të ngarkuara me melankoli të koronës dhe dhjetorit, na prekin thellë kujtimet mbi lezetin veror në plazh. Çfarë kohe e mrekullueshme ishte! Vapë, akullore, hedhje me bythë në ujë dhe trupa të adhurueshëm, çfarë kënaqësie ishte të jetoje. Por ka disa vjet që disponimin veror na e prish një pakënaqësi e lehtë, dhe kjo bën vaki përherë kur ua hedhim shikimin të tjerëve, të cilët, fatkeqësisht, janë rreth e rrotull nesh. Të gjithë pa dallim kanë tatuazhe, disa modeste me një zemër rrethuar me lule apo me shenjë-shkronja kineze, të cilat me gjasë s’kanë asnjë domethënie apo edhe më keq; të tjerët, ndërkaq, duken si novela grafike shëtitëse. Përbindësha, heronj të errët, flamuj lufte dhe dashnore të humbura bashkohen në trupat e tyre dhe krijojnë një panoramë të madhe, deshifrimi i së cilës do të kërkonte disa javë. Mes këtyre trupave të avancuar në art, njeriu pa tatuazh ndihet si një i zhveshur në pritjen e Vitit të Ri të presidentit gjerman. Shikimet mospëlqyese të të tjerëve ndihen në trup si gjilpëra që shpojnë”.
Ky është një vit i çmendur. Maska në fytyrë, në vend të midhjeve të fërguara buzë detit në Sarandë. Ecje në mal, në vend të shijimit të shkëndijave të diellit në plazh. Distancë, në vend të afërsisë. FFP2, në vend të gëzimit për një pije dimërore në sheshin para Hotelit Grand. Shi i imët depresiv, në vend të koncerteve spontane në kafeteritë e dekoruara të Prishtinës. Ndoshta mënyra më e mirë për të kaluar këtë fazë të melankolisë së dimrit dhe pandemisë është leximi i teksteve të Nonda Bulkës. Në “Gazetën e Korçës” të datës 9 prill 1932 Bulka shkruan: “Ustai i panjohur që ka ndërtuar këtë pallat madhështor, po të kredhur në helm e vrer, që quhet Botë, s’ka qenë ndonjë zanatçi i mbaruar. Ndofta s’i ka dashur qejfi. Se kontrollorë mbi veprën e tij s’kish aso kohe. Shumë të meta, shumë brenga, shumë lot, shumë psherëtima, shumë gjak kanë dalë prej njeriut. Dhe shumë më keq e kemi në të ardhmen. Horizonti sa vete po errësohet! Re të zeza e të trasha po mbulojnë qiellin e kaltër. Bilbili qesh, në vend që të qajë. Dhe populli qesh e qan, se s’di ç’të bëjë”. Ky stil shkrimi i Nonda Bulkës nuk ka ndonjë dallim të madh me atë të rubrikës “Streiflicht” të “Süddeutsche Zeitung”. Talenti i madh i Bulkës shihet kur ai krizës ia heq gëzofin e katastrofës. Në fund të rrëfimit të tij me titullin “Fajtori”, Bulka shkruan: “Kush është shkaktar i këtyre halleve? Kujt i bie përgjegjësia? Vallë atij që bëri njerinë? Apo atij që na gostiti me këto dy para mend? Po kush e bëri njerinë? Gjyshja më tha se njerinë e bëri Zoti, se kështu i kish thënë prifti. Ndofta prifti ka të drejtë. Po unë them se njerinë e bëri majmuni. Kështu tërë fajin le t’ia ngarkojmë majmunit. Pas fjalëve të gjyshes, faji duhet t’i bjerë Zotit. Po unë s’dua të bëhem gjynahqar. Prandaj, sa të akuzoj Zotin, preferoj të akuzoj majmunin”.
“Fajtori” dhe rrëfime të tjera gjenden në librin “Thumba pa helm”, botim i “Rilindjes”, viti 1977. Tirazhi: 6000 copë. Janë rrëfime që e mbajnë lexuesin nën tension kureshtjenxitës. Sapo lexuesi të bëhet gati të ulet në karrige, një dorë e padukshme e autorit ia heq karrigen dhe lexuesi përplaset në poentën e radhës. Bulka është përherë në anën e të shtypurve, të varfërve, të paprivilegjuarve. Ai parodizon për mrekulli vargjet e Omar Kajamit, i cili shkruan: “Merr një zemër, puthe dhe rrëmbeje...”, me kundërpërgjigjen: “Merr një thes misër, puthe dhe rrëmbeje...”. Për të zgjidhur Nyjën e Gordiut shkrimtari propozon të veprohet siç veproi Leka i Madh, i cili e preu atë me shpatë. Ne sëpatën e kemi, por na mungon dora, shkruan Nonda Bulka. Për rrethanat e kohës – vitet ‘30, pra pa internet e pa Twitter, pa qasje në mediat digjitale, pa botën e globalizuar si sot, në një Shqipëri postosmane në kërkim të modernes -, Nonda Bulka është një autor shumë i informuar mbi zhvillimet anekënd botës, mbi debatet që dominojnë dhe trendet e kohës. Talenti i këtij mjeshtri të tregimit të shkurtër, skicës, rrëfimit anekdotik e fejtonit nuk gjeti shprehjen e duhur me ardhjen e komunistëve në pushtet në Tiranë. Censura dhe frika nga represioni e bënë edhe Nonda Bulkën një autor të rëndomtë të socrealizmit (një nga veprat e tij nga viti 1952 bart titullin: “Nën dritën e yllit”).
Nonda Bulka u lind më 1906 në Leusë të Përmetit, kreu liceun francez në Korçë dhe studioi letërsi në Universitetin e Tuluzës (Toulouse) në jug të Francës. Po u lexua biografia e tij e botuar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të botuar më 2008, njeriu mund të mendojë se në Shqipëri ende në pushtet janë komunistët. Aty thuhet: “Në skicat dhe vjershat satirike demaskoi orvatjet e forcave të vjetra dhe të forcave të jashtme për të ndërruar situatën politike në Shqipëri në favor të tyre”. Diktatura komuniste në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar përshkruhet si “situatë politike”, të cilën paskan synuar ta ndryshojnë armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Mungon vetëm edhe portretimi i Nonda Bulkës si hero i luftës kundër imperializmit anglo-amerikan. Ndoshta vetë Nonda Bulka do t’i përgjigjej autorit të biografisë së tij (Muzafer Xhaxhiu) me këto fjalë: “I lumtur bilbil! Ç’varrim të bukur pate!”. Por Nonda Bulka, i njohur edhe me pseudonimet Chri-Chri, Na-Na, Sti-Sti, vdiq më 1972.