Ne duam të sigurohemi që vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të kenë qasje të drejtë dhe të barabartë tek vaksinat, duke iu dhënë prioritet qytetarëve të cilëve iu duhet urgjentisht. Në shumë vende do të na duhet edhe t’i forcojmë sistemet shëndetësore dhe të ndërtojmë kapacitete logjistike, në mënyrë që vaksinimi të jetë i suksesshëm
Pandemia e COVID-19 po ka ndikim shkatërrues në shëndetin publik, shoqëritë dhe ekonomitë në mbarë botën: ajo mund t’i çojë në varfëri ekstreme deri në 150 milionë njerëz deri në fund të vitit 2021. Vendet mund të rimëkëmben vetëm kur të gjithë qytetarëve të tyre t’u kthehet besimi për jetën e tyre.
Shpëtimi i mjeteve të jetesës bashkë me jetët e qytetarëve kërkon që vaksinimi të bëhet sapo vaksinat të jenë në dispozicion. Realizimi i kësaj në këtë shkallë të pashembullt globale përbën një sfidë të stërmadhe, veçanërisht për vendet në zhvillim.
Si “Pfizer-BioNTech” ashtu edhe “Moderna” kanë njoftuar se vaksinat mund të jenë në dispozicion së shpejti; pritet që shumë shpejt të dalin edhe rezultatet e testimeve të tjera. Pra, nga pyetja nëse do të zbulohet vaksina po kalohet tek pyetja kur dhe si mund t’i dërgojmë këto vaksina tek qytetarët anembanë botës.
Ne duam të sigurohemi që vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të kenë qasje të drejtë dhe të barabartë tek vaksinat, duke iu dhënë prioritet qytetarëve të cilëve iu duhet urgjentisht. Në shumë vende do të na duhet edhe t’i forcojmë sistemet shëndetësore dhe të ndërtojmë kapacitete logjistike në mënyrë që vaksinimi të jetë i suksesshëm.
Këtu luan rol kyç Grupi i Bankës Botërore. Në muajin tetor, Banka Botërore aprovoi 12 miliardë dollarë amerikanë të ndihmës për vendet në zhvillim, për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave, analizave dhe trajtimeve. IFC-ja, krahu ynë për zhvillimin e sektorit privat, ka vënë në dispozicion 4 miliardë dollarë amerikanë për prodhuesit e vaksinave dhe materialeve të lidhura me to në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Personeli ynë posedon ekspertizë që nga shëndeti publik e deri tek prokurimi, transporti dhe logjistika, dhe ne kemi prani të fuqishme në terren në vendet në zhvillim në mbarë botën.
Synimi ynë është të mbështesim vaksinimin për deri në një miliard qytetarë. Por kur vaksinat të jenë në dispozicion për blerje, shpërndarja e tyre do të jetë e ndërlikuar. Për imunizim në shkallë të gjerë kërkohet planifikim i kujdesshëm, personel me shkathtësitë e duhura, dhe infrastrukturë e besueshme shëndetësore. Tri fusha do të jenë me rëndësi kritike.
Së pari, logjistika. Qeveritë do të duhet të rritin kapacitetet për transport dhe magazinim në mënyrë që të ruajnë një zinxhir të ftohtë të pandërprerë për vaksinat. Disa vende do të kenë nevojë për ndihmë që t’i mbulojnë zonat e thella dhe për zgjerim të kapaciteteve të magazinimit, për ndërtimin e zinxhirëve të ftohtë, si dhe për përmirësimin e objekteve shëndetësore. Ne mund të nxjerrim mësime nga përvoja e vendeve të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, në të cilat u realizua me sukses vaksinimi kundër Ebolës duke i mbajtur vaksinat në rreth -60 gradë celsius - temperaturë e krahasueshme me atë që kërkohet për vaksinën kundër Covid-19 të “BioNTech/Pfizer” - me pako akulli të thatë të instaluara në motoçikletat që shkuan deri në fshatrat më të largëta.
Së dyti, shpërndarja. Sot, shumica e vendeve imunizojnë foshnjat, por jo grupe të mëdha të popullatës së rritur. Secili vend do të duhet të caktojë prioritetet se kush e merr vaksinën i pari. Për shembull, punëtorët e kujdesit shëndetësor në vijën e parë, të moshuarit, personat me sëmundje paraekzistuese, si dhe ofruesit e shërbimeve publike si mësimdhënësit, zyrtarët policorë dhe punëtorët e marketeve. Shumica e vendeve do të sforcohen edhe më shumë duke synuar të rimëkëmbin shërbimet e tjera shëndetësore që janë ndërprerë.
Vendeve u duhen edhe sisteme të gjurmimit për të ditur nëse barnat arrijnë tek qytetarët dhe shpërndahen siç është menduar, përfshirë dozën e dytë që kërkohet nga shumica e vaksinave. Këtu mund të ndihmojë inovacioni digjital dhe teknologjik. Në Pakistan, për shembull, Banka Botërore e ka mbështetur vaksinimin kundër poliomielitit me mjete të të dhënave digjitale që lokalizojnë infeksionet, drejtojnë vaksinuesit, si dhe monitorojnë progresin. Kjo mund të ndihmojë për parandalimin e vjedhjes dhe devijimit të vaksinave, si dhe për minimizimin e risqeve të mashtrimit në administrimin e vaksinave.
Së treti, pranimi nga publiku. Qeveritë mund të përballen me hezitim të gjerë të shkaktuar nga dyshimet nëse barnat e reja, të zhvilluara me shpejtësi rekorde duke përdorur teknologji të reja, janë vërtet të sigurta. Shpërthimet e fundit të Ebolës theksuan rëndësinë e ndërtimit të besimit tek imunizimi. Në Republikën Demokratike të Kongos, kjo përfshiu punësimin e stafit lokal, angazhimin me udhëheqës fetarë dhe të komuniteteve, si dhe kryerjen e fushatave në gjuhët lokale për t’iu kundërvënë thashethemeve dhe keqinformimit.
Gjatë 100 ditëve të ardhshme, Banka Botërore synon të ndihmojë të paktën 100 vende të bëhen gati për realizimin e testeve, trajtimeve dhe vaksinave kundër COVID-19. Ne jemi duke u koordinuar nga afër me Gavi, UNICEF, OBSH, CEPI dhe Fondin Global, si dhe po ofrojmë mbështetje financiare dhe teknike. Si fillim do t’u ndihmojmë vendeve të vlerësojnë gatishmërinë e tyre, të përcaktojnë hendekët e kostove në aspektin sasior, dhe të përforcojnë sistemet shëndetësore për zbatimin e vaksinimit.
Kohët e fundit IFC-ja ka investuar në BioE, një prodhues i vaksinave në Indi, dhe pret që të ndihmojë prodhuesit e tjerë në vendet në zhvillim të zgjerojnë prodhimin vendor kur vaksinat të jenë në dispozicion. Zgjidhjet inovative përfshijnë përshtatjen e kanaleve të shpërndarjes së ushqimeve për shpërndarjen e vaksinave, si dhe përdorimin e blockchain për gjurmim të shpërndarjes.
Puna e bërë nga Grupi i Bankës në lidhje me vaksinat bazohet në reagimin tonë emergjent ndaj pandemisë. Projektet në 112 vende po ndihmojnë në shpëtimin e jetëve dhe ndërtimin e sistemeve më të forta shëndetësore. Jemeni dhe Etiopia kishin nevojë për objekte më të mira të shëndetësisë, si dhe për furnizime dhe pajisje mjekësore.
Në Afganistan, mbështetja jonë i ka përforcuar sistemet laboratorike dhe ofrimin e shërbimeve. Ne i kemi ndihmuar Egjiptit për lansimin e një fushate kombëtare për parandalimin e COVID dhe për vazhdimin e shërbimeve mjekësore rutinë. Po ashtu kemi ndihmuar për sigurimin e pajisjeve mjekësore në Argjentinë, Ekuador, Indonezi, Haiti, Senegal, Somali dhe Ukrainë.
Sfida e shpërndarjes së vaksinave kundër COVID-19 demonstron nevojën për sisteme të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse shëndetësore në çdo vend. Prej nesh kërkohet ta shohim panoramën e gjerë dhe të ndërtojmë më shumë qëndrueshmëri, sepse është e sigurt që në të ardhmen do të ketë të tjera emergjenca shëndetësore.
Nevoja urgjente për vaksinim mund të forcojë edhe përpjekjet më të gjera shëndetësore: për shembull, programi kundër poliomielitit në Afganistan dhe programi rutinë i imunizimit në Nigeri e kanë forcuar kujdesin shëndetësor parësor duke përmirësuar sistemet me platformë të përbashkët, përfshirë këtu logjistikën dhe kapacitetet e zinxhirit të ftohtë.
Kam besim se do të arrijmë t’i fokusojmë energjitë tona dhe të ndërtojmë një koalicion më të gjerë ndërkombëtar se kurrë më parë, në mënyrë që ta tejkalojmë këtë sfidë që e prek secilin prej nesh, të pasur apo të varfër, në çdo vend. Shpresoj që ky të jetë një moment transformues, ku të gjithë e pranojmë se shëndeti i askujt nuk është i mbrojtur plotësisht pa u mbrojtur shëndeti i të gjithëve.
(Autori është president i Grupit të Bankës Botërore. Ky opinion u botua fillimisht në “The Telegraph”, kurse në Le Monde është botuar një version në frëngjisht. Versioni shqip është dërguar nga Banka Botërore për botim në KOHA)