OpEd

Evropa duhet të mbrohet nga Hungaria dhe Polonia

BE-ja nuk mund t’ia dalë të bëjë kompromis me provizionet e sundimit të ligjit. Mënyra se si ajo i përgjigjet sfidës së parashtruar nga Orbán dhe Kaczyński do ta përcaktojë nëse do të mbijetojë si një shoqëri e hapur e vërtetë ndaj vlerave mbi të cilat është themeluar

Hungaria dhe Polonia i kanë vënë veto buxhetit shtatëvjeçar të propozuar nga Bashkimi Evropian prej 1.15 bilionë eurosh dhe fondit evropian të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh. Edhe pse dy vendet janë përfitueset më të mëdha të buxhetit, qeveritë e tyre janë vendosmërisht kundër kushtëzimit të sundimit të ligjit që BE-ja e ka pranuar me urdhër të Parlamentit Evropian. Ato e dinë se po abuzojnë me sundimin e ligjit në mënyra shumë të këqija dhe nuk duan t’i bartin pasojat.

Nuk është aq koncept abstrakt si sundimi i ligjit që kryeministri hungarez, Viktor Orbán dhe, në një masë më të vogël, udhëheqësi de fakto i Polonisë, Jarosław Kaczyński, e kundërshtojnë. Për ta sundimi i ligjit përfaqëson një kufi praktik të korrupsionit personal dhe politik. Vetoja është veprim dëshpërues nga dy abuzuesit serikë.

Ka qenë gjithashtu një hap i paparë, që ka ardhur në një kohë kur Evropa është duke vuajtur nga një shkallë e rrezikshme e rasteve me COVID-19 dhe i ka hutuar përfaqësuesit e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Por kur shokimi u zbulua, analistët e afërt kanë shprehur se ekziston diçka e lidhur me veton.

Rregullat e sundimit të ligjit janë adoptuar. Në këtë rast nuk ka marrëveshje për një buxhet të ri. Buxheti i vjetër, që është në fuqi deri në fund të vitit 2020, është zgjeruar në një bazë vjetore. Hungaria dhe Polonia nuk do të marrin ndonjë pagesë me këtë buxhet, për shkak se qeveritë e tyre po abuzojnë me sundimin e ligjit.

Po kështu, fondi i rimëkëmbjes, i quajtur Bashkimi Evropian i Brezit të Ardhshëm, mund të zbatohet duke përdorur një procedurë të bashkëpunimit të zgjeruar, siç ka propozuar Guy Verhofstadt. Nëse BE-ja do ta zgjedhë këtë rrugë, vetoja Orbán-Kaczyński mund të hidhet poshtë.

Pikëpyetja është në qoftë se BE-ja, me kancelaren gjermane Angela Merkel ndoshta duke udhëhequr këtë rrugë, mund ta mbledhë vullnetin politik.

Unë jam përkrahës i përkushtuar i BE-së si një model i një shoqërie të hapur të ndërtuar mbi sundimin e ligjit. Duke qenë me prejardhje hebreje-hungareze, jam posaçërisht i shqetësuar me situatën në Hungari, ku kam qenë aktiv si filantrop për më shumë se 30 vjet.

Orbán e ka ndërtuar në Hungari një sistem të menduar mirë për ta vjedhur vendin. Shumat më të cilat e ka pasuruar familjen e tij dhe miqtë janë vështirë të vlerësueshme, por shumica prej tyre janë bërë jashtëzakonisht të pasur. Tani Orbán është duke e përdorur valën e re të COVID-19 për ta përmirësuar Kushtetutën hungareze dhe ligjin zgjedhor (edhe një herë) dhe për ta shpallur veten si kryeministër të përjetshëm sipas kushtetutës. Kjo është tragjedi për hungarezët.

Më lejoni t’i përmend disa shembuj se si Orbán i ka plaçkitur hungarezët. Ai ka transferuar shuma të mëdha të parasë publike në një numër fondacionesh private që ai i kontrollon tërthorazi. Me anë të një hileje të mençur kushtetuese, Orbán është duke i hequr përjetësisht këto asete nga domeni publik; do të duhej dy e treta e mazhorancës në Parlament për t’i rikthyer ato te hungarezët. Shifra e përfshirë arrin në afro 2.8 miliardë dollarë.

Në një seri të transaksioneve ilegale, kompanitë të afërta me Orbánin kanë blerë mbi 16,000 ventilatorë në emër të Hungarisë për gati 1 miliard dollarë, duke e tejkaluar shumë numrin e shtretërve të kujdesit intensiv dhe personelit mjekësor që do të mund t’i përdornin ata. Një analizë e të dhënave të tregut ndërkombëtar paraqet se Hungaria ka paguar më së shumti në Evropë për ventilatorët nga Kina, deri në një pikë ku ka paguar mbi 50 herë më shumë se Gjermania.

Një nga këto kompani gjithashtu ka siguruar një porosi nga Sllovenia, kryeministri i së cilës, Janez Janša, është aleat i afërt politik i Orbánit. Zyra Evropiane Kundër Mashtrimeve (OLAF) duhet të hulumtojë nëse BE-ja është mashtruar. Kontrata e fundit për vaksinën ruse, që do ta bëjë Hungarinë vendin e parë evropian që do ta përdorë, e meriton që të hulumtohet.

Në të njëjtën kohë, Orbán është duke u munduar që t’i shmanget llogaridhënies për këto veprime dhe po merr masa për ta parandaluar një përsëritje të zgjedhjeve lokale më 2019, kur partia e tij Fidesz humbi kontrollin e qeverisjes komunale të Budapestit dhe disa qytete kryesore. Ai po shkon aq larg për t’i privuar burimet financiare të Budapestit, duke i vënë në veto aplikimet e qytetit për të marrë hua nga Banka Evropiane e Investimeve për të blerë pajisje të reja të mëdha transportimi të përshtatshme për distancë sociale. Budapesti tani ka një mungesë prej 290 milionë dollarësh në buxhetin e tij për vitin 2021. Kushte të ngjashme mbizotërojnë në qytetet e tjera me qeveritë lokale që nuk kontrollohen nga Fidesz.

Partitë opozitare në Hungari guximshëm po provojnë ta sfidojnë Orbánin duke e formuar një listë të zakonshme të kandidatëve për zgjedhjet e përgjithshme të 2022-tës. Por mundësitë e tyre për të pasur sukses janë të kufizuara për shkak se Orbán mund t’i ndryshojë rregullat për një afat të shkurtër, siç ka bërë edhe disa herë më parë. Sipas kushtetutës, Orbán është duke planifikuar t’i shpalosë ndryshimet e fundit të ligjit zgjedhor përderisa pandemia është duke u rritur, Budapesti është në orë policore dhe ushtarët po patrullojnë nëpër rrugë.

Për më shumë, Orbáni ushtron pothuajse kontroll të plotë në periferi, ku jeton shumica e popullsisë. Ai i kontrollon informatat që i marrin dhe në shumë fshatra votimi nuk është i fshehtë. Pothuajse nuk ka asnjë mënyrë që opozita të mund të triumfojë.

Vetëm Bashkimi Evropian mund të dalë në ndihmë. Fondet e BE-së, për shembull, mund të drejtohen te autoritetet lokale, ku ende funksionon demokracia në Hungari, për dallim prej nivelit nacional.

BE-ja nuk mund t’ia dalë të bëjë kompromis me provizionet e sundimit të ligjit. Mënyra se si ajo i përgjigjet sfidës të parashtruar nga Orbán dhe Kaczyński do ta përcaktojë nëse do të mbijetojë si një shoqëri e hapur, e vërtetë ndaj vlerave mbi të cilat është themeluar.

(Autori është shef i Menaxhmentit të Fondit Soros dhe i Fondacioneve për Shoqëri të Hapur. Pionier i industrisë së bersave, është autor i “The Alchemy of Finance”, “The Paradigm for Financial Markets: The Credit Crisis of 2008 and What it Means”, dhe i “In Defense of Open Society”. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)