OpEd

Nuk duam të paditemi në heshtje

Përherë e më shumë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile janë duke u paditur nga afaristë dhe politikanë të pushtetshëm. I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të sigurojë se ata që janë në role mbikëqyrëse të mbrohen nga proceset gjyqësore të mbylljes së gojës. Ky veprim është gjaku që i duhet shëndetit të demokracive, shkruan një grup prej 87 organizatash, përfshirë Reporterët pa Kufij dhe Amnesty International

Një pasditeje të ngrohtë pranvere në Maltë, një gazetare kthehet në shtëpi për të gjetur aty një administrues gjykate që kapte me ngjitës një dëng prej qindra letrash para derës së saj. Dy qentë e familjes së saj po lehnin pakontrollueshëm dhe po kërcenin drejt administruesit prapa grilave të portës, por ai ishte i vendosur.

Urdhrat e lëshuara nga gjykata thoshin se gazetarja, Daphne Caruana Galizia, duhej të përballej me 19 procese gjyqësore për shpifje, të ngritura kundër saj, krejt njëherësh, nga një figurë e kamur dhe e pushtetshme e fushës së biznesit. Disa muaj më vonë ajo ishte e vdekur, e vrarë nga një bombë me teledirigjim, vendosur në veturën e saj.

Ne jemi një grup organizatash të shoqërisë civile që e konsiderojmë këtë si rastin më drastik të SLAPP-ve që kemi parë ndonjëherë, rënduar nga fakti se rastet kanë vazhduar edhe pas vdekjes së Caruana Galizias ndaj bashkëshortit dhe tre të bijve të saj.

SLAPP do të thotë Proces Strategjik Gjyqësor kundër Pjesëmarrjes Publike. Është kjo një formë e ngacmimit ligjor, dedikuar frikësimit të zërave kritikë me qëllim të heshtjes. Firmat e kushtueshme dhe të paskrupullta ligjore e ofrojnë këtë shërbim të sulmeve të këtilla për individët e pasur dhe të pushtetshëm, të cilët mund t’ia lejojnë vetes luksin për t’i zgjatur procedurat abuzive për vite me radhë, vetëm e vetëm për t’u mbrojtur nga vëzhgimi i padëshiruar publik.

E ky vëzhgim është gjaku që i duhet shëndetit të shoqërive demokratike.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe gjykatat e tjera kombëtare e rajonale në gjykimet e tyre e kanë theksuar vazhdimisht dhe shprehimisht rolin e rëndësishëm që ka shtypi i lirë, dhe më gjerësisht shoqëria civile, në mbajtjen përgjegjës të të pushtetshmëve. Gjykimet e tyre e riafirmojnë obligimin që shtetet kanë për krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e shprehjes. Sepse pa të demokracia dobësohet dhe vdes.

Boshllëqet në ligjet tona, të cilat ua lejojnë personave të pushtetshëm goditjen e kritikëve të tyre deri në gjunjëzim, janë një vrimë në demokracinë evropiane. Rastet e abuzimit e piperosin kontinentin.

E përditshmja e dytë më e madhe e Polonisë “’Gazeta Wyborcza” ka pranuar më shumë se 55 kërcënime dhe padi ligjore prej një sërë akterësh, përfshirë partinë pushtetare polake, qysh nga viti 2015.

Afaristi francez, Vincent Bolloré, dhe kompanitë e ndërlidhura me “Bollore Group” kanë vërshuar gazetarët dhe OJQ-të me padi për shpifje, ashtu që t’i shtrëngojnë të ndalojnë së raportuari mbi interesat e tij biznesore në Afrikë.

Në Spanjë, prodhuesi i mishit “Coren” po ia kërkon 1 milion euro dëmshpërblim një aktivisti mjedisor shkaku se i ka kritikuar praktikat e tij të menaxhimit të mbetjeve, pasi që më herët ka kërcënuar aktivistët dhe shkencëtarët që kanë bërë kërkime rreth niveleve të nitratit në ujërat lokale.

Njerëzit prej të cilëve ne varemi për t’i marrë informatat rreth asaj çfarë ndodh përreth nesh janë duke u shpërqendruar, penguar apo bllokuar tërësisht nga ushtrimi i detyrës së tyre, prej anës së këtyre sulmeve gjyqësore të kushtueshme dhe që kërkojnë burime të shumta.

Situata është duke u shtrembëruar deri në shkallën e mosnjohjes. Kur vjen puna tek individët, qeveritë, kompanitë dhe temat e caktuara, nuk janë shkrimtarët, filmbërësit apo gazetarët ata që vendosin çfarë ne lexojmë, shikojmë apo për çfarë flasim. Nuk janë as gjykatat, ngase SLAPP-ët rrallë përfundojnë me një proces dëgjimor, e lëre më me gjykim. Por janë oligarkët dhe bashkëpunëtorët e tyre në politikë, nëpërmjet gjyqtarëve që ata i paguajnë, të tillët që e formësojnë narracionin dhe e parandalojnë shfaqjen e së vërtetës.

Kemi parë tek shfaqet në Evropë një model shqetësues i zyrtarëve apo përfituesve qeveritarë të kontratave të majme publike që i adoptojnë taktikat e të famshmëve dhe oligarkëve për t’u vetëmbrojtur nga niveli i shtuar i kontrollit, të cilin e kërkojnë pozitat apo lidhjet e tyre financiare me Qeverinë.

Vetë fakti se kërcënimet janë rëndom tejkufitare i ngre kostot për gazetarët dhe aktivistët, të cilët thirren në gjykata larg vendit në juridiksionet më të kushtueshme ligjore të Evropës.

Ndërgjegjësimi për këtë problem është duke u rritur. Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Vera Jourova, ka premtuar që “t’i shikojë të gjitha opsionet e mundshme” për luftimin e kërcënimit që SLAPP-ët përbëjnë për demokracinë evropiane. Një zgjidhje premtuese fshihet tek institucionet e Bashkimit Evropian dhe mund të ndihmojë në rikthimin e baraspeshës midis ndjekësve të SLAPP-it dhe të drejtës së publikut për të qenë i informuar mbi çështjet me interes publik. Një legjislacioni mbarevropian duhet të miratohet për t’i mbrojtur njerëzit përreth Bashkimit Evropian nga SLAPP-i. Ky duhet të jetë prioriteti.

Sikurse në pjesët e tjera të botës, rregullat duhet të vendosen përreth BE-së për të mundësuar rrëzimin e proceseve gjyqësore të SLAPP-it qysh në fazë të hershme, për sanksionimin e ngritësve të SLAPP-it për abuzimin me ligjin dhe gjykatat, dhe për të ofruar masa që ua lejojnë vetëmbrojtjen të gjitha viktimave.

Kur e marrim në konsideratë rëndësinë e vëzhguesve publikë, siç janë gazetarët hulumtues, aktivistët dhe sinjalizuesit, për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, atëherë mungesa e mbrojtjes përbën një kërcënim jo vetëm për lirinë e shtypit, por edhe për funksionimin adekuat të tregut të brendshëm të Evropës dhe, përherë e më shumë, të jetës demokratike të Evropës.

Është realitet se për secilin gazetar apo aktivist të kërcënuar me dhunë në Evropë, njëqind të tjerë heshtin në mënyrë diskrete nëpërmjet letrave të dërguara nga firmat ligjore, duke ua shtrembëruar kuptimin ligjeve që janë të destinuara për mbrojtjen e reputacionit të të pafajshmit nga sulmet e të pushtetshmëve.

SLAPP janë mjete larg më pak barbare të heshtjes së dikujt sesa bombat në vetura apo fisheku në kokë, por efekti i tyre heshtës është shpesh po aq shkatërrues.

(Ky vështrim është shkruar në bashkautorësi të 87 organizatave, përfshirë “Greenpeace”, Reporterët pa Kufij, “Amnesty International”, “Transparency International” dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ). Vështrimi është botuar ekskluzivisht në rrjetin e pavarur panevropian të mediave EURACTIV).