OpEd

Uhaja

Për dallim nga “uhatë” e politikanëve, populli njëmend duhet të marrë hua diku që të mund të mbijetojë. Ose ndër miq e familjarë, ose nëpër banka, me një frikë tepër të madhe se mund të mos e kthejnë kurrë. E që të mbeten edhe pa banesën e tyre në këtë shtëpi të madhe, Kosovën, që copa-copa po i bien herë kulmi e herë muret

27851 të infektuar dhe 798 të vdekur - janë shifrat zyrtare që dolën dje në lidhje me pasojat e COVID-it. Kur kjo Qeveri e mori detyrën më 3 qershor, shifrat ishin: 1142 të infektuar dhe 30 të vdekur. Dhe pavarësisht faktit se numri i testimeve në muajt e fundit është rritur, numri i të testuarve vazhdon të jetë i ulët krahasuar me popullatën, prandaj edhe mund të supozohet se numri të prekurve është shumë më i madh. Për pasojë, jashtë kontrollit.

Momentalisht kapacitetet spitalore nuk e kanë mbërritur pikun, porse me ritmin me të cilin po shkojmë, edhe kjo do të na ndodhë shpejt. Ndërkohë që Qeveria ecën me hapa të breshkës dhe merret me zbatimin e një sërë masash kufizuese që kanë hasur në kritika të shumta.

Kritika më e madhe, dhe për shumë shkaqe shumë e arsyeshme, i referohet reagimit të ngathtë të kësaj Qeverie për ta ruajtur sektorin privat nga falimentimi.

Që nga shpallja e emergjencës së COVID-it kanë kaluar 245 ditë dhe institucionet shtetërore e kanë ndihmuar sektorin privat me dy pagesa nga 170 euro, që është dashur të ekzekutoheshin në qershor, e u paguan tek në shtator, si dhe një shumë prej 290 eurosh për një të punësuar secilës kompani, që u ekzekutuan në tetor. Pra, të mbledhura bashkë, bëjnë 2.57 euro për punëtor/e me kontratë në ditë, që është shumë tejet, tejet simbolike.

* * *

Ligji i famshëm i rimëkëmbjes ekonomike, që në fakt as që po e kuptojmë se çfarë konkretisht ofron, pos që flitet për nja 385 milionë prej të cilëve rreth 200 janë mjete që do të tërhiqeshin prej Trustit pensional, mezi kaloi në leximin e parë pas shtatë përpjekjesh. Nuk kaloi në të dytin, për shkak se Kuvendi nuk kishte kuorum.

Pra, koalicioni qeverisës, që na pati plasur veshët duke na thënë i kemi numrat, tash nuk i ka numrat as për ta kaluar ligjin të cilin e cilëson si kyç të mandatit të vet, përderisa gjithsesi se ia hedh fajin opozitës se nuk ia bën numrat e nevojshëm. Duhet rikujtuar se për të kaluar ky ligj nevojiten vetëm 31 deputetë, me kusht që 61 sish janë në sallë. E ka shumë kohë që këta 61 kurrqysh të mblidhen me një vend.

Kuvendi ende ka në agjendë pika të pazgjidhura që nga muaji gusht i sivjetmë dhe kjo mjafton për të kuptuar se me çfarë papërgjegjësie jemi duke u ballafaquar. Njerëzit, që një sistem i çoroditur zgjedhor i ka vendosur aty që të na i "përfaqësojnë" interesat, i shikojnë vetëm interesat e tyre personale e partiake.

Personale për shkak se si punuan si nuk punuan "taksimetri" i tyre ecën dhe i marrin nga 1500 euro minimum në muaj. Për rrogat e tyre nuk ka krizë, për shkak se sektori publik i ka të sigurta - të krijuara nga tatimet e sektorit privat në ngufatje e sipër.

Interesat partiakë, nga ana tjetër, janë ato që e kanë sjellë Kosovën në këtë derexhe dhe në situatën ku në mes të një krize që as fijet nuk mund t'ia lidhim, interesimi kryesor përqendrohet te zgjedhja e kryetarit të shtetit.

* * *

Dhe ambicia e disa figurave për t'u bërë me këtë post e qiti në pah edhe logjikën e funksionimit politik në këta 20 vjetët e fundit. Përderisa disa herë e kishim dëgjuar nga goja e komandantëve që u bënë me pushtet se "ua kishim borxh pushtetin për shkak se ata kishin luftuar", tash doli borxhi në një trajtë tjetër, të huas, përkatësisht uhasë, qysh i themi në popull.

Ramush Haradinaj, për kushedi të satën herë, e përsëriti se donte të bëhet kryetar shteti dhe se për këtë kishte nevojë që dikush t'ia huazonte votat (lexo PDK-ja), e që "kurdo që do t'i nevojiteshin, ky do t'ia kthente".

Pra, posti i një deputeti dhe përfaqësimi në institucione bëhet punë private e atij që mundet me marrë e me dhënë vota hua - si të ishim në pazar. Dhe pazari nuk është se bëhet për të mirën e përgjithshme, por për akomodimin e qejfeve dhe tekeve të individëve.

Tash kemi ardhur në situatën ku e kemi një ushtruese të detyrës së kryetares së shtetit, mandati i së cilës ka nisur të rrjedhë me inercinë e precedentit Jakup Krasniqi. Kjo për shkak se Kushtetuta nuk e ka paraparë kategorinë e dorëheqjes si shkak për emërimin e u.d. kryetarit. Dhe përderisa nuk do të ketë ngritje të kësaj çështjeje në Kushtetuese, Osmani do ta ushtrojë këtë detyrë me miratimin e heshtur të të gjithëve për më së shumti gjashtë muaj. Dhe, çfarë është me rëndësi, me të gjitha prerogativat, për shkak se askund nuk thotë se nuk mund t'i ushtrojë.

Tregu për zënien e këtij posti tashmë është i hapur dhe tash mund të dalin propozime të cilat duhet të votohen në Kuvend. Dhe mund të dalin në një situatë të komplikuar ku duhet patjetër siguruar prezencën e 80 deputetëve në sallë që kjo të ndodhë. Kurse kjo mund të ndodhë vetëm nëse PDK-ja i bashkohet koalicionit të tashëm qeverisës.

Prandaj edhe flirti i Hardinajt me PDK-në, edhe pse me veprimin e vet bie direkt në kundërshtim me arsyet e paraqitura publikisht kur kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit vjet verës. Atëbotë kishte thënë se ishte ftuar në Hagë dhe se atje donte të shkonte si qytetari Haradinaj, e jo si kryeministër. E, megjithatë, shkoi si kryeministër në detyrë dhe po qe se zgjidhet kryetar do të shkojë, me gjithë gjasë, edhe si kryetar i dorëhequr.

* * *

Ka shumë kohë që e kemi përsëritur jo pak njerëz se Kosovës i duhet një ndryshim radikal në skenën politike dhe një brez i ri njerëzish që nuk do të identifikohen as me luftën e as me sistemin e "uhasë" për t'i sjellë pak rend këtij vendi.

Riciklimi i politikanëve është treguar skajshmërisht i dëmshëm për Kosovën, për shkak se secila qeveri e re e ka fundosur edhe më shumë Kosovën në krizë ekonomike dhe shoqërore. E ka fundosur për shkak se ka funksionuar me sistemin e "uhasë" së gjithçkaje, madje edhe pa nevojë që ajo të kthehet. Kasapimi i buxheteve dhe i tenderëve ka krijuar një kastë miliarderësh, të vogël në numër dhe të ndarë me një hendek tepër të madh nga masa e përgjithshme që përherë duhet të luftojë për ekzistencën në një shtet të paperspektivë.

E masa e përgjithshme, apatike deri në skaj, tashmë edhe ka mbetur edhe pa zë për ta artikuluar mjerimin e vet dhe thirrjen për daljen nga fundi i pusit. Në kushte normale ka pasur fare pak protesta sociale, në kushte të pandemisë as që mund të imagjinohen. Alibi e fortë është pandemia. Siç është edhe telenovela e pafund e krizës qeverisëse dhe e garës se kush po bëhet kryetar i shtetit.

* * *

Mbase lajmi më i mirë i kësaj jave, edhe pse ende i pakonfirmuar zyrtarisht, qe zgjedhja e Bidenit për kryetar të Amerikës. Po dua të besoj shumë që shpresat tona të mos jenë tepër të mëdha e që më pas të dëshpërohemi. Sepse jemi mësuar të presim që tjetërkush të na i zgjidhë problemet që vetë i krijojmë. E gjithashtu dua të besoj se nuk do të duhet të kalojmë nëpër ndonjë eksperiment të ngjashëm me atë të Grenellit, i cili jo vetëm që e rrëzoi një qeveri në mes pandemie, porse e solli punën në pikën ku asnjë send nuk shkon si duhet. Në fakt, e riktheu gjendjen e para zgjedhjeve të kaluara, ku qeveria dhe ministritë përkatëse merrnin vendime nga më të ndryshmet, duke e dëmtuar rëndë edhe buxhetin e edhe vetë Kosovën.

Njëri vendim, tashmë i diskutuar para dy javësh a tri, ishte puna e shuarjes së Task-forcës anti-korrupsion. Tjetri, i para tri ditësh, për dhënien e kushteve mjedisore për hidrocentralet në Deçan e më pas edhe licenca 40-vjeçare për operim një firme e cila deri tash më shumë e ka dëmtuar natyrën sesa na ka sjellë energji elektrike. E po mund të imagjinohen arsyet se përse ndodh kjo.

* * *

Prej mbrëmë iu kthyem një karantine të çuditshme e selektive. Pas tetë muajsh, të shumtë janë njerëzit që janë goditur rëndë nga pandemia, ose për mungesë pune, ose për mungesë qarkullimi financiar. Qeveria na thotë se jemi në luftë me COVID-in, porse nuk e armatos këtë popull thuajse me asnjë gjë që ta luftojë atë. Njëherë u blenë ca maska dhe me atë u mbyll ky kapitull. Thonë se barnat për lehtësimin e COVID-it janë në listën esenciale. Mbase edhe janë në listë, por nuk janë nëpër raftet e farmacive spitalore. Përkrahja financiare për sektorin privat mbeti në premtime e fjalë, ndërkohë që nga lloçi, sërish, vazhdon të na nxjerrë diaspora.

Për dallim nga "uhatë" e politikanëve, populli njëmend duhet të marrë hua diku që të mund të mbijetojë. Ose ndër miq e familjarë, ose nëpër banka, me një frikë tepër të madhe se mund të mos e kthejnë kurrë. E që të mbeten edhe pa banesën e tyre në këtë ndërtesë të madhe, Kosovën, që po i bien herë copa kulmi e herë copa muresh.

flaka@koha.net