Vështrime

Presidenti i ri Joe Biden do të nxisë zhvillimin e demokracisë

Zgjedhja e Joe Bidenit për president të Shteteve të Bashkuara është një lajm shumë i mirë për demokracinë në botë. Edhe Kosova dhe shqiptarët mund vetëm të përfitojnë nga ndryshimi i administratës së SHBA-së.

Zgjedhja e Joe Bidenit për president të Shteteve të Bashkuara është një lajm shumë i mirë për demokracinë në botë. Edhe Kosova dhe shqiptarët mund vetëm të përfitojnë nga ndryshimi i administratës së SHBA-së.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, para ardhjes në pushtet lansoi platformën “Amerika së pari” (angl. America first). Kjo u interpretua nga analistë të shumtë si një paradigmë nacionalcentrike dhe izolacioniste. Presidenti Trump sinjalizonte përmes saj që vëmendja e politikës së jashtme të SHBA-së duhej përqendruar në interesin ekonomik dhe tregtar në marrëdhëniet me vendet e tjera. Demokracia, si elementi qenësor i ndikimit në botë të SHBA-së, u shmang nga prioritetet në katër vjetët e kaluar. Qëndrimi i tillë pati një reflektim indirekt në drejtim të rritjes së autoritarizmit, nacionalizmit dhe liberalizmit në Evropë dhe gjithandej globit. Besimi në demokraci filloi të zbehej. Sistemi ndërkombëtar i ndërtuar dhe udhëhequr nga SHBA-ja prej deceniesh po shpërbëhej. Sfidat me karakter të rëndësisë globale, si ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike, migracioni masiv, revolucioni teknologjik në zhvillim dhe sëmundjet infektive në nivel pandemie nuk mund të menaxhoheshin dot sipas parimit nacionalcentrik.