OpEd

Rrëshqitja e një ambasadori

Si i shihte punëtorët nga Kosova ambasadori zviceran në Beograd në vitin 1972?

Më 1968, Qeveria e atëhershme zvicerane mori vendim t’i heqë vizat për qytetarët e Jugosllavisë. Që më parë nga Jugosllavia kishin filluar të vinin në Zvicër qytetarë (ose thënë më mirë fshatarë) të Kosovës dhe Maqedonisë për të punuar si bujq. Liberalizimi i vizave dhe pastaj edhe rekrutimi i punëtorëve shqiptarë nga firmat ndërtimore dhe ato të hotelerisë zvicerane ndikuan që mijëra shqiptarë të Kosovës, rajonit të Preshevës dhe Maqedonisë Perëndimore të shprehnin interesim dhe gatishmëri për të emigruar në Zvicër – kështu ata do t’i iknin varfërisë dhe mjerimit të përgjithshëm në vendlindjet e tyre të lëna pasdore nga regjimi komunist jugosllav.

Për shumicën e zviceranëve punëtorët e rinj ishin “jugosllavë”, vetëm ndonjë ekspert dinte se Jugosllavia ishte një konglomerat popujsh e pakicash. Kështu ndodhi që Sekretariati i Shoqatës së bujqve të kantonit Thurgau në vitin 1964 të shtypte një fjalorth special në serbokroatisht, i cili do t’u shërbente bujqve zviceranë për t’u kuptuar me argatët e tyre “jugosllavë”. Një fjalor i tillë nuk ekzistonte në shqip, ndonëse një shumicë e konsiderueshme e ardhacakëve që punonin në ahuret e arat zvicerane ishin shqiptarë, “muhamedanë”, siç i quanin shpesh padronët e tyre, por edhe zyrtarët zviceranë, mes tyre edhe diplomatë, të cilët bënin një dallim të qartë mes veriorëve (sllovenëve dhe kroatëve) të kulturuar dhe jugorëve (shqiptarëve, maqedonasve, boshnjakëve) të prapambetur.

Një shembull i gjuhës së ashpër, për rrethanat e sotme madje të palejueshme, është një komunikim i ambasadorit të Zvicrës në Beograd, Hans Keller, me autoritetet në Bernë. Rritja e të interesuarve nga viset shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni për t’u punësuar në Zvicër kishte shkaktuar tollovi para dhe në Ambasadën e Konfederatës Zvicerane në Beograd. Ata vinin në kryeqytetin e Jugosllavisë për t’u pajisur me viza pune. Keller alarmonte eprorët e tij në Bernë mbi numrin e madh të njerëzve që po i pengonin edhe fqinjët e Ambasadës. Vizitorët, sipas ambasadorit, ishin të mërzitshëm sidomos për gratë që punonin në përfaqësinë diplomatike zvicerane. Ai thoshte se nga largësia (domethënë nga Berna) nuk mund të merrej me mend sa po vuanin këto gra për shkak të publikut me duhmë të rëndë, të zhurmshëm, i cili madje edhe pështyn në rrugë “sipas traditës së këtushme”. Për ta qetësuar situatën ambasadori njoftonte se kishte punësuar një “gorillë”, “një djalë të ri, muskulor”, për t'i mbajtur nën kontroll këta njerëz të padisiplinuar.

Në vazhdim, ambasadori shkruante: “Bëhet fjalë për njerëz, të cilët rrjedhin nga një botë krejt tjetër për dallim nga sllovenët, kroatët, dalmatët apo serbët; përqindja e analfabetëve në jug është po ashtu e lartë dhe pjesërisht më e lartë se në shtete të caktuara të Afrikës apo Azisë. Pastaj duhet përmendur zakonet tjera të jetesës dhe të ngrënies të muhamedanëve, të cilët me gjasë përbëjnë rreth 50 për qind të punëtorëve të rekrutuar të ndërtimtarisë, vlerësimin e ulët që i bëjnë ata gjinisë femërore, dhe shumë gjëra të tjera, të cilat ua bëjnë shumë të vështirë që brenda një kohe të shkurtër t’i përshtaten një shoqërie moderne industriale dhe sidomos një të tille të zhvilluar aq shumë, siç është shoqëria jonë. Në Kosovë gjakmarrja ende nuk është zhdukur dhe këta njerëz e nxjerrin thikën nga xhepi më lehtë se italianët e jugut”.

Më tutje diplomati zviceran shpjegonte se kundërshtimi i rendit publik dhe i autoriteteve nuk është diçka e përbuzshme për një maqedonas apo boshnjak, sepse diçka e tillë shëron komplekset e tyre të inferioritetit. Ambasadori tërhiqte vërejtjen se me pranimin e këtyre “elementëve primitivë” Zvicra po i ngarkonte vetes rreziqe. “Përkundër të gjitha vështirësive mund të pritet që punëtorët e ndërtimtarisë nga Kosova, Maqedonia, Serbia etj. në vendin tonë të kryejnë punë të nevojshme dhe kështu të japin një kontribut të çmuar për zgjidhjen e problemeve tona ndërtimore. Ata, përveç kësaj, kanë një përparësi, ngase nuk mendojnë t’i sjellin (në Zvicër) bashkëshortet apo familjen, dhe po ashtu janë më modestë në kërkesat e tyre se punëtorët e huaj të vendeve të tjera”, nënvizonte ambasadori Keller. Dhe në fund shtonte se është mirë që këta njerëz primitivë, por në mënyrën e tyre simpatikë, të përzgjidhen më mirë dhe të përgatiten mbi atë se çfarë i pret në Zvicër.

Kohë të shkuara, por jo të harruara. Po të ishte gjallë ambasadori Hans Keller me siguri do të habitej me integrimin e shqiptarëve në Zvicër. Natyrisht ende ka “dele të zeza”, por pa shqiptarët Zvicra sot përfundimisht do të luante në ligën e tretë rajonale të Principatës së Liechtensteinit – jo vetëm në futboll.