OpEd

Biden do të sjellë racionalitet në politikën amerikane, që është mirë edhe për Kosovën

Kosovarët duhet ta kuptojnë se mbështetja e tij- e Amerikës, nuk është gjithmonë e pakushte. Nuk ka dyshim se është krijuar miqësi. Por kjo miqësi mund të shuhet shpejt. Kosova nuk e ka pasur mbështetjen amerikane vetëm pse ka miqësi mes dy shteteve apo mes dy popujve. Amerika asnjëherë nuk i ka konsideruar armiq as serbët. Por Kosova ka pasur mbështetjen e Bidenit dhe të tjerëve në Amerikë, sepse ka pasur të drejtë. Sepse ka bërë një luftë të drejtë. Dhe ka qenë viktimë. Dhe nuk duhet harruar kurrë kontributi i shqiptarëve të Amerikës

Para disa javësh gjeta disa fotografi të vjetra, të shkrepura me aparat të vjetër me shirit celuloze dhe të zhvilluara në laborator. Ishte koha kur fotoaparatet digjitale ishin në fazën fillestare dhe nuk kishin kualitetin e duhur. Gjeta një fotografi të presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, dhe kryetarit të dikurshëm të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci. Ajo foto ma kujtoi një takim që këta të dy kishin në Washington në verën e vitit 2001. Rastësisht unë, së bashku me kolegun Halil Matoshi ishim në Washington me një grup gazetarësh, aktivistësh dhe politikanësh nga Kosova në një vizitë studiuese, me ftesë të Departamentit të Shtetit, që është e njohur si “International Visitor Program”. Mua dhe kolegun Matoshi na ftoi në atë drekë një Jo tjetër, Jo Dioguradi, ishte kongresisti me prejardhje arbëreshe. Takimi ishte jashtëzakonisht miqësor. Biden që atëherë ishte i njohur për shqiptarët dhe mbështetës i madh i Kosovës.

Nuk ishte drekë zyrtare si pjesë e planit të vizitës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ishte një drekë që Dioguradi, me mbështetjen edhe financiare, e kishte organizuar së bashku me disa shqiptaro-amerikanë. Ata në fund edhe e paguan atë drekë. Biden shprehte kënaqësinë e tij të sinqertë pse po takonte një kryetar të Kuvendit të Kosovës. Kishin kaluar vetëm dy vjet, apo dy vjet të plotë, varësisht se kush e sheh si, nga çlirimi i Kosovës. Ne tashmë ishim të pakënaqur me zhvillimet në Kosovë. Por Biden e shikonte ndryshe. Për të, vetë fakti se Kosova ka një Parlament, ka edhe një kryetar të Parlamentit, të cilin po e takonte, ishte shenjë e suksesit dhe e përparimit që kishte bërë Kosova.

Pas shumë lëvdatash që ia bëri Kosovës në atë takim Biden, Nexhat Daci u inkurajua edhe më shumë. Dhe nisi të thoshte se Kosova do të bënte edhe progres më të madh sikur të mos ishte pengesa e madhe nga UNMIK-u. Nuk mund të bëj be, se s’më kujtohet saktësisht, por më duket se akademik Daci e përdori edhe termin “UNMIK-un e kemi si një lak rreth qafe” i cili na pengon. Vazhdoj pastaj me shprehjen e mendimeve të tij se si ndërkombëtarët kanë për qëllim të rrinë sa më gjatë në Kosovë, për shkak se Kosova ka “restorante të mira” ku ata kënaqen. Duhet të them se jo të gjithë pjesëtarëve të grupit nga Kosova që ishim në atë vizitë u pëlqente ajo që servohej në restorantet e qyteteve të Amerikës. Disa u kënaqën tej mase kur i ramë në fije se ka restorante greke, që pak i ofrohej shijes së tyre.

Biden, me të dëgjuar fjalët e Dacit, u ndal pak. Me buzëqeshje ia kapi atij dorën dhe i tha me zë shumë miqësor: “Miku im i dashur, si mik ju lus që të jeni të kujdesshëm me praninë ndërkombëtare në Kosovë. Po të largohet UNMIK-u në këto rrethana, edhe ushtarët amerikanë do të largohen nga Kosova”. Pastaj dha këshilla që prania ndërkombëtare të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë për të arritur sukses Kosova derisa të mos jetë gati të qëndrojë në këmbët e veta.

Ky takim m’u kujtua edhe si dëshmi e një fakti tjetër. I mbështetjes dypartiake amerikane për Kosovën. Vetë Biden, si demokrat, ishte ftuar ta takonte kryetarin e Kuvendit të Kosovës nga një republikan, siç ishte Dioguardi. Dhe Biden po ashtu tha se kur është fjala për Kosovën nuk ka dallim mes republikaneve dhe demokratëve.

Dhe kjo vazhdoi deri para disa muajsh, derisa nuk dolën idetë për shkëmbim territoresh me Serbinë, derisa në lojë nuk hyri ambasadori i Trumpit, Richard Grenell. Pas kësaj, vetë Kosova nisi të ndikojë që të ndaheshin miqtë e saj, edhe ata në Evropë, por edhe ata në Amerikë.

Këto ditë do të dalin shumë politikanë, dhe jo vetëm, të Kosovës që do të gjejnë foto me Jos Bidenin. Dhe nuk do të jetë e vështirë. Sepse për nga natyra ishte njeri shumë i hapur, i gatshëm të ndalet dhe flasë me këdo. Me Kosovën pati shumë lidhje, si politike ashtu edhe personale, sepse në Kosovë shërbente edhe i biri i tij i ndjerë. Por kosovarët duhet ta kuptojnë se mbështetja e tij, dhe e Amerikës, nuk është gjithmonë e pakushte. Nuk ka dyshim se është krijuar miqësi. Por kjo miqësi mund të shuhet shpejt. Kosova nuk e ka pasur mbështetjen amerikane vetëm pse ka miqësi mes dy shteteve apo mes dy popujve. Amerika asnjëherë nuk i ka konsideruar armiq as serbët. Por Kosova ka pasur mbështetjen e Bidenit dhe të tjerëve në Amerikë, sepse Kosova ka pasur të drejtë. Sepse ka bërë një luftë të drejtë. Dhe ka qenë viktimë. Dhe nuk duhet harruar kurrë kontributi i shqiptarëve të Amerikës.

Le ta provojë Kosova të largohet nga orientimi perëndimor. Le ta provojë Kosova të tolerojë radikalizmin, krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe do ta shohë se sa shpejt do të humbin miqtë, siç janë humbur tashmë disa. Duhet kujtuar kohën kur Kosova përgatitej të shpallte pavarësinë e Biden shkroi një editorial në mbështetje të kësaj pavarësie. Ai tha se Kosova do të jetë një shembull se si edhe në një vend me shumicë myslimane është e mundshme demokracia. Dhe Biden gjithmonë ka kërkuar nga Kosova që të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, të respektojë të drejtat e njeriut dhe të pakicave, të avancojë në integrimet euroatlantike dhe të jetë e angazhuar edhe në dialog me Serbinë. E ka bërë këtë në mënyrë miqësore e pa ndonjë interes personal dhe pa presione që Kosova të pranojë diçka në dëm të saj, siç u detyrua të pranojë në fund të mandatit të Trumpit.

Biden me siguri e njeh rajonit më shumë se cilido politikan tjetër amerikan. E Kosovën në veçanti. Por si president, Biden nuk do të ketë kohë të merret me Kosovën. Do të duhet tash ta pajtojë Amerikën, t’i tejkalojë ndasitë që në atë shtet i ka krijuar paraardhësi i tij. Të forcojë besimin në sundimin e ligjit, në vlerat e demokracisë, lirisë së shprehjes. Fjalia e tij më e fuqishme pas fitores ishte se Amerika “nuk do ta ndjekë shembullin e fuqisë, por fuqinë e shembullit”. E për të gjithë ne është e domosdoshme një Amerikë e fortë dhe një Amerikë si shembull. Një Amerikë e cila mbron vlerat e demokracisë e jo një Amerikë e cila ka simpati për diktatorët. Një Amerikë, presidenti i së cilës do të vazhdojë ta mbështesë edhe BE-në dhe të jetë lider në botë me mbështetje të aleatëve evropianë, e jo një Amerikë e cila do të punojë kundër aleatëve. Një Amerikë e tillë na ka munguar në katër vjetët e shkuar.

Edhe në kohën e mandatit të Trumpit ka pasur në Departamentin e Shtetit njerëz racionalë, të cilët nuk i kanë pëlqyer idetë e ndarjes së Kosovës dhe ide të tjera të dëmshme jo vetëm në Kosovë, por edhe në pjesë të tjera të botës. Disa të tillë edhe e kanë mbijetuar këtë periudhë dhe kanë mbetur në Departamentin e Shtetit. Por edhe ata mendojnë se Kosova duhet të bëjë kompromise me Serbinë. Ndoshta në formën e një statusi special për veriun. Por ata do të jenë të gatshëm të dëgjojnë edhe argumente nga kosovarët. E Kosova ka nevojë prapë për mbështetjen amerikane, sepse BE-ja nuk ka as fuqinë e as guximin e gatishmërinë për ta detyruar një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. E ka dëshmuar këtë për dhjetë vjet e po e dëshmon edhe tash me ndërmjetësimin e udhëhequr nga Miroslav Lajçak. SHBA-ja do ta mbështesë BE-në dhe do t’ia njohë asaj rolin kryesor në dialog edhe me administratën e Bidenit. Por kjo mbështetje do të jetë më racionale, duke kërkuar respektim edhe të Kosovës, e jo vetëm për të shtyrë marrëveshje të çuditshme.

Shumë gjëra, megjithatë, nuk do të ndryshojnë. Për shembull, Kosova do të duhej ta ketë ambasadën në Izrael, në qytetin e Jerusalemit. Sepse Biden ka thënë se ai do ta mbajë Ambasadën amerikane atje. Pse të mos jetë Ambasada e Kosovës aty ky është edhe e Amerikës. Nëse kjo do ta pengojë BE-në, atëherë edhe BE-së mund t’i premtojmë se në momentin kur të jemi afër për t’u anëtarësuar në BE, do të mbështesim edhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme. Sepse BE-ja e ka dëshmuar se e shpërblen Serbinë, e cila në shumicën e rasteve është në anën e kundërt të BE-së me qëndrimet në politikën e jashtme, ndërsa nuk e shpërblen, për shembull, Shqipërinë, e cila ka 100 për qind përshtatje me politikën e jashtme të BE-së.

Por me Bidenin në krye SHBA-ja do ta kenë një qeveri më stabile, ku njerëzit kryesorë nuk do të ndërrohen muaj pas muaj sipas qejfit të presidentit. Dhe kjo do ta kthejë një qasje të parashikueshme në politikën e jashtme të Amerikës që do të jetë e mirë për tërë botën, për Evropën dhe për Kosovën po ashtu.

Për dallim nga takimi i Bidenit me Dacin në vitin 2001, Kosova tash është e pavarur, dhe administrata amerikane do ta çmojë po ashtu nëse Kosova do të dëshmojë më shumë pjekuri si shtet i pavarur. Të mos veproj kundër këshillave të miqve për çështje vitale, por jo edhe të kërkojë ndërhyrjen amerikane për çështje të imëta të brendshme sa herë që dikush të mendojë se kjo i shkon në favor.