OpEd

Kundër eksperimenteve të reja në qorrsokakun e vjetër

Pjekuria politike nuk është mall që blihet në pazar. Duhet të ekzistojë. Duhet të ketë politikanë që janë të pjekur dhe shohin përtej ambicies së çastit. Një rezyme mbi ngjarjet e fundit.

■ Ende pa u vendosur në qelitë e tyre në Hagë katër politikanë të Kosovës, tre prej të cilëve kanë mbajtur poste të larta shtetërore, disa zëra nga partia AAK nguten dhe thonë se president duhet të jetë Ramush Haradinaj. Kjo melodi është dëgjuar qe disa muaj, por në situatën e tanishme delikate në të cilën gjendet vendi ajo tingëllon edhe më çuditshëm. Parimisht, është krejt në rregull që një politikan të ketë ambicie. Por në rastin e Haradinajt ekziston ky problem: para më shumë se një viti, në korrik 2019, ai me lot në sy dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe shkoi në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Ky kapitull nuk është mbyllur ende. Nuk dihet kur do të mbyllet. Rrjedhimisht, Kosova nuk e ka luksin të ketë president edhe një person që nesër sërish mund të ftohet në Hagë qoftë edhe si dëshmitar, e lëre më si i akuzuar. Çka atëherë? Përsëri dorëheqje? AAK dhe Haradinaj duhet të lënë anash eksperimentet e reja në qorrsokakun e vjetër. Postet e larta shtetërore nuk mund të përdoren si mburoja për të siguruar gjoja mbrojtje apo për kënaqje të ambicieve të çastit pa i menduar pasojat eventuale. Është detyrë dhe obligim i partive të gjejnë një kandidate apo kandidat për president që i plotëson kushtet pikësëpari ligjore dhe etike për këtë post të lartë. Kjo mund të bëhet më së miri pas një procesi të ri elektoral. Ndryshimet e mëdha politike në Kosovë pas goditjes nga Gjykata Speciale kërkojnë verdikt të ri popullor, jo eksperimente. Sepse eksperimenti me vota të mesnatës për të siguruar shumica parlamentare e ka sjellë Kosovën këtu ku është sot. Po ashtu duhet të ketë një pajtueshmëri bazike mes partive që presidenti nuk mund të vijë nga partitë që janë kryesisht rajonale dhe fuqinë elektorale nuk e tejkalojnë përtej 10 për qind. E drejta e propozimit do të duhej t’u takonte dy partive më të mëdha në vend. Gjithsesi, kjo kohë kërkon pak më tepër pjekuri se ngarendja për t’u rehatuar në kolltuk që shpejt mund të bëhet i parehatshëm. Haradinaj ka dhënë dy herë dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të veprimeve të drejtësisë. Ai duhet ta kursejë veten dhe Kosovën nga një dramë e re, e cila s’mund të përjashtohet për aq kohë sa nuk ka një mbyllje përfundimtare të hetimeve ndaj tij.

■ Pas Raportit të Këshillit të Evropës më 2010, të apostrofuarit do të duhej të ishin larguar vullnetarisht nga skena politike duke i vënë kusht bashkësisë ndërkombëtare që trajtimi i akuzave të bëhet në Prishtinë nga një gjykatë vendore, eventualisht e përbërë edhe me gjykatës perëndimorë. Ka qenë vendim i të apostrofuarve për të ndjekur një rrugë tjetër. Ka qenë vendim i tyre (apo naivitet?) të thonë se janë të hapur për hetime ndërkombëtare, pa i menduar pasojat. Është nënçmuar rrezikshmëria e procesit që nisi me Raportin e Këshillit të Evropës, që pastaj përfundoi në duart e një hetuesi amerikan, i cili nuk mund të akuzohet se është kundërkosovar. Tash kur mbi këtë periudhë ka rënë pluhuri i harresës, shumë njerëz pendohen pse nuk kanë bërë kështu apo ashtu, por tash është vonë. Dhe ja ku është Kosova sot. Dhe ja ku janë sot të apostrofuarit nga Raporti i Këshillit të Evropës. Largimi nga skena politike deri në sqarimin e akuzave nga drejtësia vendore do ta kishte vënë bashkësinë ndërkombëtare nën presion. Moslargimi bëri që bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin për themelimin e një gjykate të veçantë, ndërkombëtare. Më 2011, kur doli raporti tjetër i Këshillit të Evropës për kërcënimin e dëshmitarëve, në Kosovë flitej për dialogun me Serbinë, liberalizimin e vizave, integrimet evropiane. Raporti nuk u mor seriozisht.

■ Megjithatë, shtetet perëndimore, të cilat janë bashkëthemeluese të shtetit të Kosovës, u kujdesën për dy gjëra: më 2010 juristët më të shkathtë të shteteve perëndimore, në bashkëpunim me delegacionin kosovar, ia siguruan Kosovës një fitore para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Instanca më e lartë juridike e OKB-së ia vuri edhe një vulë të rëndësishme pavarësisë së Kosovës. Me angazhimin e tyre shtetet perëndimore e mbrojtën investimin e tyre strategjik në shtetbërjen e Kosovës dhe kosovarëve u dërguan një sinjal të fuqishëm se është detyrë e tyre të jenë më seriozë në ndërtimin e shtetit. Gjëja tjetër për të cilën u kujdesën ndërkombëtarët ishte që të mos ketë “gjykatë speciale” të themeluar nga OKB, ku do të punonin prokurorë, hetues e gjykatës nga Rusia, Kina dhe vende të tjera që, po të varej prej tyre, Kosova nuk do të ishte as e çliruar, as shtet. U themelua një gjykatë e bazuar në ligjet e Kosovës, por e përbërë me personel perëndimor, me personel që vjen nga shtetet që së paku nuk janë armike të Kosovës, e disa prej këtyre shteteve janë mike të Kosovës dhe kanë interes të madh që Kosova të ketë sukses si shtet, sepse është investim edhe i tyre. Janë disa shifra e ngjarje që e ilustrojnë investimin perëndimor: 78 ditë bombardime, 50 mijë ushtarë të stacionuar në Kosovë më 1999, ende mijëra ushtarë të pranishëm për ruajtjen e paqes, pa folur këtu për ndihmat financiare dhe tërë procesin që çoi në shpalljen e pavarësisë. Mund të ketë trima pas betejës që mendojnë se Kosova do të ishte çliruar edhe vetë. Po, ndoshta ishte çliruar – veçse jo me 10 mijë viktima civile, por me mbi 100 mijë. Kujt nuk i dhimbsen njerëzit, flet lehtësisht për luftë, sidomos pas luftës.

■ Këto ditë ithtarët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë “popullarizuar” nëpër rrjetet sociale një shënim në Facebook të ish-presidentit Hashim Thaçi, ku ai më 2015 akuzonte deputetët që nuk e votuan Gjykatën Speciale. Gjuha që mund të ketë përdorur Thaçi atëherë ndoshta nuk ka qenë më e duhura, por vendimi i tij për të përkrahur themelimin e këtij instrumenti juridik është bërë për të evituar dëme edhe më të mëdha për Kosovën. Së paku këtë meritë duhet t’ia pranojnë kundërshtarët e tij politikë, pa marrë parasysh se çka mendojnë për pjesën tjetër të trashëgimisë së tij politike. Fundja, elegjitë shumëvjeçare të rivalëve të tij politikë se Thaçi e themeloi gjykatën për t’i dorëzuar shokët dhe shpëtuar veten, u rrëzuan si kulla prej letre. Tepër i “popullarizuar” në botën digjitale është bërë edhe një fjalim fluturues i Albin Kurtit, në të cilin ai nga karrigia e deputetit thoshte se nëse vjen në pushtet, nuk ia dorëzon askënd Gjykatës Speciale. Nga opozita flitet me lehtësi. Nga pushteti e pamë që Kurti ra brenda 100 ditësh – dhe kjo ndodhi pas presionit të një këshilltari të Donald Trumpit, një deklarate mesnatore të një ministri të LDK-së, lojërave përherë efektive politike të Hashim Thaçit, por edhe mosgjeturisë së Kurtit. Mund të merret me mend se sa i madh do të ishte presioni nga shtetet perëndimore nëse Kosova do të kishte një qeveri që shitet azgane në sabotimin e ligjeve dhe institucioneve që i ka miratuar vetë. Pjekuria politike nuk është mall që blihet në pazar. Duhet të ekzistojë. Duhet të ketë politikanë që janë të pjekur dhe shohin përtej ambicies së çastit.

■ Një gjë duhet thënë qartë dhe menjëherë: Deklarata e Kadri Veselit para shkuarjes në Hagë ishte dinjitoze: “Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Specialen s’e shoh si fyerje, por si mundësi për t’iu dhënë fund thashethemeve”. Kjo deklaratë tregon se Veseli është politikisht më i pjekur se ata që bëjnë sikur kanë muskuj të sabotojnë drejtësinë. A është kjo drejtësi pa asnjë njollë? Jo, s’mund të jetë. Por kur 20 vjet një shoqëri përballet me vrasje politiko-etnike, kur zhduken apo vriten dëshmitarë potencialë, kur dëshmitarët kërcënohen dhe denoncohen si tradhtarë dhe heshtja vazhdon, atëherë, një ditë, bashkësia ndërkombëtare e prezanton faturën. Në atë faturë mund të ketë edhe të pavërteta. Por shansi i vetëm për t’i rrëzuar ato është gjykata. Nëse ndokush ka menduar se Gjykata Speciale themelohet dhe mbyllet pa akuzuar askënd, atëherë kjo tregon naivitet kolosal. Por kjo nuk do të ishte hera e parë që disa njerëz bien viktimë e naivitetit të tyre të përzier me emocione e shfryrje “patriotizmi të kafehaneve”. Ky lloj “patriotizmi” duhet të zëvendësohet me patriotizëm që beson në ligj, në Kushtetutë dhe institucione. Të shpresojmë që një shtet të tillë funksional do ta gjejnë kur të kthehen nga Haga edhe ata që aktualisht u detyruan të shkojnë atje. Beteja juridike e tyre mund të jetë e gjatë, por jo më pak se njëherë është dëshmuar se disa procese mund të përfundojnë me kthesa të (pa)pritura: Fatmir Limaj është liruar njëherë në Hagë, Ramush Haradinaj dy herë, gjenerali kroat Ante Gotovina është liruar në instancën e dytë. Ndërsa të akuzuarit nga Kosova vazhdojnë betejën e tyre juridike, politikanët e Kosovës duhet të kuptojnë një gjë: kriminelët e luftës që shëtisin të lirë në Serbi nuk do të dënohen me apele në Facebook dhe me deklarata vajtuese, por vetëm me ofensivë diplomatike, me punë sistematike dhe serioze. Parakusht për këtë është ndërtimi i një shteti funksional. Jofunksionaliteti e ka sjellë Kosovën këtu ku gjendet sot.