Vështrime

Paul Parin – një partizan nga Zürichu në humnerat e Ballkanit

Si mjek i ri Paul Parin braktisi Zürichun dhe iu bashkua luftës antifashiste të partizanëve në Jugosllavi. Në vitet ‘90, kur tashmë ishte njëri prej intelektualëve më të njohur të Zvicrës dhe gëzonte reputacion ndërkombëtar, Parin u bë mbrojtës i madh i të drejtave të shqiptarëve, sllovenëve dhe kroatëve, të cilët po rrezikoheshin nga hegjemonizmi serb – i cili fillimisht ishte ndihmuar edhe nga nacionalistët malazezë

Në epokën e Perandorisë së Habsburgëve qyteti i Triestes ishte qendër e tregtisë, kulturës transnacionale, nyjë e transportit detar dhe hekurudhor. Këtu bashkoheshin rrugët e shumë njerëzve. Në Trieste ka lindur aktori i famshëm shqiptaro-hebraik, Aleksandër Moisiu, po aty një rrugë mban emrin e inxhinierit të famshëm me origjinë shqiptare, Karl Gega, i cili projektoi hekurudhën e Semmeringut, njërën ndër veprat më të rëndësishme arkitektonike të shekullit ‘19, e cila mundësoi lidhjen e Vjenës me qytetet italiane me dalje në Adriatik, si Venediku dhe Trieste.