Vështrime

Popullisti agresiv nga Lubjana

Nuk është befasi që kryeministri slloven Janez Jansha, i dyshuar vazhdimisht për korrupsion, përkrah Donald Trumpin për president të SHBA-ve. Por këtë përkrahje ai po e shoqëron edhe me sulme primitive kundër Joe Bidenit dhe me polemika. Një shembull se si helmi i popullizmit depërton edhe në shtete që dikur ishin shembuj të mirë. Sllovenia e Janshës tani është shembull i keq.

Në Jugosllavinë socialiste Sllovenia, republika më veriore e shtetit shumëkombësh, gjithmonë ka qenë avangardë. Frigoriferët më të mirë (Gorenje!), pashtetat më të mira (Argeta!), ujin mineral me gjasë më të mirë (Radenska!), rrogat më të larta, ekonominë më të zhvilluar, skitë më të mira (Elan!), Cocta (versioni jugosllav i Coca Colas!), mediat më të mira (Mladina, Delo), politikanët më racionalë, madje edhe ata që vinin direkt nga Lidhja e Komunistëve të Sllovenisë, pjesë e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë.