OpEd

Moçali politik ballkanik

Përndryshe, pas arrestimit shtëpiak të kryetarit të Komunës së Istogut apo nënkryetarit të LDK-së, z. Haki Rugova, ca zëra shpirtligë kanë përfolur se Kryesia, si dhe vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, janë duke shikuar se si ta sfidojnë sistemin me afishimin e parullave irredentiste dhe separatiste të radhës, "Kosova Republikë, ose hazër ose fikë se fikë" nëpër godinat e ndryshme qeveritare dhe të pushtetit

Edhe pse jemi në fillet e stinës së vjeshtës, si dhe po i afrohemi asaj të dimrit, kabllogramet diplomatike sa vijnë e bëhen më të nxehta në këto ditë të ftohta vjeshte.

Medoemos nxehtësia më e madhe e kabllogrameve do të arrihet më 3 nëntor, atëherë kur zgjedhjet presidenciale në Amerikë do ta zgjidhin një nyje të krijuar qoftë në sferën e gjeopolitikës globale, qoftë asaj vendore amerikane.

E kur gjithë kësaj t'ia shtosh edhe pandeminë Covid-19, gjërat nuk kanë si të jenë më ters për të gjithë politikanët anembanë globit.

Në Britaninë e Madhe javëve të fundit shihet një rritje në numrin e të infektuarve me Covid-19. Kjo ka bërë që Qeveria të ndërmarrë masa të reja parandaluese për përhapjen e mëtejshme të virusit. Kësaj radhe masat janë të ndara varësisht nga niveli i përhapjes së virusit dhe ai është ndarë në tri nivele, i ulët, i mesëm dhe i lartë.

Ditëve të fundit disa regjione në veri të Anglisë u radhitën në vendet me rrezikshmëri të lartë të përhapjes së virusit, si p.sh. Liverpooli, Birminghami etj. Atje erdhi deri te mbyllja e pubeve, restoranteve dhe të gjitha shërbimeve hoteliere në përgjithësi.

Në fakt, në Liverpool një turmë e madhe e të rinjve të pakënaqur me këto masa të reja nga ana e Qeverisë britanike dolën në rrugë dhe po festonin dhe protestonin kundër këtij vendimi.

Duke i lexuar dhe analizuar masat e reja, del në pah edhe arsyeshmëria mbrapa këtyre pakënaqësive të popullatës. P.sh. vendimi thotë se nëse pubet shërbejnë vetëm pije ato duhet të mbyllen, ndërsa nëse shërbejnë edhe ushqim ato mund të vazhdojnë që të punojnë duke i shërbyer klientët e tyre vetëm nëpër tavolina.

Thënë të drejtën, edhe unë për vete e kam të vështirë që ta kuptoj logjikën mbrapa këtij vendimi dhe ca masave të tjera.

Kabllogramin e nxehtë diplomatik të radhës, të cilin do ta veçoja në këto ditë të ftohta vjeshte, do të ishte tensionimi i vazhdueshëm i situatës midis Turqisë dhe Greqisë. Në fakt, ky tensionim është duke e arritur pikën e vlimit dhe nëse u referohemi retorikave të cilat po përdoren nga të dyja palët, shumë lehtë do të mund që të përshkallëzojë me një luftë ndërmjet këtyre dy aleateve të NATO-s!

Lexuesin e Ditarit tim do ta kisha lutur që paragrafin e fundit ta lexojë edhe një herë.

Si ka mundur që situata të arrijë deri në këtë pikë vlimi që dy shtete anëtare të NATO-s të armiqësohen aq shumë ndërmjet vete saqë mund të pëlcasë edhe një sherr midis tyre?

Kjo situatë gjithashtu e ka shpërfaqur edhe një ndarje tjetër, e cila gjithashtu po ndodh në heshtje në prapaskenë, ndarjen Evropë- Amerikë. E humbur diku në kakofoninë e fushatës zgjedhore presidenciale në Amerikë bota është e përçarë më shumë se kurdoherë më parë, dhe e gjitha kjo në të njëjtën kohë e mbuluar me vellon e zezë të pandemisë së Covid-19 me pasojat në jetët e qytetarëve, si dhe pasojat ekonomike të cilat kjo pandemi po i ngërthen pas vetes.

T’i kthehemi pak kënetës politike ballkanike.

Sapo lexova një artikull në gazetën prestigjioze "FORBES". Shkrimi nga Sebastien Roblin kishte të bënte me blerjen e dronëve modernë luftarakë nga Kina nga ana e Serbisë. Në fakt, Serbia do të jetë vendi i parë evropian i cili do t’i hapë dyert e veta për këta dronë luftarakë të prodhimit kinez. Përveç blerjes së tyre, marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kinës parasheh edhe ndërtimin e fabrikave ku dronët modernë luftarakë do të mund të prodhoheshin në Serbi!

E kam të vështirë të shoh se çfarë po bën Aleksandar Vuçiq në fushën ndërkombëtare diplomatike nga ana e tij dhe të mos bëj një analogji me presidentin e dikurshëm të Jugosllavisë, Josip Broz Tito. Ky po arrin që nga secili potez, të cilin e bën me palët ndërkombëtare, të arrijë që të fitojë diçka për Serbinë, ndërsa raportet me këto vende t’i ngrejë për një nivel më të lartë.

Vuçiqi arriti që nëpërmjet sharlatanëve politikë kosovarë të hyjë në Shtëpinë e Bardhë dhe raportet e ngrira midis Serbisë dhe Amerikës t’i ofrojë në një nivel tjetër. Fundja, diplomacia nuk është dashuri në sytë e bukur, por është mbështetje e vazhdueshme e interesave momentale dhe afatgjata të vendit të cilin ti e përfaqëson.

Vuçiqi gjithashtu ka arritur që gjatë gjithë kësaj kohe ta mbajë edhe aleatin e saj kryesor historik, Rusinë, përkrah vetes. Mirëpo është indikativ anulimi i vizitës së Putinit në Beograd. Këtë kabllogram diplomatik e lexova mbrëmë, mirëpo as midis rreshtash nuk arrita ta kuptoja se pse kishte ardhur deri te ky anulim i kësaj vizite.

Vuçiq gjithashtu edhe me Evropën ka arritur që ta luajë lojën e vet, e cila prej viti në vit arriti që narracionin e luftës në Kosovë ta kthejë në favor të saj, duke u kthyer tash në pozitën e viktimës apo duke i barazuar krimet e saja dhe aparatit të saj shtetëror me luftën e drejtë për mbrojtjen e vet të cilën e bëri Kosova ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vuçiqi gjithashtu ka arritur që Turqinë, si një lojtar me peshë në kënetën politike ballkanike, ta shndërrojë në partner dhe investitor të rëndësishëm ekonomik në tregun e saj.

Kompasi diplomatik serb, veri, jug, perëndim dhe lindje është kalibruar mirë dhe deri më tash është treguar funksional.

Por çfarë po ndodh me politikëbërësit shqiptarë të moçalit politik ballkanik?

Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi rishtas u kthye nga vizita e tij në Amerikë, për të cilën na cicëroi se do të kishte shumë takime me zyrtarë të departamentit të shtetit.

E gjitha çka pamë nga cicërimat e tija gjatë qëndrimit në Amerikë ishte vizita e tij në “Arthur's Avenue” të Bronxit në New York dhe vizita restorantit "Çka ka qëllu"!, tamam në stilin e tij të politikëbërjes çka ka qëllu e me kënd ka qëllu. Ndoshta prej aty ka vazhduar në po të njëjtën rrugë e deri te “Prince Coffee House”. “Ehhhh princi, që do të thoshte reklama famoze!”

Përndryshe, taksapaguesit kosovar ky udhëtim i presidentit do t’i kushtonte më lirë sikur ai të dilte tek kafet e vogla në Prishtinë. Vizitat dhe takimet të cilat i ka zhvilluar në Amerikë ka mundur që t’i bëjë edhe tek kafet e vogla, me shumë komoditet.

Kryeministri Avdulla Hoti në anën tjetër nga Beogradi merr kërcënime se Lista Serbe, njëri nga partnerët e tij të koalicionit qeverisës, do të dalë nga Qeveria po qe se nuk formohet Asociacioni i Komunave Serbe.

Në deklaratën e tij të djeshme për media, kryeministri Hoti deklaroi se ai nuk mund të kërcënohej nga askush dhe në asnjë kohë! E bukur kjo në vesh të publikut shqiptar kosovar, por sa kohë do të mbijetojë si deklaratë e tillë e që të mos përcillet nga një veprim diametralisht i kundërt nga i njëjti akter, mbetet të shihet.

Përndryshe kokëtimat me PDK-në, partnerin e heshtur qeverisës, por nën hijen e partisë opozitare vazhdojnë si asnjëherë më parë. Tani lutjeve për vardisje i është shtuar edhe zëri i AAK-së, e cila e fton PDK-në që të hyjë në koalicionin qeverisës në mënyrë që të rikthehen kujtimet e qeverisjes së trileqës së quajtur PAN.

Por në të njëjtën kohë AAK-ja e kërcënon LDK-në se po qe se nuk zgjidhet Ramush Haradinaj për president, këta do të dalin nga koalicioni qeverisës. Është interesant se si funksionon kjo trileqja politike kosovare e edhe më interesant se si ende dikush me mend në kokë ua jep votën e tyre helaçeve të tilla politike.

Përndryshe, pas arrestimit shtëpiak të kryetarit të Komunës së Istogut apo nënkryetarit të LDK-së, z. Haki Rugova, ca zëra shpirtligë kanë përfolur se Kryesia, si dhe vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, janë duke shikuar se si ta sfidojnë sistemin me afishimin e parullave irredentiste dhe separatiste të radhës, "Kosova Republikë, ja hazër ja fikë se fikë" nëpër godinat e ndryshme qeveritare dhe të pushtetit.