OpEd

Pse tatimet e Trumpit janë thirrje për veprim

Për një sistem më të barabartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për një kod më të thjeshtë dhe më të drejtë tatimor 

Kur ame - ri kanët mësuan kohë më parë se sa pak taksa ka paguar presidenti Donald Trump gjatë 15 vjetëve të fundit dhe si ka përfituar ai nga manovrat financiare, kjo gjë e përforcoi besimin e gjithmbarshëm se të kamurit nuk paguajnë hise të drejtë.

I përhumbur në gjithë këtë zemërim është fakti se dispozitat tatimore, që e lejuan Trumpin t’i hynte gërshërë faturës së tij tatimore, sipas të gjitha gjasave, nuk ishin të paligjshme apo rezultat i skemave tatimore të sajuara prej ligjvënësve antitatim.

Këto dispozita dhe shumë të tjera sikurse këto e ofruan pikërisht atë që hartuesit e tyre synonin: Ato janë projektuar për t’u sjellë përfitime llojeve të caktuara të taksapaguesve – dhe shumica e amerikanëve nuk janë mes tyre. Ekzistojnë shumë vizione aspiruese për kodin tatimor. Nëse i juaji është egërsisht kompleks, kod 2.600-faqesh me rregulla e frustrim, atëherë ju fitoni, për shkak se kjo nuk është ajo që ne kemi tani.

Nëse e mëtoni një kod federal tatimor që konsiston me rekord arkeologjik politikash të interesave të veçanta, formësuar herë pas here me dhurime të mbuluara me petkun e përmbushjes së synimeve shoqërore, si subvencionimi i përkujdesjes për fëmijë, amvisëri, përkujdesje shëndetësore, arsimim dhe tutje, ju fitoni sërish. Por nëse vizioni juaj është një sistem më i barabartë që në fakt mund të zbatohet nga Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave (IRS), atëherë ajo çfarë përnjëmend na nevojitet është një kod më i thjeshtë dhe më i drejtë tatimor.

Disa prej rregullave aktuale janë të mira, por shumë të tjera përkojnë me dhurime politike për interesa të posaçme. Të dalluarit e këtyre rregullave është faktikisht punë më e zorshme sesa që duket, por ka disa vende specifike prej ku mund të niset. Përfituesit e ndërlikueshmërisë së kodit tatimor janë individët që qëndrojnë mirë dhe kanë lidhje të forta, si dhe korporatat që punojnë fort për të krijuar dhe zgjeruar boshllëqe – dhe që mund t’ia ofrojnë vetes luksin e angazhimit të kontabilistëve që mund të nxjerrin avantazhe nga ndërlikimet. Politikanët, të shpërblyer me kontribute të fushatave, janë po ashtu përfitues të qartë. Kjo gjë rezulton me mijëra kredi tatimore, zbritje dhe norma speciale tatimore, përshirë ato që përdori Trumpi. Humbësit janë po ashtu amerikanët, të cilët nuk e kanë as idenë se çfarë ka në kodin tatimor dhe shpenzojnë kolektivisht rreth tetë miliardë orë në vit, në përpjekje për të qenë në rregull me kërkesat tatimore.

Një vend i mirë për t’u nisur është thjeshtëzimi që i heq qafe privilegjet tatimore garantuar interesave speciale politike. Listimi i gjithë atyre do të ishte një detyrë e pamundur, por ka kandidatë për eliminim që gëzojnë të paktën një shkallë të mbështetjes partiake. Që nga viti 1913, interesimi për letrat komunale me vlerë të lëshuara nga qeveritë shtetërore dhe lokale janë përjashtuar nga taksimi federal i të ardhurave. Është ky boshllëku i parapëlqyer i taksapaguesve të kamur, të cilët investojnë në të. Është edhe qejf për Wall Streetin, i cili përfiton prej të gjitha emetimeve dhe tregtimeve të letrave komunale me vlerë. Heqja qafe e të paktën njërës prej këtyre zbritjeve është gjë e vështirë.

Zbritja e taksave shtetërore dhe lokale (apo SALT) i zbret përfitimet kryesisht për taksapaguesit me të ardhura të ulëta. Madje shumë demokratë, të cilët janë të ngutshëm në ankesa për që të pasurit nuk paguajnë hise të drejtë tatimore, e mbështesin atë fuqishëm. Në një përjashtim të rrallë, akti republikan i reformës tatimore të 2017-s i mbuloi zbritjet e SALT-it në 10.000 dollarë (më herët, më shumë se 88 për qind e përfitimeve u rrodhën personave me të ardhura që kalojnë vlerën prej 100.000 dollarësh). Por lufta nuk ka mbaruar. Pakot e ndihmës për COVID-19, të miratuara në Dhomën demokrate, përfshijnë një shfuqizim të përkohshëm të tavanit prej 10.000 dollarësh të SALT-it; nuk ishte ky tentimi i vetëm i demokratëve për t’u ofruar një ulje tatimore prej miliarda dollarësh amvisërive me fitime të larta – senatori Chuck Schumer nga New Yorku ishte pjesë e një përpjekjeje të ngjashme gjatë fillimit të këtij viti. (Negociatat lidhur me pakon e re të ndihmave që mund apo nuk mund të përfshijë zbritjen e SALT ende vazhdojnë).

Megjithëkëtë, thirrjet për t’u dhënë fund të gjitha zbritjeve tatimore, kredive dhe përjashtimeve mund të jenë po ashtu problematike. Në disa raste, ato që duken si “dhurime” për bizneset – si kthimi për humbjet, i cili u lejon atyre që t’i sheshojnë faturat tatimore për shumë vjet – faktikisht e përbëjnë një politikë të mirë. Në rastin e Trumpit, publiku nuk di mjaftueshëm sa të dallojë nëse ai ka abuzuar me këtë përjashtim apo nëse është thjesht një afarist i tmerrshëm. Por ne nuk do të donim t’i vendosnim tatime një biznesi që ka gjeneruar 1 milion dollarë profit këtë vit po qe se ka humbur 1 milion dollarë gjatë dy vjetëve të mëparshëm. Meqë ende po humbet para në përgjithësi, atëherë do të duhej të jetë në gjendje që t’i mesatarizojë fitimet. Dhe nuk do të donim që t’u vendosnim tatime sipërmarrësve dhe atyre që porsa i nisën bizneset e tyre me normë më të lartë sesa që kemi tatimuar bizneset veçse të themeluara, si “Amazon” dhe “Walmart”. E njëjta vlen edhe për ata që supozojnë se është lehtë të dihet se cilat shpenzime biznesesh janë të pranueshme apo të refuzueshme. Për shembull, nëse shefi ekzekutiv i një kompanie fluturon në Paris për një takim me klientët të premten, por vendos që të qëndrojë për fundjavë si turist, atëherë duket si gjë e gabuar që këtij personi t’i zbritet kostoja për netët shtesë të kaluara në hotel. Por çfarë nëse kostoja e qëndrimit për fundjavë është në fakt më e ulët sesa kostoja e qëndrimit për vetëm një natë? Cila do t’i zbritej shefit? Apo si do të mund ta dallonim ne koston e rregullimit të flokëve dhe grimit të një prezantueseje televizive prej kostos së një stilisti flokësh për çdo ditë? Pa marrë parasysh se cili është sistemi tatimor, për aq kohë sa u vendosen tatime bizneseve, zbërthimi i asaj se çfarë llogaritet si shpenzim legjitim dhe çfarë jo shpesh do të krijojë sfida. Po, do të ketë edhe abuzime, por alternativat për këtë model janë gjithashtu të prira që të jenë katastrofale.

Dhe shtysat për të përfituar nga preferencat (dhe shtysa e lobistëve për t’i krijuar ato) janë më të mëdha kur normat tatimore rriten – gjë kjo që Joe Bideni dhe ekipi i tij duhet ta kenë parasysh në rast se do të jenë në udhëheqje, vitin e ardhshëm. Kodi im ideal tatimor do t’i eliminonte tatimet për të ardhurat dytësore – vënien e tatimeve për të njëjtin dollar të ardhurash, dy herë (apo edhe më shumë). Ja një shembull tipik: Vendosja së pari e tatimeve në të ardhura të korporatës nëpërmjet taksave për të ardhura të korporatave dhe së dyti nëpërmjet taksave për të ardhura individuale për dividendët dhe përfitimet kapitale. Kodi im i taksave do të rikthente “ekuitetin horizontal”, që do të thotë se taksapaguesit që gjenerojnë të njëjtat të ardhura të paguajnë shumën e njëjtë për tatim. Kjo gjë do ta zgjeronte po ashtu bazën tatimore dhe të ulte normat. Shumë prej këtyre synimeve mund të arrihen me anë të eliminimit të preferencave në tatime që anojnë kah favorizimi i grupeve të interesit me lidhje politike. Në fund, ky kod i tatimeve nuk do të përdorej për stimulimin e sjelljeve të caktuara, gjë kjo që është një mënyrë e dobët për përmbushjen e këtyre synimeve. Nëse duam që t’i inkurajojmë objektivat e caktuara, le të bëhet atëherë kjo në mënyrë transparente, me anë të subvencioneve. E vërteta e trishtë është se ne kurrë nuk do të kemi një debat të sinqertë lidhur me tatimet për aq kohë sa nuk pranojmë se kodi i tatimeve është një produkt jo i përkryer i politikave dhe se ato duhet të reformohen nëpërmjet procesit politik.

(Veronique de Rugy është anëtare e lartë studiuese në qendrën “Mercatus” të Universitetit George Manson. Ky vështrim është botuar në të përditshmen amerikane “New York Times”)