Vështrime

Nuk duhet të ketë kompromis për çështje të krimeve të luftës

Është skandaloze se si as Kosova e as BE-ja nuk e konsiderojnë si skandaloze kërcënimin që zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ua bëri atyre që tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët nëpër Serbi. Në një shtet normal ai do të arrestohej. Edhe ndonjë gjykatë ndërkombëtare, Speciale apo jo, do të kërkonte masa ndaj tij. Vetëm t’i dënosh “deklaratat që nuk shkojnë drejt pajtimit dhe fqinjësisë së mirë” nuk mjafton. Krimet ndaj civilëve shqiptarë u bënë me qëllim, kufomat u bartën dhe u varrosën në Serbi në varreza masive me qëllim për t’i fshehur gjurmët e krimeve, ndërsa edhe kërcënimet për ata që tregojnë ku janë ato varre janë bërë me qëllim. Prandaj, kjo kërkon një përgjigje më të prerë

Javën që shkoj u raportua shumë për raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në media natyrisht më së shumti vend zuri kritika e BE-së ndaj të gjitha vendeve të rajonit se nuk kanë bërë sa duhet për t’i luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, se nuk i kanë reformuar as sistemin e drejtësisë e as administratën publike. Për habi, me disa përjashtime, të gjitha shtetet e rajonit morën një notë të mirë për bashkëpunimin rajonal dhe u vlerësua se ky është një prioritet edhe për këto vende, edhe për Bashkimin Evropian.