Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë, Shkup, Tiranë. Gjashtë kryeqytete të Ballkanit Perëndimor, në zemër të Evropës, veçse udhëtimi dhe tregtia mes tyre dhe për në kryeqytetet e tjera të Evropës zgjat dy herë më shumë sesa mes qyteteve që i ndajnë distanca shumë më të largëta. Sidoqoftë, të qenit të lidhur është vendimtar: për jetën e njerëzve, për bizneset dhe për ekonomitë e rajonit, aq më tepër tani kur duhet ta përforcojmë rimëkëmbjen pas pandemisë COVID-19. Për më tepër, hendeku i zhvillimit ekonomik ndërmjet rajonit dhe BE-së duhet të mbyllet më shpejt, çka do të përshpejtojë edhe procesin e integrimit të vendeve në BE.
Këto janë arsyet kryesore pse këtë javë Komisioni Evropian ofroi një plan ekonomik dhe të investimeve në shkallë të gjerë për Ballkanin Perëndimor. Ky plan parashikon të mobilizojë deri në 9 miliardë euro financime për projekte madhore të investimeve në fushat e transportit, energjisë, transicionit të gjelbër dhe digjital, për të krijuar rritje afatgjatë dhe vende pune. Për më tepër, ai synon të nxisë kapacitetin investues të rajonit falë një instrumenti të ri të garancive për Ballkanin Perëndimor, me ambicien për t’i rritur investimet deri në 20 miliardë euro.
Neve na duhet një Ballkan Perëndimor i lidhur më mirë, si me rrugë ose hekurudha mes kryeqyteteve ose me Bashkimin Evropian, ashtu edhe përmes rrjetit brezgjerë (broadband) të internetit ultra të shpejtë. Unë kam bindjen e fortë se kjo do të ndihmojë në krijimin e ekonomive solide të tregut duke stimuluar fuqimisht dhe drejtpërdrejt tregtinë dhe investimet. Ne gjithashtu ofrojmë bashkëpunimin tonë në krijimin e një ekonomie të bazuar në dije, duke ndihmuar NVM-të, bizneset fillestare dhe industritë e hulumtimit dhe zhvillimit. Këto ekonomi duhet gjithashtu të punojnë për njerëzit: duhet të adresohet mospërputhja mes ofertës së shkathtësive dhe nevojave të tregut të punës, kurse ikja e trurit duhet të kthehet në qarkullim të trurit, sidomos mes të rinjve.
Plani po lanson edhe një Agjendë të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Transicionet e gjelbra dhe digjitale janë prioritetet e BE-së për rimëkëmbjen e vet, dhe ne duam ta mbështesim rajonin, në përputhje me realitetet në terren, kështu që Plani adreson problemin e ndotjes dhe në të njëjtën kohë krijon mundësi të qëndrueshme biznesi në mbarë ekonomitë. Do të ketë një fokus të fortë në dekarbonizimin, energjinë e pastër, mjedisin më të pastër dhe transformimin digjital, duke përfshirë vendosjen e rrjetit brezgjerë ultra të shpejtë.
Në largimin e shpejtë nga përdorimi të qymyrit, roli i transicionit në gaz është i një rëndësie vendimtare, krahas burimeve të ripërtëritshme. Largimi nga përdorimi i qymyrit mund t’i zvogëlojë në masë të madhe risqet aktuale ndaj shëndetit publik. Ne duam të sjellim gaz në Ballkanin Perëndimor për të krijuar diversifikim dhe për t’i zvogëluar varësitë, ndërkohë që zgjidhjet afatgjata klimatike si hidrogjeni mund të ndërtohen mbi këto baza.
Institucionet financiare ndërkombëtare janë të gatshme ta mbështesin Planin tonë ambicioz. Kjo mbështetje do të jetë vendimtare për të maksimizuar potencialin e madh të rajonit dhe për të siguruar përfitimet më të mëdha për qytetarët dhe ekonomitë.
Përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve, Komisioni synon të forcojë edhe dimensionin rajonal të bashkëpunimit tonë. Integrimi ekonomik rajonal mes gjashtë partnerëve nuk është një devijim nga rruga evropiane, por një mundësi reale ekonomike për të krijuar rritje, për ta kapërcyer krizën ekonomike të lidhur me COVID-19, për t’i modernizuar ekonomitë në përputhje me prioritetet e BE-së, dhe për t’i afruar ato më shumë me tregun e brendshëm të BE-së.
Plani Ekonomik dhe i Investimeve ecën krah për krah me reformat. Reformat, në veçanti për sundimin e ligjit, janë thelbi i procesit të zgjerimit, si dhe janë të nevojshme për ta mbështetur këtë plan, pasi ato rrisin besimin e biznesit dhe krijojnë një klimë më të mirë të investimeve.
Së bashku me Planin, Komisioni miratoi edhe Paketën e Zgjerimit 2020, duke vlerësuar reformat themelore në vazhdim në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke paraqitur rekomandime dhe udhëzime për hapat e ardhshëm për partnerët tanë. Zbatimi i tyre dinamik jo vetëm që do të prodhojë rezultate afatgjata, por edhe do të përshpejtojë përparimin në rrugën drejt BE-së.
E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Prej ditës së parë të mandatit të këtij komisioni, një pikë ka qenë shumë e qartë: rajoni është një prioritet kyç për ne. Ne jemi duke punuar pa u lodhur për ta afruar rajonin më shpejt me BE-në, duke ndjekur tre objektiva: gjallërimin e procesit të zgjerimit, hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe përshpejtimin e konvergjencës ekonomike me BE-në.
Për dy objektivat e parë janë hedhur hapa domethënës përpara, me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit dhe me vendimin nga shtetet anëtare për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, terreni për të cilin u hap nga propozimi i metodologjisë së rishikuar. Kjo ka treguar se BE-ja u qëndron në krah partnerëve të vet dhe i përmbush premtimet e veta.
Ne e përkrahëm rajonin edhe gjatë përhapjes së COVID-19, duke siguruar mbështetje thelbësore dhe të pashembullt, duke përfshirë ndihmën emergjente mjekësore dhe paketën financiare prej 3.3 miliardë eurosh për të adresuar pasojat e drejtpërdrejta të pandemisë.
Plani i ri është shtylla e tretë e qasjes sime. Ai jo vetëm që do të mbështesë rimëkëmbjen afatgjatë socio-ekonomike të rajonit dhe konvergjencën me BE-në, por edhe do të rrisë bashkëpunimin dhe tregtinë ndërrajonale dhe do të çlirojë potencialin e pashfrytëzuar ekonomik të rajonit. Me shumë rëndësi është se do ta konsolidojë rajonin si një qendër investimesh për kompanitë evropiane dhe do ta vendosë atë në hartën e investitorëve që kërkojnë të zvogëlojnë distancën me tregjet e BE-së dhe të diversifikojnë ofertën.
Këtë javë unë do të udhëtoj nëpër Ballkanin Perëndimor që ta prezantoj personalisht tek partnerët tanë Planin e ri Ekonomik dhe të Investimeve, si dhe vlerësimet vjetore. Shpresoj të marr mbështetje për zbatimin e Planit, si dhe përkushtim të qartë për reformat dhe bashkëpunimin. Këtë do ta arrijmë së bashku, duke synuar krijimin e një peizazhi të ri ekonomik dhe social brenda pesë vjetëve të ardhshëm.
(Autori është komisar për Fqinjësi dhe Zgjerim. Teksti është shkruar enkas për “Kohën Ditore”)