Në kujtim të atyre që nuk janë më, dhe në shenjë falënderimi për ata, pa të cilët nuk do të ishim këtu ku jemi...
Këtë javë po e bojkotoj politikën – boll mâ, se u bëmë përrallë me FSK e demarkacion, sondazhe e zgjedhje të parakohshme. Dhe motivin nuk ma humbin këta që përditë na i mbushin ekranet me pallavra e fjalë të mëdha. Shtytja për një rrëfim më ndryshe në këtë kohë është, përherë, fillimi i fundit të luftës në Kosovë: bombardimi i NATO-s. Përjetimet e atyre ditëve zor se do t’i harroj – një, pse ende i kam të ruajtura në kujtesë, dhe dy, sepse është pjesa e vetme e luftës, të cilën e kam shënuar në një lloj ditari. Përshkrimin e dy ditëve të para të bombardimit po e ndaj me ju.
24 mars
Yukie, tashmë e evakuuar në Shkup, thirri sërish: tha se do të ishte e gatshme të dilte në kufi për t’i pritur anëtarët e ekipit të UNICEF-it me familjet. Na kanë dhënë leje t’i përdorim veturat deri në Han të Elezit – për të tjerat do të përkujdeset ajo. I lypi emrat e të gjithëve që kanë me u nis.
Paniku na ka kapluar të gjithëve, sado që përpiqemi të mos e tregojmë. Fytyrat tona po flasin për ne. Prej ditësh u them se s’po më pëlqen ideja e qarkullimit me ato vetura nëpër Kosovën pa ndërkombëtarë dhe në këtë atmosferë të frikës. Ama djemtë kanë të drejtë – bile gratë e fëmijët le të shpëtojnë. Na tjerët, del ku të del. Hajde që po shkojnë deri në kufi, po qysh do t’ia bëjnë që të kthehen? Hala s’e kemi të qartë.
Luli shkoi në shtëpi, ende s’po di çfarë të bëjë. Blerimi shkoi në bankë, kurse Gazi shkoi që t’i paguajë taksat e kufirit. Mbeta duke i mbledhur shënimet e pasaportave dhe duke bërë luftë me lidhjen telefonike për ta nisur faksin. E thirra Dianën për ta pyetur nëse do të nisej edhe ajo me fëmijët. Më tha se kishte vendosur të qëndronte me prindërit. “A po ta merr mendja se kam bërë mirë?”, më pyeti. “Super ia ke bërë”, i thashë, e me vete mendova “E paske kënaq”.
Disi u mblodhën – Gazi e mori familjen e vet në njërën veturë. Fatmiri e mori veturën tjetër ku ishte vendosur familja e Lulit. Blerimi duhej me e marrë veturën e Kinderbergut, ku i punon gruaja. E çova poshtë deri në qytet. U përshëndeta me të – m’i la një kiamet letrash të bankës, disa palë çelësa dhe një përkujtim për vjehrrin: më 25 mars e kishte përvjetorin. Më luti që ta çoja në KOHA Ditore. U nisën më në fund.
U ktheva me shpejtësi në zyrë. Aty ishin dy rojat serbe që na i kishin sjellë “për siguri”. I lashë një palë çelësa në zyrën e shefes. E hoqa flamurin nga ndërtesa, i fika krejt kompjuterët dhe dritat dhe u nisa të dal nga zyra. Tek zbritsha shkallëve u dëgjua alarmi për sulme ajrore. M’u ngri gjaku. A thua po niste bombardimi bash qetash? Dhe po qe se po niste, a do të na bien bombat në qytet?
Tashmë u bë 2:30. Gazi e Fatmiri ende s’u kthyen. S’kisha pse me mbet në zyrë. U nisa për në KOHA Ditore për t’ia kryer amanetin Blerimit. E takova Larën. Me tha se s’kishte pasur fare përkujtime – askush nuk kishte ardhur në gazetë. A thua të gjithë kishin çuar duar dhe po mendojnë se nuk ka me pasë më gazetë? Një zot e di.
U nisa në shtëpi. Lifti ka shumë vjet që nuk punon. Me kompjuter dhe telefonin satelitor në krah shkallëve tenaltë. Në shtëpi s’e gjeta askënd. Mami me siguri ka shkuar me e marrë Vetonin prej redaksisë. Ndërkohë m’u lajmërua Gazi në radiolidhje e më tregoi se kishte pasur të shtëna dhe djegie shtëpish përgjatë rrugës dhe se po ngiste si i trentë për të hyrë në qytet sa më shpejt. I thashë le ta parkojë veturën në garazhin e zyrës. Më rehat për të gjithë.
Ndjenjë e pështirë. E lëshova televizorin, por nuk mora vesh asgjë. Kisha nevojë për gjumë – si kur të kap depresioni. Shenjë e keqe, mos vet.
Më në fund erdhën mami me Vetonin. Gazeta kishte shkuar në shtyp para orës 4. Baca Rexhë kishte mbetur në zyrë. S’e kemi as dëshirën më të vogël për të hëngër. Ulemi para televizorit dhe përcjellim, çka tjetër, pos CNN-it. Në 7:30 e ndalën rrymën. Mbetëm të ngujuar në terr. E ndezëm llambën e akumuluar dhe e gjetëm transistorin. Shumë kohë kishte kaluar nga koha kur kishim dëgjuar Radio Zagrebin në shqip.
Në 8 fiks u dëgjua një shpërthim tepër i madh. “Ia nisën” e thamë të gjithë me një zë. Pas pak çastesh u dëgjua edhe një tjetër shpërthim – i fuqishëm dhe shumë i zhurmshëm. Më cingëroi telefoni: ishte Yukie. Më pyeti si ishim. I thashë: “Mirë, bombardimi ka filluar”. Tha: “E di, për këtë edhe të thirra”. I thashë: “Jo nuk e di ti. Këto janë bomba përnjëmend dhe po shpërthejnë afër”.
Pas pak u dëgjua telefoni satelitor. Nga Nju- Jorku më thirrën nga njësia e sigurisë – më këshilluan që të futem në vaskë, sepse ai ishte vendi më i sigurt për t’u mbrojtur nga bombat. Idiotat. S’po e kuptojnë se problemi ynë nuk janë bombat, por serbët. E s’iu doli boll ajo, njëfarë Klaudia e mori dëgjuesen se kish me më thënë diçka. Më tregoi se shefja e UNICEF-it, Carol Bellamy, kishte me u paraqitë te Larry King Live – dhe “kish nevojë me ditë për situatën në Kosovë”. Bre dreqi e marrtë, për çdo ditë të lume kisha shkruar nga një raport nga terreni, e tash kjo qura po kërkon informata. A kompjuter po i dukem unë kësaj a çka? Budallica! Më këputi me pyetje pa lidhje. Sa më pa lidhje pyetjet, aq ma pa lidhje përgjigjet. Një sahat! Ia ndala telefonin se më plasi.
U bë ora 10. Dëgjohen të shtëna andej-këndej, por s’ka njerëz në rrugë. Disa vetura kalojnë kah rruga jonë. Thirra në zyrë. Askush nuk u lajmërua. “Hajt se shkoj nesër dhe e shoh çka ka bërë vaki”, mendoj me vete. Vazhdojmë ta dëgjojmë Hrvatski Radio-n, me veshtë e kthyer nga shkallët – në mos ka lëvizje andej. Asgjë. S’ka lëvizje.
Ora 11. Po ia krisim gjumë. Me siguri edhe një nga shumë netët pa gjumë për mua. Nuk e di se çfarë do të na sjellë e nesërmja.
25 mars
Ora 6. Koha për t’u bërë gati e për punë. Por s’ka televizor. S’ka rrymë, ende.
Vendosa të shkoja në zyrë. Me vete e mora telefonin satelitor, me mend se e ndezi agregatin dhe e mbushi baterinë që ma kishin sosur mbrëmë. Mbasi s’na erdh rryma, me gjasë s’kemi me pasë hiç.
S’kishim as ujë. Sa herë që ndalet rryma, ndalet edhe uji. Thonë Shajkovci i ka fajet. Dreqi ta hajë me Shajkovc e me krejt. Shyqyr që mami i mban rezervat e ujit, për bile nga një kafe. Po hala pa ia nis kafes, Vetonit i cingëroi telefoni. Ishte Nekibja. Policët e kishin marrë Bajramin me të dy djemtë nga shtëpia mbrëmë dhe nuk e dinte nga janë.
Na kaploi heshtja. E kishin nis me Bajramin, kush e di cili ishte në radhë. Fytyrat na u ngrysën. A kishte kuptim të rrimë në shtëpi e të vijnë me na zënë? Çka të bëjmë?
Iu thashë se po shkoj në zyrë me e mbush telefonin. Zbrita shkallëve me një vesh kah rruga. Disa vetura dëgjoheshin. Kur dola në rrugë u trondita kur i pashë gjithë ata serbë të armatosur, me e pa uniforma.
Mbërrita në zyrë e nuk më ndali kush. Shyqyr. Gazin e mora rrugës dhe shkuam në zyrë. Trokita në derë, dhe më dolën të dy rojtarët. I pyeta se pse nuk ishin lajmëruar mbrëmë. Më thanë telefoni nuk kishte cingëruar. Rrencat.
Agregati nuk u ndez. Mbetëm pa bateri. Çka me ba me këtë telefon të dreqit? Pse me e bart për së rëndi nëse nuk kryen punë. Për një çast erdhi rryma. Sa mendova që e zgjodha dilemën, rryma shkoi sërish. Hoqa dorë. Vendosëm me dalë prej zyrës. S’kishte kuptim të qëndrojmë aty. Dhe posa i bëmë hapat e parë për të dalë, sirenat u dëgjuan sërish. Hiç nuk e dimë se a do të na përsëritet dita e djeshme, as nuk e dimë a nisin bombat me kërcit edhe gjatë ditës. Më së miri është mos me u sillë kah zyra hiç.
Kah 10:30 Vetoni më thirri. Më tregoi se e kishin vrarë Bacën Rexhë dhe se katër policë ishin para derës së banesës. I thashë me u fut në banjë dhe se për 15 minuta do të isha në shtëpi. Mbërrita me shpejtësi të dritës në qendër, derisa Gazin e lashë në shtëpi të veten. Kerrin e lash prapa ndërtesës. Dola në krye të rrugës dhe i pashë një grumbull policësh para selisë së KOHËS. S’ishte punë me shku aty. U hipa shkallëve dhe mbërrita në banesë. Mbas pak erdh edhe mami. Kishte shkuar te Nekibja, për t’u interesuar për Bajramin. Rrugës ishte ndalë te KOHA. Kishte dashtë me u fut brenda. Ia kishin lypë letërnjoftimin, por u kishte thënë se nuk e kishte me vete. Fytyra e saj e mërzitur i tregonte të gjitha.
Banesa s’ishte vend i sigurt. Ku të shkojmë? Te tezja – mbase opsioni i vetëm, i çmendur, që na ka mbetur. Teksa iu afrova veturës, m’u drejtua Kostiqka, e cila nuk më ka folur kurrë në jetën e vet: “Da li ste sada zadovoljni”. Demek a u kënaqëm me NATO-n. E ktheva kokën një herë prapa, e mandej shikimin kah ajo: “Mua më drejtoheni? A mos njihemi?”, dhe ia ktheva shpinën. Shyqyr që sytë s’i pat të mbushur me plumba, se s’kisha mbërritur as t’i shkruaj këta rreshta.
E bëra një xhiro për ta gjetur rrugën më të sigurt për te Teta. U ktheva dhe i thirra në telefon. Zbritën njeri pas tjetrit dhe u nisa kah qendra te Kuvendi e deri te semaforët te xhamia. Kalova në të kuqe, serbez se s’kishte njeri me më ndalë, e te Akademia u ktheva në të djathtë. Vazhduam kah Shtëpia e Pleqve e mandej te Blloku i Dytë i Banesave.
E thirra shefin tim e i tregova se kemi dalë nga banesa dhe se po fshihemi. S’ia tregova vendin, natyrisht. I thashë që mobilat ende po bëjnë.
Krejt jemi bashkë në dhomë, po s’po më zë vendi vend. Por s’po mundem me dalë në dhomën tjetër se ftohtë. Marsi i ftohtë, shtëpia e ftohtë, krejt ftohtë. Akull.
Ka edhe plot orë deri në terr. E presim terrin, edhe shpërthimet. Dhe të gjithë ndiejmë frikë, ashtu siç e kishim ndier mbrëmë. Por asnjëri nuk e pranojmë. Krejt e mbajmë në vete.
Nuk më hahet. S’kam oreks. Mendja më shkon te Bajrami e te djemtë e tij, te dyqanet e djegura, te serbët e armatosur. E hapa kompjuterin të lidhur për telefon – dhe sa s’më ra pika. Zyra e Nju-Jorkut e kishte nisë një email, që me dashtë e lexon përafërsisht krejt bota, ku thonë se isha gjallë, por duke u fshehur me vëllanë tim dhe se jetët i kishim të rrezikuara. Oooo debilla bre! Po ku iu hyn në udhe me e përmend Vetonin. E fëlliqën me ka krejt – thuajse po u thonë: nëse e doni Vetonin, gjejeni Flakën. Debilla, debilla. I tregova Vetonit, dhe i thashë që nuk është shëndosh nëse rrimë bashkë. Ndoshta më mirë nëse unë dal të qarkulloj nëpër qytet e me humb gjurmë. S’komentoi gjë.
Prapë kishe po e dëgjojmë radion, e askush asnjë send nuk po kupton. Deri te tri shpërthimet e radhës. Një shumë afër vendit ku jemi. Te antenat po get. Pas çdo shpërthimi po ndihen vetëm lehjet e qenve.
Kah ora 11, u nisëm në gjumë. Krejt duam të flemë. Edhe unë. U bënë shumë net pa gjumë. Po të kisha mundur t’i lidhi bile nja katër-pesë orë. Kam nevojë të pushoj. Duhet ta mbijetojmë edhe ditën e nesërme.
Ora 1 mbas mesnatës. Gjumi im mbaroi. E kaloj natën duke i numëruar yjet të cilat po i parafytyroj në tavan. Me roletat e ulura, gjithçka është në terr.
Erdh rryma...
* * *
NATO, faleminderit nga zemra. Pa ty, këta rreshta kurrë nuk e kishin parë dritën.