Vështrime

Dy atllarë për një mullar

Tani si në një Deja-Vu po dëgjoja fjalë ku pretendentët për president të SHBA-së po akuzonin njëri-tjetrin për vjedhje votash dhe mashtrime zgjedhore. Po fërkoja sytë dhe veshët. A isha duke dëgjuar mirë se çfarë po thuhej? Këtu shoh një mundësi që ne të eksportojmë ekspertizën tonë në këtë lëmi. Grenelli ka krijuar mjaft miq në Kosovë që dikush t'ia propozojë ekspertizën tonë në këtë fushë. P.sh. si të dalë 105% e popullatës në votim, sa për fillim, e trenat bullgarë, fotografimin e votave dhe mbushjet për vota, si metoda paksa më të avancuara të zgjedhjeve në etapat më komplekse të përgatitjeve të zgjedhjeve. Pasi që zgjedhjet mbahen në muajin nëntor, gjithmonë ekziston mundësia e ndërprerjes së rrymës në vendvotime dhe mbushja e kutive me votat e "preferuara". Cinikët do të thonë, nuk votohet në Amerikë sikur tek ne në kutitë e votimit me fletët e palosura të votimit, ata i kanë makinat e specializuara për votime. Dert i madh, a po frikoheni që shqiptari nuk ua gjen edhe atyre ilaçin a?

Ditët dhe javët në vijim do të jenë të përmbushura me shumë aktivitete politike, diplomatike dhe natyrisht zgjedhjet presidenciale në Amerikë, të cilat në mënyrë indirekte përveçse do të caktojnë kursin në të cilin ky shtet do të shkojë, ai gjithashtu do të caktojë edhe ecjen politike të shumë shteteve të tjera qoftë të fuqishme e të mëdha politike, qoftë të vogla e të dobëta politike.