OpEd

Falli në Gjyl-Bahçe

Foto: Reuters / Arkiv

Si duhet lexuar filxhanin e kthyer nga marrëveshja në Rose Garden nga pjesët që nuk shihen…

Marrëveshja e arritur në Washington, që dikush e quajti historike, ndërmjet Prishtinës e Beogradit në Rose Garden për shumëçka ia vlen të analizohet e të shihet nga shumë kënde.

Së pari, duhet parë nëse është vërtet “marrëveshje” dhe nëse do të jetë “historike”.

Nga një vështrim i parë, ajo që bie në sy është fakti që një lloj i këtillë ndërmjetësimi diplomatik që nxjerr një lloj marrëveshjeje të këtillë më së buti i quajtur - është atipik. Rrallë ndodh që në një marrëveshje të ketë aq shumë aspekte jobilaterale të palëve që negociojnë.

Së dyti, marrëveshja në fjalë mundohet të vërë në qendër ekonominë – çka do që ajo mund të kuptohet, duke e mbivënë ndaj politikës trashëgiminë negative të luftës, pajtimit, normalizimit apo njohjes. Në fakt, premtimi ekonomik, si maksimë që duhet t’i paraprijë të gjithë atyre elementeve të numëruara më lart, mundohet që mbi logon klasike të James Carville - It’s economy, stupid, të imponojë një Pax Americana mbi ballkanasit, ku lufta e paqja nuk janë ndërtuar mbi motivin e parasë. Po të ishte kështu, në Jugosllavi nuk do të plaste luftë e përgjakshme, kur rrogat ishin më të mëdha dhe ku 30 vjet pas saj treguesit makroekonomikë janë shumë më të ulët sesa nga koha e Titos.

Liza (Kosova) në botën e çudirave

Por, t’i shkojmë me rend.

Marrëveshja në esencë shtyn ekonominë e insentivin financiar si karotë kohezive në mes palëve. Përveç një fondi me rëndësi (të premtuar), qendra e të cilit do të jetë në Beograd, premtohen investime infrastrukturore (autostrada, hekurudha, etj.) që në esencë lidhin Serbinë me (dhe përtej) Kosovën, me rajonin dhe Shqipërinë, dhe daljen në detin Adriatik. Këtu debati mbi mini-Shengenin sillet në pah, si diçka që tashmë është folur e përtypur me shumë argumentime pro et contra, por sido që të jetë, pala kosovare e ka pranuar atë (përkundër prononcimeve negative të mëhershme të nënshkruesve) pa ndonjë elaborim e analizë më të gjatë, qoftë ajo edhe pozitive. Për më tepër, marrëveshja e këtillë në Washington tashmë mund ta ketë krijuar një fait accompli për aktorët e tjerë hezitues ballkanikë (Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina) karshi të tjerëve (Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut).

Pjesa tjetër e ndërmjetësimit amerikan, që ka të bëjë me resurse energjetike, është liqeni i Ujmanit, në të cilën pala serbe u imponua me argumentimin e saj për “resurse të ndara-përbashkëta”, me faktin që liqeni është edhe në anën serbe, edhe pse në pakicë të territorit, por ku liqeni është “më i thellë” dhe nga pragmatizmi që pala kosovare (edhe me ndihmën e KFOR-it) nuk ka arritur kurrë të krijojë një sistem unik energjetik (së bashku me Vallaqin) para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Argumenti kosovar ka qenë i qartë se ky është investim kosovar me kredi ndërkombëtare, për çka pala kosovare e serbe tashmë janë marrë vesh në Vjenë për shpagim borxhesh, pra ka pasur një dakordancë shpagimesh për obligime të pakryera ndërkombëtare.

Nëse kjo ka qenë pjesa ku kosovarët janë “shtrënguar” dhe kanë pranuar elemente marrëveshjeje kontestuese, për të cilat kanë pasur dilema, atëherë pala tjetër, ajo serbe, është befasuar ndoshta në dy aspekte:

Marrëveshja për 5G

Dhe njohja e Kosovës nga Izraeli (?).

Vuçiqi në mes të Bin Zaid, Trump vs. Erdogan & Putin?

Kosova është pastër sa u përket investimeve kineze, por kjo nuk është fare e lehtë për Serbinë, që përmes zotimit për mospranim të 5G shkon haptazi kundër interesit kinez.

Pranimi i njohjes së Kosovës nga Izraeli, e kombinuar me hapjen apo bartjen e ambasadës në Izrael, e komplikon tutje lojën edhe për Serbinë. Në fakt, Serbia si front-runner për integrime evropiane do të ketë telashe me Brukselin nëse vendos bartjen e ambasadës së saj në Jerusalem, për shkak të pozicionit të qartë që mban BE-ja në bazë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi Palestinën. Po kështu, telashe do të ketë edhe me Ankaranë zyrtare, sidomos që kohëve të fundit lidhjet e Beogradit me Ankaranë, edhe të Vuçiqit me Erdoganin, kanë qenë shumë të afërta dhe me investime konkrete.

Në fakt, doktrina zyrtare serbe e politikës së jashtme janë neutraliteti dhe balanca në mes të 4 fuqive botërore: SHBA-së, BE-së, Rusisë dhe Kinës, një mish-mash i doktrinës së të painkuadruarve të Titos dhe të një aktivizmi pragmatik në botën shumëpolare. Marrëveshja në Rose Garden e nxjerr Serbinë nga kjo doktrinë në raport biznesi me Kinën, në raport me Turqinë dhe sidomos me Rusinë. Ndonëse zëdhënësja Zaharova u tall përçmueshëm me presidentin serb, duket që presidenti Putin ende nuk e ka anuluar vizitën e paralajmëruar në Beograd.

Për më tepër, në këtë lojë Vuçiqi merr anë me një investim: ai është mik i Ben Zaid, i njohur si MBZ, si një trashëgues froni në Emirate me lidhje me Kushnerin, Trumpin e Netanyahun dhe mentor i trashëguesit të fronit në Riad Muhamed ibn Salaman (i njohur si MBS), dhe njeri shumë i fuqishëm dhe investues i projekteve kapitale në Beograd. Kjo i bie edhe kundërshtues i hapur i interesave të Turqisë, Iranit e Rusisë. A i bie kjo që Vuçiqi tani haptazi rreshtohet kundër Erdoganit e Putinit?

E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën, por ajo është më larg integrimeve evropiane, por shumë e varur nga ndihma e pakursyer turke karshi Kosovës në shumë dimensione.

Janë pikërisht këto elemente “jobilaterale” që i vënë thekset e kësaj marrëveshjeje e ndërmjetësimi atipik në shumë aspekte.

Këtu bën pjesë edhe pranimi i obligimit për dekriminalizim të homoseksualitetit me 69 shtete dhe futjen e Hezbollahut në listën e zezë - që në shikim të parë ngjanë në barsoletë: një numër me konotacion erotik që i bashkëngjitet dekriminalizimit të homoseksualitetit dhe të postimeve dominuese të zyrtarëve amerikanë e izraelitë “për një shtet mysliman”, që e njeh Izraelin dhe madje hap zyrë diplomatike në Jerusalem.

Në fakt, delegacioni kosovar i sjell ad hoc në minutën e fundit për një tekst ndoshta mëhershëm të dakorduar, pas odisejadave politike, me një formacion heterogjen që më shumë ka qenë atje për të pasur kujdes nga njëri-tjetri, sesa nga të tjerët, mbase ka nxjerrë një aksham pazar.

Në fakt, kjo i ngjan atyre barsoletave politike sikurse qëndrimet e Shqipërisë së Enver Hoxhës për imperializmin global apo shpalljes së luftës nga Mali i Zi Japonisë në solidarizim me Rusinë, dhe Kosova e sjellë në këtë lojë globale duket si Liza në botën e çudirave!

Por, kur të kihet parasysh që e tëra është një bllok (më shumë se) antiturk - Bin Zaid i UAE, Trumpi e Natanyahu në bllokun arab me Egjiptin e Jordanin kundër interesave të Iranit, Katarit e Turqisë (lexo edhe Rusisë), ky ekuacion me shumë të panjohura nuk duket lojë e thjeshtë për Kosovën e vogël.

E tërë kjo i jep marrëveshjes/marrëveshjeve një ton dhe kornizë jashtërajonale dhe që ka pasoja strategjike, nëse ato do të vihen në fuqi.

Prandaj, e tëra nuk mjafton të shihet vetëm si ndonjë obligim i ndërsjellë Prishtinë-Beograd. E tëra edhe nuk mund të shihet jashtë disa konteksteve kohore e politike.

E para, ngjarja në Rose Garden ndodh pothuajse në fushatë elektorale në SHBA dhe ajo ndërlidhet shumë me një impenjim për të treguar Trumpin si “brooker” të marrëveshjeve ndërkombëtare me peshë dhe marrëveshja në Washington është vetëm zgjatim i asaj të bërë në mes të UAE (Shteteve të Bashkuara të Emirateve) e Izraelit me ndërmjetësim të Trumpit.

Madje, edhe lojtarët e këtyre marrëveshjeve kanë bërë një “qejz” elektoral për presidentin Trump lidhur ngushtë me (më pak) Grenellin, e më (shumë me) dhëndrin Jared Koushner,

Kushneri tashmë tenton të identifikohet si përfaqësues i një gjenerate të re hebrenjsh në New York.

Por, e njëjta ka të bëjë edhe me vetë elektoratin etnik brenda SHBA-së: afrimin e votuesve të rëndësishëm hebrenj, por edhe shqiptarë e serbë. Nëse një gjë ka bërë marrëveshja në fjalë, ajo është ndarja e komunitetit shqiptaro-amerikan në dy blloqe votuesish të ndarë. Sa për serbët - është e qartë se për kë duhet votuar ata në Amerikë. Ndonëse, nga shikimi i parë medial marrëveshja në fjalë nuk duket që i ka ndihmuar shumë Trumpit në Amerikë e as që ka dëmtuar për së tepërmi Bidenin.

Në fakt, ndërlidhja me Izraelin e Netanyahut që në fillim ishte komponentë e paraleles në këtë marrëveshje, edhe kur flitej për ndarje, sidomos në përpjekjet për të eliminuar a shkëmbyer territorin në atë që quhet Triangle, ku janë etabluar shtresa e mesme palestineze që luan rol në balancën elektorale për forca politike anti-Netanyahu.

Ndoshta e parë në këtë kontekst, marrëveshja në Rose Garden duhet parë si më benigne ndaj asaj që është folur e propaguar si një legjitimim i ndarjeve territoriale apo shkëmbimeve të popullsisë si një fakt i kryer. Në fund të ditës, është një marrëveshje që më shumë i ngjanë një show politik alla Trump me jehonë që kohësisht dhe efektivisht lidhet mu me fatin e tij: me zgjedhjet presidenciale në nëntor në SHBA. Afatizimi njëvjeçar për moslobim për njohje apo moslobim për çnjohje - është vetëm një element i kësaj pauze taktike, në pritje të asaj si do të duket bota pa, ose me Trumpin tutje.

Palestina e tradhtuar nga Beogradi

Deri atëherë, të gjithë duken në stanb by. Mandej edhe vetë nënshkruesit e marrëveshjes pararendëse, Emiratet, të cilat nuk janë fare në ngutje të konkretizimit të marrëveshjes me Izraelin të ndërmjetësuar nga ekipi i Trumpit.

Madje, duket që instruksionet e Abu Dhabit për diplomacinë e saj janë të qarta që të mos nguten t’u përgjigjen iniciativave të shpeshtuara të kolegëve izraelitë për takime. Shtetet islamike, përveç Emirateve, janë edhe Egjipti e Jordani, që janë në këtë grup të shteteve arabe për t’u afruar me Izraelin, ndërsa në anën tjetër Turqia tash për tash u prin shteteve të tjera që janë haptazi kundër. Por, as Turqia nuk ka bërë ndonjë hap për të zhbërë ambasadën e saj në Izrael.

Shto kësaj dramën që po ndodh në Mesdheun lindor në mes të turqve e grekëve, pra, vetë fatit të NATO-s, mbase bota ka pasur nevojë për një lajm të mirë. Por, nuk dihet nëse marrëveshja në Rose Garden ishte kjo.

Krejt në fund - ajo që vërtet i mungon kësaj marrëveshjeje atipike është çfarëdo mekanizmi monitorimi, garanci, implementim dhe mekanizmat për ta vënë në fuqi.

Prandaj, atë strikt duhet parë nga fati politik i atyre që e ndërmjetësuan.

Me marrëveshje në Washington secili mbase ka blerë kohë: Trumpi për fushatë; Vuçiqi për të evituar presionin për njohje dhe për t’i bërë bllok tentativat nga evropianët pas standardit në Rose Garden; kosovarët për të evituar një fait accompli të padëshiruar…

Por, e tëra mund të ndryshojë mbase pas nëntorit. E atëherë duhet parë se si dhe kush e lexon marrëveshjen dhe fallin në Gjyl-Bahçe.

Sidoqoftë, Kosova ka përfituar një mundësi interesante në afrimin e saj me Izraelin, që ka kohë që ishte kultivuar në aspekte të sigurisë. Formalizimi diplomatik mund të hapë perspektiva të tjera interesante që duhet parë me kujdes. Kjo tashmë mund të jetë realitet, pa marrë parasysh nervozën në Bruksel?

Nëse dikush e ka tradhtuar në këtë lojë Palestinën mbase është pikërisht Beogradi, në të cilin ajo ka investuar haptazi, duke marrë anë.