OpEd

“Delja e zezë” e shoqërisë moderne

Stigma dhe diskriminimi ndaj personave me probleme të shëndetit mendor janë çështje globale të shëndetit publik, dhe mund të kenë ndikime të konsiderueshme negative në të gjitha aspektet e jetës së një personi. Të qenit unik në atë që ne bëjmë, pothuajse gjithmonë ka pasur një efekt pozitiv tek individët, por në rastet e atyre me karakteristika të veҫanta fizike apo mendore nuk perceptohet me të njëjtin kuptim. Një karakteristikë e tillë e individit i atribuohet një këndvështrimi paragjykues, e që mund të ndikojë direkt në mirëqenien e tij mendore, në kërkimin e ndihmës, gjendjen ekonomike, kufizon raportet dhe ndërveprimin social, duke krijuar kështu një ambient jo shumë të pranueshëm për të.

Gjatë periudhave të ndryshme kohore, kultura dhe religjioni kanë pasur ndikim në zhvillimin e praktikave diskriminuese lidhur me problemet e shëndetit mendor dhe trajtimin e tyre, duke e konsideruar sëmundjen mendore si një provë apo dënim nga Zoti. Secili religjion fetar ka interpretimet e veta për problemet e shëndetit mendor; në këtë rast krishterimi dhe judaizmi besonin se sëmundja mendore mund të jetë rezultat i mëkatit të vazhdueshëm në jetën e një personi. Ndikimi demonik, pavarësisht nëse shihet si shtypje demonike ose posedim, ishte një shkak i cituar më shpesh në fenë krishtere dhe atë islame. Madje, ajo që një profesionist i shëndetit mendor do ta quante një çrregullim mendor, në kontekstin e tillë do të interpretohej si dështim shpirtëror.

Me shfaqjen e stigmës, që ka efektin e të trajtuarit ndryshe të personit ose përjashtimin e tij nga shoqëria, e lidhur me sëmundjen mendore rezulton në diskriminim, humbjen e statusit socioekonomik, ulje të ndjenjës së vetëvlerësimit dhe rritje të simptomave. Në vitin 1963, Goffman adoptoi termin “stigmë” nga grekët, që nënkupton "një atribut diskreditues”, dhe e përdori atë për të përfaqësuar shenjat trupore që tregojnë diçka të keqe në lidhje me karakterin moral të personit të stigmatizuar, e që mund të jetë e dukshme, si ngjyra e lëkurës, apo personat me probleme të shëndetit mendor.

Për të kuptuar më mirë procesin e stigmës, është e nevojshme të dallohen faktorët kryesorë që përbëjnë konstruksionin e saj, siҫ janë:

- Qëndrimet, të cilat formohen duke u bazuar në pikëpamjet faktike të botës, vlerave tona dhe reagimeve emocionale ndaj këtyre pikëpamjeve

- Stereotipat, që janë qëndrime ndaj individëve bazuar në përcaktimin e tyre ndaj një grupi ose kategorie të veçantë

- Paragjykimi, që u referohet qëndrimeve negative afektive ndaj grupeve të caktuara

- Diskriminimi, që është rezultat i sjelljes paragjykuese, zakonisht merr një formë ndëshkuese dhe shprehet duke reaguar negativisht ndaj një grupi të caktuar.

Në anën tjetër, është Teoria e Etiketimit nga Scheff (1966) si një kornizë shpjeguese që llogarit këto efekte të stigmës, duke pretenduar se problemet e shëndetit mendor manifestohen si rezultat i ndikimit shoqëror, dhe se shoqëria i shikon veprimet e caktuara si “devijuese”. Shkalla e stigmës së perceptuar nga personat e etiketuar dhe përshtatjet e tyre në marrëdhëniet shoqërore, pengojnë ndihmën në dispozicion nga individët jashtë familjeve të tyre.

Etiketimi dhe stigma kufizojnë shanset e jetës së një individi duke minimizuar nivelin e vetëvlerësimin të tij, e duke përkeqësuar gjendjen e shëndetit mendor të tyre. Prandaj, etiketimi në kuadër të kësaj teorie është një kornizë shpjeguese që llogarit efektet e stigmës të lidhura me statuset e zhvlerësuara, të tilla si "delikuent", "i sëmurë mendor", apo “thyes i rregullave”, dhe në kuadër të kulturës shpesh kanë marrë epitetin e të qenit “delja e zezë e shoqërisë”.

Stigma ka qenë prej kohësh e lidhur me sëmundjet mendore, dhe në përputhje me teorinë e etiketimit, besohet se për shkak të stigmës dhe frikës së diskriminimit që lidhen me të, shumë individë mohojnë sjelljet dhe simptomat më serioze të një çrregullimi mendor dhe nuk kërkojnë trajtim nga frika se mos etiketohen "të sëmurë mendorë" ose “të devijuar”. Një numër faktorësh duke përfshirë moshën, seksin, njohjen, përvojën dhe kulturën mund të ndikojnë në nivelet e stigmës, dhe gjithashtu mund të jenë të ndryshueshëm në efektet e tyre.

Në raportin e vitit 2001, OBSH-ja ka konstatuar se stigma është një nga pengesat më të mëdha për angazhimin në trajtim, edhe nëse trajtimi me shumë gjasë mund të jetë efektiv. Disa nga efektet e dëmshme të stigmës mund të përfshijnë pakënaqësinë për të kërkuar ndihmë ose trajtim, mungesën e mirëkuptimit nga familja e miqtë, sigurimin shëndetësor që nuk mbulon në mënyrë të duhur trajtimin e problemeve të shëndetit mendor, si dhe besimin se asnjëherë nuk do të arrijë sukses ose nuk mund të ndikojë në një situatë të caktuar.

Stigma për sëmundjet mendore, megjithëse lidhet më shumë me kontekstin sesa me pamjen e një personi, mbetet një atribut i fuqishëm negativ në të gjitha marrëdhëniet shoqërore. Sensi i stigmatizimit është i lidhur me demoralizimin tek personat e “etiketuar”, dhe sugjeron se stigma zvogëlon vetëvlerësimin dhe bashkëveprimin shoqëror, duke rezultuar në stile joadaptive. Kështu që, njohuria se stigma është e pranishme brenda shoqërisë mund të ketë ndikim tek një individ edhe nëse ai nuk është stigmatizuar direkt, e që mund të ketë një efekt të dëmshëm në vetëvlerësimin dhe vetë-efektivitetin e një personi.

Me aq sa këto studime kanë treguar, është e dukshme se stigma, e karakterizuar nga një grup perceptimesh negative, është treguar si një nga frenuesit më të rëndësishëm të kërkimit të ndihmës terapeutike. Vendimi për të kërkuar trajtim terapeutik mund të zvogëlojë shqetësimin psikologjik dhe faktorët si stigma publike, vetë stigma, dhe frika nga vetë ekspozimi ndaj terapistit, që, ndër të tjera, mund të përbëjnë pengesë në këtë proces.