OpEd

Shtëpia e Mallrave në Prishtinë nuk mund të shndërrohet në Sallë Koncertale

Pas luftës në shumë qytete të Kosovës, si në Prishtinë, janë bërë shumë improvizime dhe gabime në fushën urbanistike dhe arkitektonike. Këto lëshime, improvizime dhe gabime sot, e sidomos në të ardhmen, do t’i kushtojnë shumë Kosovës dhe Prishtinës. Gjeneratat që vijnë pas nesh sigurisht do të na mallkojnë, mendoj me shumë të drejtë. Pse? Sepse planifikimi hapësinor, urbanistik dhe arkitektonik është shumë më kompleks se siç disa e mendojnë. Shkas për këtë reagim është, siç po flitet, shndërrimi i Shtëpisë së Mallrave në Prishtinë, në Sallë Koncertale. Shumë mirë që po mendohet të ndërtohet Salla Koncertale, për çka Prishtina ka pasur nevojë qysh moti, por shumë keq që po mendohet që kjo të bëhet me improvizime. Nuk e kuptoj idenë dhe argumentet që Shtëpia e Mallrave të shndërrohet në Sallë Koncertale. Ata që janë profesionistë të vërtetë e dinë fort mirë se aspekti funksional, konstruktiv dhe arkitektonik janë elemente bazike të çdo objekti. Ky objekt mund të fitojë funksion të ri, si p.sh. Galeri e Arteve, Muze ose diçka e ngjashme, por kurrsesi në Sallë Koncertale. Pse? Sepse Salla Koncertale ka shumë parametra funksionalë, konstruktivë, akustikë dhe arkitektonikë që duhen përmbushur. Këta parametra nuk mund t’i përmbushë Shtëpia e Mallrave. Kjo është shumë qesharake. Mendoj se lokacioni është shumë adekuat, por vetëm nëse rrënohet Shtëpia e Mallrave, e në këtë vend të ndërtohet një Sallë Koncertale bashkëkohore dhe me të gjitha normat e standardet që duhet për këtë lloj objekti.

Bashkimi Evropian si ndërtues nuk guxon të lejojë improvizime, pra Shtëpinë e Mallrave ta shndërrojë në Sallë Koncertale. Jam i bindur se një vendim i tillë kishte për të qenë gabim i pafalshëm. Prishtinës dhe Kosovës i duhen objekte në frymë të kohës, që d.m.th. se edhe Salla Koncertale me funksionim, konstruksionin, akustikën dhe arkitekturën e saj duhet të jenë plotësisht në trendët bashkëkohorë. Ky lokacion (nëse Kuvendi Komunal është përcaktuar për të ) kërkon objekt plotësisht të ri dhe bashkëkohor. Çdo zgjidhje tjetër mendoj se do të jetë gabim fatal. Salla Koncertale është objekt unik që ndërtohet shumë rrallë dhe kërkon qasje shumë analitike dhe komplekse.

Autori është arkitekt

Shëngjin

28 korrik, 2020