Vështrime

Kujtimet edhe të një vere mashtruese

Bota ndahet në Uruguai dhe ne

1.

Kjo javë e fundit e verës - sipas përllogaritjes tradicionale të kthimit masiv në shkollë e punë -di të sjellë një dozë melankolie, e kësaj ia shtoi gazetari dhe botuesi vojvodinas Robert Çoban kur në postimin e tij të Facebookut nxori ballinën e revistës beogradase “Vreme” me numrin tematik kushtuar verës së vitit 1990, pas së cilës asnjë gjë më nuk do të ishte e njëjtë për popujt e ish-Jugosllavisë. Çoban kërkoi nga miqtë e tij, sot së paku dyzetvjeçarë, që të tregonin se çka u kishte ndodhur atë verë, që revista e quajti mashtruese. U përgjigjën: njëri kishte punuar dhe fituar një mijë marka si programer kompjuterik, tjetra kishte shkuar për herë të parë në det me të dashurin e saj, njëri kishte filluar shërbimin ushtarak në pjesën maqedonase të kufirit mes Jugosllavisë e Shqipërisë, një tjetër kishte filluar rrugën e mërgimit... Postova edhe unë, diç që nuk bëj zakonisht, për të thënë se asokohe merresha me organizimin e rezistencës kundër pushtetit të Milosheviqit, që atë verë i vuri fund autonomisë së Kosovës, e Kosova i dha me Deklaratën e vet Kushtetuese fund idesë se do të ketë rrugë tjetër pos mëvetësisë së vendit. Dhe, po atë verë, shumica e familjeve kosovare, përfshi dhe timen, ishin në hall se si do ta siguronin ekzistencën pas përjashtimit nga puna.