OpEd

Një respirator për kulturën

Kultura është vetë njeriu. Dhe nëse do të transformohet bashkë me njeriun edhe kultura e thjeshtëzuar në aktivitet kulturor, shenjat tashmë janë dhënë. Brenda një trekëndëshi barabrinjës, pikat e të cilit janë artisti, profiteri dhe improvizuesi. Në versionin më të butë, normaliteti i ri do të quhet përshtatje. Oksigjeni u duhet atyre që artin s’e kanë mjet, por qëllim. Për njeriun, oksigjeni është vetë arti. E, pavarësisht rrethanave të tanishme, kultura kaherë është në respirator. Në atë të një sistemi që s’merr frymë

Se njeriu është qenie që përshtatet, s’ka pasur kurrë më shumë kuptim sesa tash, larg një përkufizimi mbi teori natyraliste, më afër një konteksti social. Ose së paku do të duhej të ishte qenie e tillë kur bëhet e kushtëzuar nga e panjohura, frika dhe frika e shumëfishuar në lidhje kauzaliteti me një sistem të dështuar, për të cilin qenia është larg të qenit në plan të parë. Nëse do të mund të quhej sistem. Apo nëse ka mundur të quhet ndonjëherë i tillë. Kultura është produkt njerëzor dhe ajo do të duhej t’i përshtatej së tashmes jo vetëm të zymtë. Të mjegullt edhe në të ardhmen më të afërt. Se sa është njeriu, në përkufizimin social, shkaktari i gjendjes, kalkulimet do të mund të bëheshin kur murtaja t’i lërë vend normalitetit. Nëse do të ketë kthim të atij që para pranverës e quanim normalitet. Nëse do të kemi nevojë për një ripërkufizim të tij e bashkë me të, edhe të vetvetes.

Kultura është vetë njeriu. Dhe nëse do të transformohet bashkë me njeriun edhe kultura e thjeshtëzuar në aktivitet kulturor, shenjat tashmë janë dhënë. Brenda një trekëndëshi barabrinjës, pikat e të cilit janë artisti, profiteri dhe improvizuesi.

* * *

Reminishencat dhe nxjerrja prej skutave e ngjarjeve të ngjashme nga e kaluara, si një lloj tentative për krahasime, qenë si shpërthim në mesmars, bashkë me rastet e para të konfirmuara me atë që, si për ta zbutur, u quajt virus me kurorë. Izolimi ishte përballja e parë me të panjohurën, kur njeriu veprimin ua lë në dorë instinkteve, intuitës. Më pas, ato ose nuk mjaftojnë, ose njeriu heq dorë prej tyre.

Asnjëherë më shumë se asokohe e tash s’janë kthyer historitë e përballjes së të gjallëve me murtajën, humbjet prej saj, gabimet e pësimet prej tyre. Si epilog i përbashkët, gati i njëllojtë, është mbijetesa e njerëzimit, se edhe e keqja sikur i nënshtrohet maksimës së Heraklitit, “Panta Rhei” (Çdo gjë rrjedh, ndryshon) ani pse thënia e tij s’ka të bëjë as me murtajë, as me kapërcimin e saj.

Sa e sa rrëfime për kryevepra të lindura në kohë mjerimi, izolimi, sy më sy me vdekjen e zezë a të bardhë, u rikthyen jo vetëm si për ta kujtuar të harruarën, por si një thirrje për të tashmen, të vullnetit për veprim me art, nëse jo si shpëtim, mjaftueshëm si ngushëllim, si domosdoshmëri.

Dhe intuita është ajo që e shquan artistin në kuptimin e plotë të fjalës. Është vija e hollë ndarëse midis racionalitetit dhe pavetëdijes në sensin e një vullneti të brendshëm, që e ngjiz nevojën për veprim.

“Dëshira për përmbushjen e rolit tim esencial në shoqëri m’u zgjua pothuajse intuitivisht, atë ditë kur vendosa ta transmetoja një recital nga banesa ime në Zagreb. Shikueshmëria dhe reagimet e shumta veçse e konfirmojnë këtë teori timen. Mbase kjo situatë e jashtëzakonshme e shpalosi rëndësinë e veçantë të rolit tim dhe të kolegëve të mi në shoqëri”, do të thoshte kitaristi botëror Petrit Çeku, të dielën e 15 marsit. Kur do ta shpjegonte repertorin, me një distancë kohore prej asokohe dhe tash, duket si një lloj parashikimi delikat rrethanash. “Schuberti e ka një veçori të jashtëzakonshme: krijimin e kontrasteve të mëdha me ‘lëvizje’ të vogla”. Maestroja fliste ekskluzivisht për muzikën, magjinë e saj, por në një analogji me gjendjen, a qenë lëvizjet “e vogla” të politikës apo të papërgjegjësisë kolektive “mjeshtëria” jonë e kontrasteve të mëdha, jo të Schubertit, por të çakordimit, dhe jo në raport vetëm me virusin? Një antonimi prej izolimi jo në liri, por në shthurje që vazhdon.

Intuitiv, do të doja ta cilësoja reagimin e “DokuFestit”, që tashmë ka nisur e të tjerëve që do ta ndjekin të njëjtën rrugë. Prej modelimit të një versioni hibrid e deri te përcaktimi i temës, “Transmisioni”, distanca në kapërthimin e një fryme, e cila përtej ngulmimit për vazhdimin e traditës, mosheqjes dorë prej një edicioni, është paralajmërim i një normaliteti të ri. Asi që do të quhet përshtatje. Që kusht mbijetese ka kreativitetin, intuitën e artistit që vepron pavarësisht rrethanave.

* * *

Më shumë instinktiv sesa intuitiv qe reagimi i atyre që vetëquhen artistë, një armatë sish, kaherë të infektuar me virusin e profiterit, që rëndom bartet nga politika ose kontakti me të. Reaguan tek kur zunë të përmendën miliona në emër fondesh emergjente, më pas të rimëkëmbjes, e që të përbashkët kanë premtimin. Që asnjëherë nuk do të jetojnë prej artit, të cilin s’e kanë qëllim, por mjet. Për të cilët më shumë peshë çon dasma se vuajtja e tjetrit, apo mundësia reale e përballjes me të. Asi që papërgjegjësinë vetjake çirren ta shndërrojnë në kolektive, pavetëdija e të cilëve shndërrohet në budallallëk. Të tillë që ia dalin ta shtrijnë si mendësi turmash.

Ose të një tufe tjetër që vepron për ta arsyetuar faturën, që çdo gjë e lidh me pandeminë për ta kamufluar si reagim me art, si qenie e angazhuar sociale, si aktivizëm në kohë të zorshme, të cilët edhe vullnetarizmit i vënë çmim. Asi, mosveprimi i të cilëve është më i dobishëm sesa veprimi.

* * *

Improvizuesit s’janë vetëm në fushën e artit, ku zaten kërkohet mjeshtri e krijimit të atypëratyshëm. Është politika ajo që e shndërron në improvizim amatoresk kulturën dhe çdo gjë përreth. Në kohë pandemie, është loja me rrezikun, bartja e fajit, zëvendësimi i papërgjegjësisë me shfajësim. Në politikat kulturore, premtimet kuturu, aktrimi në nisje projektesh të reja, idealizmash të rrejshëm.

“Gjendja në kthesë të shekullit”, do ta quante Stephen Zweigu kreun e parë të një libërthi zbërthimesh të teorive bazike të Freudit. Ishte fjala për shekullin XIX, dilemat e kapërcimeve të mëdha.

“Sa të vërtetë përballon një mendje, sa të vërtetë guxon të thotë ajo? Për mua kjo është bërë gjithnjë e më tepër masa e vërtetë e vlerave njerëzore. Gabimet (besimi në një ideal) nuk është verbim, është paburrëri… Çdo fitore, çdo hap përpara drejt njohjes rrjedh nga guximi, nga rreptësia ndaj vetvetes, nga pastërtia ndaj saj”, do të shënonte si hyrje këtë citat të Nietzches, që disa herë përsëriste se “ne kemi artin për të mos vdekur e vërteta”.

Cila do të jetë e vërteta që do t’ia pranojmë vetvetes kur përgjegjshëm do të nisim të numërojmë pasojat e papërgjegjësisë? Cili do të jetë arti që do të na e thotë atë kur pandemia të perëndojë.

Në versionin më të butë, normaliteti i ri do të quhet përshtatje. Oksigjeni u duhet atyre që artin s’e kanë mjet, por qëllim. Për njeriun, oksigjeni është vetë arti.

E, pavarësisht rrethanave të tanishme, kultura kaherë është në respirator. Në atë të një sistemi që s’merr frymë.

* * *

Rritja e shifrave ka ditë që jep perceptimin e një normaliteti të përmbysur. Në sfond mezi vjen ehoja e “Breathe” të “Pink Floyd”. Dëgjohet pak, tepër pak. Duket larg, tepër larg.

© KOHA Ditore