OpEd

Diplomacia turistiko-aristokrate e thirrjeve telefonike

Do ta zbatoj edhe unë në praktikën time diplomatike. Si ambasador i Republikës së Kosovës në Facebook, do ta marr aeroplanin biznes klas dhe do të shkoj në Cupertino të Kalifornisë. ku gjendet selia e kompanisë Apple. Nga aty, jashtë grilave të cilat e rrethojnë ndërtesën e madhe, do t’i drejtohem CEO-s së kësaj kompanie, z.Tim Cook. Do t'ia nis një e-mail të gjatë mbi mosparaqitjen e Kosovës si shtet i pavarur në hartat të cilat përdoren dhe janë të përditësuara nga kompania Apple. Gjithashtu, gjithë këtë me një selfie të rastit, me ndërtesën në Cupertino në prapavijë

Edhe një javë e rëndë për Kosovën dhe popullin e saj. Covid-19 është në kulminacionin e tij dhe lajmet ditore mbi numrin e të infektuarve si dhe të atyre të cilët po e humbin luftën me këtë virus janë alarmuese.

Shumë i jam frikësuar një skenari të tillë në Kosovë dhe këtë brengë e kam shfaqur në çdo shkrim të Ditarit tim. Secili nga ne jemi të vetëdijshëm për kapacitetet dhe infrastrukturën e brishtë të shëndetësisë në Kosovë, me të cilën, sikur edhe me çdo gjë tjetër, është abuzuar skajshmërisht gjatë 20-vjeçarit të fundit nga të gjitha partitë të cilat qeverisën me Kosovën në 20 vjetët e fundit.

Falangat të cilat qeverisën për 20 vjet keqpërdorën çdo pore të asaj që do të duhej të quhej pasuri publike. Mirëpo, sa i përket kësaj pandemie, njeriu nuk ka se si ta lirojë nga përgjegjësia edhe sjelljen e popullatës, e cila vjen si pasojë e mentalitetit tonë dhe mënyrës së jetesës.

Kësaj sjelljeje me aq shumë jopërgjegjësi jo pak i kontribuojnë edhe prononcimet e ndryshme, sa konfuze aq edhe absurde nga ana e fytyrave publike të estradës tonë dhe jehonës të cilën ato deklarata e arrijnë nëpër media. Pas prononcimit të ish-deputetit dhe këngëtarit Labinot Tahiri gjatë një proteste të gastronomëve dhe artistëve, ku ai deklaroi se koronavirusi nuk ekziston, tashmë këtyre deklaratave që ta shpifin iu bashkëngjitën edhe këngëtarët Ramadan Krasniqi dhe Remzije Osmani. Kjo e fundit shkon aq larg në injorancën e saj, duke e prezantuar këtë pandemi si diçka të organizuar dhe orkestruar pikërisht si luftë kundër këngëtarëve, estradës dhe dasmave nëpër vend. Boshti egocentrik i këtyre njerëzve, të cilët interesin e vet e qesin mbi interesin e përgjithshëm të shëndetit publik, është sa brengosës, ashtu edhe alarmant.

E mos pyet fare kur këtij ekuacioni t'ia shtoni edhe mënyrën e keqmenaxhimit të pandemisë nga ana e Qeverisë, besimi i së cilës në popull është i lëkundur qysh nga dita kur është arritur deri te formimi i saj. Edhe në politikëbërjen kosovare, interesat vetjake, ato klanore e partiake dhe egot personale janë ato të cilat këtë vend e kanë mbajtur peng dhe stagnuar për 20 vjetët e fundit.

Asnjëherë Kosova nuk u udhëhoq nga njerëz kaq jokompetentë, të papërgjegjshëm dhe dilinxhinj që nga historia e saj më e re e dy dekadave të fundit.

Kjo gjithashtu mundësoi në formësimin e një shoqërie inerte dhe injorante, ku opinionbërës për tema madhore dhe kritike për një shoqëri dhe shtet aq të brishtë e kemi estradën e tallavasë. Sikur mos të ishte e dhimbshme, padyshim se do të ishte shumë qesharake dhe skenarët për filma apo seri humoristike do të ishin të gatshme për realizimin e tyre.

Këtyre skenarëve të tragjikomedisë nuk kemi se si mos t'ua shtojmë edhe sjelljet ndaj njëri-tjetrit të koalicionit qeverisës. Humbja e besimit kryesisht ndërlidhet me emërimin e koordinatorit për bisedimet me Serbinë, Skënder Hyseni, si dhe mënyrën se si po vazhdojnë këto takime dhe bisedime pa transparencë. Marrëdhëniet midis partnerëve të koalicionit AAK dhe LDK kanë arritur një pikë mjaft kritike dhe epilogu i saj do të mund të pritet javëve dhe ditëve në vijim.

Besueshmëria dhe autoriteti që kjo qeveri e gëzon në popullatë (përjashto këtu ata të cilët direkt kanë interesa personalë dhe janë të varur nga ajo) ka arritur në një pikë shumë të ulët. Edhe masat të cilat kjo qeveri mundohet t’i marrë dhe implementojë në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 thuajse hasin në vesh të shurdhër dhe askush nuk u bindet.

Kështu ndodh kur në kohë pandemie rrëzohet një qeveri e zgjedhur në mënyrë legjitime dhe ai vullnet tjetërsohet nga njerëz të pavotuar për interesat e tyre personalë dhe partiakë.

Sot për sot, fjalën kryesore në politikën kosovare e kanë ose njerëz të cilët personalisht nuk kanë marrë fare pjesë në votim, ose njerëz të cilët bartin numër medet të votave të fituara në zgjedhjet e fundit.

Për shembull, përzgjedhja e Skënder Hysenit për koordinator të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, duke mos u konsultuar as partnerët qeverisës dhe përzgjedhje për të cilën fjalë miradije kishte vetëm presidenti Thaçi, lë për të kuptuar për prapaskenat e kësaj përzgjedhjeje.

E koordinatori, emisari, elefanti i diplomacisë kosovare, z. Skënder Hyseni, mori rrugën për takimet e tij "diplomatike" në Washington. Në kohën kur - për shkak të hovit dhe pasojave të pandemisë si dhe të gjitha trazirave të shkaktuara anembanë Amerikës - pothuajse asnjë vizitë e asnjë diplomati botëror nuk u realizua në Washington, Shtëpia e Bardhë e ka fatin që aty t'ia mësynte emisari i të gjithë emisarëve, koordinatori i të gjithë koordinatorëve, pjesëtar dhe "anëtar kyç" i të gjitha proceseve ndërkombëtare të shtetit tonë, shkëlqesia e tij, Skënder Hyseni. Ne nuk mund t’i harrojmë sukseset e renditura nga Skënder Hyseni si ish-ministër i Jashtëm, e as si ish-ministër i Brendshëm e ish-ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Me këtë background dhe CV të sukseseve të renditura, një emisar i një kalibri të tillë do të mund të koordinonte edhe takimet e bisedimeve inter-galatike midis civilizimeve të ndryshme kozmike. Kredencialet diplomatike të emisarit, koordinatorit, janë të pakontestueshme.

Koordinatori Skënder Hyseni merr rrugë në Washington DC në mënyrë që nga aty ta thërrasë homologun e tij në telefon, koordinatorin Richard Grenell, dhe që të zhvillojnë bisedë njëorëshe telefonike të gjigantëve diplomatikë. Ky është një lloj i ri i diplomacisë, i panjohur deri më tash në praktikat diplomatike botërore.

Do ta zbatoj edhe unë në praktikën time diplomatike. Si ambasador i Republikës së Kosovës në Facebook, do të marr aeroplanin biznes klas dhe do të shkoj në Cupertino të Kalifornisë, ku gjendet selia e kompanisë Apple. Gjithashtu, të gjithë këtë me një selfie të rastit, aty me ndërtesën në Cupertino në prapavijë.

Nga aty, jashtë grilave të cilat e rrethojnë ndërtesën e madhe, do t’i drejtohem CEO-s së kësaj kompanie, z.Tim Cook, do t'ia nis një e-mail të gjatë mbi mosparaqitjen e Kosovës si shtet i pavarur në hartat të cilat përdoren dhe janë të përditësuara nga kompania Apple. Do ta shfaq indinjatën dhe brengën time për një lëshim kaq kardinal nga ana e një kompanie aq serioze dhe prestigjioze siç është Apple. Si dëmshpërblim do të kërkoj që Kulla, Bjelluha dhe Çakorri t’i kthehen Kosovës. E për të qenë politikisht korrekt, kompania Apple ishte dashur të përkujdesej që kufiri ynë me fqinjin tonë verior të përpiqej atje te Molla e Kuqe.

Diplomacia skënderiane nuk është aq e vështirë, por është pak e kushtueshme. Por, çka ka lidhje një çmim i lartë për buxhetin e parasë publike kur bëhet një sakrificë aq sublime për vend, shtet dhe popull?

Koordinatori ynë, emisari i të gjithë emisarëve, do të arrijë t’i magjepsë të gjithë punonjësit e recepcioneve të hoteleve luksoze me njohuritë e tij të menyve të Room Service-it (shërbimit në dhomë), menyve A la Carte të ushqimeve dhe verërave më të shtrenjta dhe kualitative të cilat vetëm një aristokrat i kalibrit të Skënder Hysenit mund t’i njohë.

Unë vetëm nuk e kuptoj pse nuk e bën edhe një hap më tutje në sakrificën e tij prej diplomati Skënder Hyseni. Në të njëjtin harxh, po të vazhdonte aty poshtë nga Amerika Latine dhe të lobonte për Kosovën dhe njohjen e saj nga shumë shtete të asaj pjese të kontinentit, të cilat nuk na njohin. Për shembull kishte mundur ta realizonte një thirrje telefonike me presidentin Jair Bolsonaro, duke u sakrifikuar nga plazhi Copacabana i Rio De Janeiros, duke shiqiluar kaçikë brazilian. Do të mund t’i tregonte presidentit se rizotto në Kosovë nuk mund të paramendohet pa kaçikët e pulave të Brazilit. Bananet e edhe kafja po ashtu. E mos të flasim për seritë braziliane, që sikur të mos i kishim pasur deri më tash, do t’i rrëzonim kushedi sa qeveri për keqqeverisje. Të gjitha këto do të ishin fakte të pakontekstueshme diplomatike dhe njohja e Brazilit do të pasonte.

Për lexuesit e Ditarit tim dhe qytetarët e Kosovës do të kisha një lutje, që të shfaqin mirëkuptimin për sakrificat dhe flijimet diplomatike të koordinatorit të të gjithë koordinatorëve, emisarit të emisarëve, shkëlqesisë së tij, Skënder Hysenit. Punët e mira vijnë ngadalë. Jemi vetëm në 20 vjetët e para të lirisë tonë. T’i rehatojmë këto garnitura aristokratësh e familjarësh të tyre njëherë, e pastaj dikur do t’i vijë rendi edhe popullit të thjeshtë.