Në mars të vitit 1999 regjimi kriminal i Serbisë hodhi një granatë në Tregun e Gjelbër të Mitrovicës. Me atë rast u vranë shtatë njerëz. Gjashtë prej tyre shqiptarë dhe një rome, një vajzë 5-vjeçare. Në pllakën përkujtimore mungon vetëm emri i romes Elizabeta Hasani. Pse? Për shkak se është rome. Dhe për shkak se disa shqiptarë janë racistë ose vetëm qelbësira primitive dhe provinciale. Kjo poshtërsi duhet të korrigjohet sa më shpejt. Emri i Elizabeta Hasanit duhet të jetë në krye të listës së viktimave.
Aktivisti për të drejtat e njeriut, Shkëlzen Gashi, sot zbuloi një skandal, një tmerr: në pllakën që përkujton viktimat e masakrës serbe në mars të vitit 1999 në një treg në Mitrovicë, mungon emri i Elizabeta Hasanit. Pse? Sepse ajo është rome. Vajzë e një komuniteti të shtypur e të margjinalizuar. Pjesëtarët e këtij komuniteti për serbët janë “cigani”, për shqiptarët e Kosovës “magjupë”.
Shkëlzen Gashi shkroi në profilin e tij në Facebbok: “Më 13 mars 1999 në masakrën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë janë vrarë SHTATË qytetarë dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) janë vrarë: Rrahim Peci (1934), Ahmet Strana (1941), Abaz Mecinaj (1944), Ragip Bajrami (1946), Sevdije Selani (1949), Valdete Strana (1977) dhe ELIZABETA HASANI (1994). Edhe fotografia e fotografit Tyler Hicks e dëshmon se në Tregun e Gjelbër është vrarë edhe një fëmijë pesëvjeçar. Ky fëmijë është ELIZABETA HASANI. Çikë. Pesë vjeçe. Rome. E bija e Isës dhe e Nadës. Por, në pllakën përkujtimore të ngritur nga Komuna e Mitrovicës në qendër të qytetit, figurojnë vetëm emrat e GJASHTË shqiptarëve të vrarë. Nuk figuron romja pesëvjeçare ELIZABETA HASANI. Edhe në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kur prezantohet kjo masakër, figurojnë vetëm GJASHTË shqiptarët e vrarë. Respekt për të gjitha viktimat e luftës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, racore, gjuhësore, gjinore, fetare, regjionale, politike...”.
Si është e mundur të ngjajë një poshtërsi e tillë dhe të “harrohet” emri i Elizabeta Hasanit? Si është e mundur të fshihet emri i një vajze të vogël vetëm pse ajo është rome? Si është e mundur të bëhet një segregacion i tillë viktimash? Si është e mundur të bëhet ky klasifikim viktimash? Ky hierarkizim në dy rubrika: viktima me vlerë dhe viktima gjoja pa vlerë? Shumë njerëz që frekuentojnë mediat sociale sot ia shtruan vetes këto pyetje dhe shumë të tjerë nuk e fshehën mllefin për këtë diskriminim viktimash.
Elizabeta Hasanin e vrau një regjim racist e fashist i Beogradit. Shqiptarët, viktima të regjimit fashisto-racist, nuk e përkujtojnë Elizabetën për shkak se ajo nuk paskësh “gjak të pastër shqiptar”, nuk paskësh “rrënjë ilire”, nuk qenka “e jona”, por rome ose “magjupe”, siç mund ta quajnë edhe sot racistët shqiptarë. Të jesh njeri rom nuk e paskësh vlerën e njëjtë me të qenmit njeri shqiptar. Athua dhimbja nuk qenkësh e njëjtë nëse granata e regjimit të Beogradit godet civilë shqiptarë dhe civilë romë?
Në vend se komuna e Mitrovicës (jugore), e sunduar dhe e qeverisur nga Vetëvendosja, të dilte me një njoftim, ku do të kërkonte falje për këtë gabim që është më shumë se gabim dhe të paralajmëronte se pllaka përkujtimore do të korrigjohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në opinion u shfaq nënkryetari i komunës së Mitrovicës, edhe ky funksionar i Vetëvendosjes. Dhe çfarë tha ky dai? Tha: “Nuk është në rregull me u përdorë viktimat për me bo emër…”. Domethënë aktivisti për të drejtat e njeriut Shkëlzen Gashi e paskësh përdorë emrin e viktimës Elizabeta Hasani për të bërë emër? Sa mendjeerrët duhet të jesh për një etiketim të tillë? Pse paskësh nevojë “për emër” një aktivist i të drejtave të njeriut që opinionin e njofton me një fakt tronditës? Pse paskësh nevojë për emër një figurë publike që ngaherë ka emër, që është shquar për hulumtime serioze, vepra të vlefshme, polemika të domosdoshme?
Komuna e Mitrovicës tani ka vetëm një detyrë: që emrin e Elizabeta Hasanit ta vendosë në krye të listës së viktimave të masakrës në tregun e Mitrovicës. Kjo masakër tregon për të satën herë se regjimi i Millosheviqit zhvillonte një kampanjë raciste në Kosovë – kjo kampanjë drejtohej kundër shumicës shqiptare, por godiste edhe pjesëtarë të pakicave, sepse ëndrra kriminale e liderit serb ishte një “Kosovë serbe”. Ose një Kosovë ku të tjerët do të ishin pakicë, të pajisur me kartonë të gjelbër si hebrenjtë në kampe të shfarosjes.
Si është e mundur që mungesën e emrit të Elizabeta Hasanit në pllakën përkujtimore nuk e kenë vërejtur pushtetarët e PDK-së dhe ata të LDK-së që kanë qeverisur Mitrovicën (jugore) në pothuaj dy dekadat e fundit? Si është e mundur që administratat komunale nuk qenë në gjendje që për 20 vjet t’i ketë në dispozicion të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare apo si është e mundur që pushteti komunal të mos jetë në dijeni për fotografinë e fotografit amerikan Tyler Hicks? Vend çudirash. Ose vend që viktimat i kujton sipas interesave politike dhe etnike.
Skandali me pllakën përkujtimore në Mitrovicë tashmë u bë publik. Njëkohësisht publike është – së paku deri më tani - edhe heshtja e krerëve të partive politike, e institucioneve, e kryeministrit, e presidentit. Me gjasë me emrin e Elizabeta Hasanit nuk fitohen vota. Por me emrin e saj fitohet diçka tjetër: fisnikëri, njerëzi dhe solidaritet me viktimat. Pa marrë parasysh nacionalitetin e tyre.