Vështrime

Çdo gjë s’është nën kontroll

Kosova sot është një histori që e ke parë dhjetëra herë në vende të ndryshme, një histori që e ke shtyrë gjithë kohën, nuk do doje ta shihje, të trishtonte që në ide. Por historia që ka çoroditur tërë botën duket të jetë më fatale edhe se vetë natyra jonë ballkanike. Ajo erdhi. Atëherë kur më së paku e pritnim. Ashtu si zakonisht na vijnë të këqijat në Ballkan duke na rrëzuar përtokë

Nëse një njeri ndihet i frustruar apo i shqetësuar, është më mirë për shoqërinë që ai të shqetësohet për përfundimin e luftës sesa për urinë apo të ftohtin, thotë sociologu Maslow. Me shërimin e privimit të njeriut ndaj nevojave apo vlerave “të ulëta” siç mund të jetë i ftohti apo uria merret pikërisht diskursi politik, i cili aktivizon një sistem vlerash me të cilin të merret populli. Kështu njerëzit do t’i rivlerësojnë nevojat e interesat e tyre në një mënyrë që ta ndërrojnë perspektivën e tyre për të ardhmen.

Mund të duket e çuditshme, por realiteti social është i modifikueshëm nga diskursi politik, i cili vepron në hapësirat mentale të njerëzve nëpërmjet qarqeve të neuroneve dhe lidhjeve konceptuale me traditën. Me ketë diskurs e mori pushtetin Qeveria aktuale e Kosovës duke e ngritur dialogun me Serbinë dhe heqjen e reciprocitetit në nivelin e merituar, aq lart saqë ta meritonte gjithë shqetësimin e popullit.