Vështrime

Instrumentalizimi i marrëdhënieve Kosovë-SHBA

Nuk ka asgjë të keqe të vlerësohet lart miqësia shqiptaro-amerikane dhe të shfrytëzohet ajo me menҫuri në funksion të zgjidhjes së problemeve që shqetësojnë vendin dhe popullin. Por, në momentin që ajo vihet në shërbim të agjendave personale, nga dikush, për ngjitjen e shkallëve në karrierën politike dhe nga dikush tjetër, për ta përdorur si rrufepritës, atëherë kemi të bëjmë me instrumentalizimin e saj

I. Instrumentalizimi i miqësisë

Më 12 shkurt 2019, tre zyrtarë të lartë të administratës amerikane, Metju Palmer, nga Departamenti i Shtetit, Laura Kuper, nga Departamenti i Mbrojtjes, dhe Xhon Erath, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, në përpjekjen e radhës për t’i bindur udhëheqësit e Kosovës për pezullimin e tarifës 100% ndaj mallrave serbe, iu drejtuan atyre me një letër, në të cilën theksojnë: “Është e pabesueshme që, pas gjithë ҫfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët, sa të injorojë këshillat tona”.