OpEd

Një koordinatore nacionale për të luftuar dhunën ndaj grave

Gratë i nënshtrohen dhunës fizike, seksuale dhe shpirtërore. Sipas një studimi të OKB-së vetëm në vitin 2017 në Europë janë vrarë së paku 3000 gra – nga burrat, partnerët apo anëtarët e tjerë të familjes. Për fat të keq raste të tilla të tmerrshme ka edhe në Kosovë. Është detyrë nacionale dhe shtetërore që kjo dhunë të luftohet me të gjitha mjetet ligjore. Duhet të ndëshkohen ashpër sidomos policët që nuk i marrin seriozisht thirrjet e grave për ndihmë kur janë të rrezikuara nga burrat e tyre.

Ka poste të panevojshme në çdo qeveri. Kosova ka pasur qeveri me gati 90 zëvendësministra. Ajo qeveri ka pasur edhe koordinatorë nacionalë për punë të ndryshme, domethënë punë të kota. Edhe qeveria aktuale ka emëruar me dhjetëra zëvendësministra, shumica ose raste sociale ose militantë primitivë të partive të krimit e korrupsionit. Ka aq shumë zyrtarë që marrin rroga pa kryer ndonjë punë të hairit.

Nëse vërtet duhet një post i ri, atëherë ai është posti i koordinatores nacionale për të luftuar dhunën ndaj grave. Rasti i fundit i Kamenicës vetëm e zgjatë zinxhirin e krimeve ndaj grave. Pas rasteve të tilla reagimet janë si përherë: zemërim në Facebook nga një grup vajzash e grash (dhe aty-këtu ndonjë burrë), nën presionin publik pastaj reagojnë edhe politikanet dhe politikanët, me mesazhe të njëjta, disa madje sterile dhe stereotipe. Vala e zemërimit kalon shpejt, drejtësia dhe policia premtojnë hetime. Vrasësi një ditë me siguri do të marrë një dënim me burg.

Kështu nuk luftohet dhuna ndaj grave. Një koordinatore nacionale do të duhej të kishte një ekip që dokumenton rastet e dhunës, që rregullisht u bën presion autoriteteve, që mbikëqyrë punën e policisë dhe prokurorisë, që organizon fushata nacionale për vetëdijesimin e shoqërisë kundër diskriminimit dhe terrorizimit të grave. Duhet të ndryshojë komplet qasja sa i përket luftimit të dhunës familjare, viktimat kryesore të së cilës janë gratë. Policët që nuk i marrin seriozisht thirrjet e grave për ndihmë pas sulmeve nga burrat, duhet të ballafaqohen me konsekuenca – deri në përjashtim nga puna. Kur një grua e thërret policinë për ndihmë për shkak se ndihet e kërcënuar nga burri i dhunshëm, atëherë policia duhet të reagojë me shpejtësi të zjarrfikësve. E njëjta vlen edhe për prokurorinë, entet sociale dhe institucione të tjera relevante. Krahas kësaj duhet një edukim konsekuent që nga shkolla fillore për të respektuar barazinë gjinore dhe për zgjidhjen e problemeve pa dhunë.

Më 1 gusht bëhen 6 vjet prej se ka hyrë në fuqi Konventa e Këshillit të Europës (e njohur si Konventa e Stambollit), e cila emëron dhunën specifike kundër grave dhe vajzave dhe kërkon që kjo dhunë të luftohet me masa konkrete: barazi në Kushtetutë dhe para ligjit si dhe kujdes dhe strehim për viktima. Deri më tani më shumë se 40 shtete e kanë miratuar Konventën e Këshillit të Europës. Kosova ka nisur procedurat për ta miratuar këtë Konventë, por çuditërisht parlamenti ende nuk e ka miratuar. Ambasada amerikane ka bërë thirrje para më shumë se një viti që Konventa të miratohet.

Kuptohet që vetëm me ligje e konventa nuk luftohet dhuna ndaj grave, të cilat vuajnë nën dhunën e trefishtë: fizike, seksuale dhe shpirtërore. Duhet një strategji më afatgjatë dhe duhet një grua e guximshme, një që është shquar në denoncimin e krimeve të burrave, e cila si koordinatore nacionale do të alarmonte orë e çast opinionin jo vetëm kur ndodhin krime familjare.

Polonia ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga Konventa për shkak se ajo përmban dispozita të “natyrës ideologjike”. Njëjtë kanë argumentuar edhe fanatikët katolikë në Kroaci dhe kisha, duke pretenduar gabimisht se Konventa legalizon martesat mes njerëzve të gjinisë së njëjtë. Sipas një studimi të OKB-së vetëm në vitin 2017 në Europë janë vrarë së paku 3000 gra – nga burrat, partnerët apo anëtarët e tjerë të familjes. Ekspertët theksojnë se dhuna ndaj grave është shtuar pas shpërthimit të pandemisë.