Vështrime

Sfida e Universitetit të Prishtinës në dekadën e gjashtë

"Gara në mes universiteteve shtetërore është po aq e rëndësishme për shtetin sa është edhe gara në ndërtimin e kapaciteteve ushtarake mbrojtëse, dhe për këtë arsye kualiteti i universiteteve duhet të jetë brengë kombëtare", është thelbi i fjalimit që Joseph Chamberlain, politikan i dalluar në Britaninë e Madhe, e bëri në Parlamentin britanik në fillim të shekullit XX, për të argumentuar nevojën për rritjen e kualitetit të universiteteve britanike, në krahasim me universitetet në Gjermani dhe SHBA. 100 vjet më pas, 18 universitete britanike janë në Top 100 të universiteteve më të mira në botë, 4 prej tyre në Top 10.

Këtë muaj Universiteti i Prishtinës zgjedh rektorin dhe udhëheqjen e re. Sfidat janë të mëdha. Universiteti i Prishtinës, si universiteti kryesor publik në Kosovë, hyn në dekadën e gjashtë të tij, fatkeqësisht me kualitet shumë më të ulët sesa ai i universiteteve të tjera publike në rajon. Të diplomuarit nga universitetet në Kosovë nuk po arrijnë të jenë konkurrues me kolegët e tyre nga vendet e tjera të Ballkanit. Në periudhën 2014-2017, prej 256 bursave Erasmus-Mundus për studentë të programeve master, vetëm 12 bursa janë përfituar nga studentë nga Kosova, përderisa Mali i Zi ka përfituar 20, Shqipëria 45 dhe Serbia 154 bursa. Kjo performancë e ulët nuk është faji i të diplomuarve, pasi ata e kanë kryer me sukses të gjithë planprogramin e kërkuar nga universiteti, por problemi është që aktivitetet dhe përvoja akademike nëpër të cilat studentët kalojnë gjatë studimeve në UP duket të jenë të një niveli dukshëm më të ulët sesa ato në universitetet e tjera publike në rajon.