OpEd

Fantazmat e PTK-së

“Kur kam dalë në pension më kanë takuar pak mbi 20 mijë euro kesh. Por, kam marrë vesh që disa të tjerë kanë marrë ma shumë se unë...”

Nja pesë herë, të paktën, ka trokitur në derën e “Kohës”. Dy herë jam zatet, një herë blic – kur e kam këshilluar të takohet me njërin nga gazetarët, e herën tjetër jam ulur në tavolinë, pas insistimit të tij për t’u takuar me redaktorë.

Mysafiri, një ish-punëtor i Postë-Telekomit, diku dhjetë vjet më parë, donte të shtynte para një agjendë të tijën personale. Në ditën kur gjeta më shumë kohë për t’i dëgjuar hallet e tij, me mua ishte edhe Valon Maloku, atëherë gazetar në “Koha Ditore”. Pasi i shkëmbyem fjalët “si je – mirë ti si je”, nisi të tregojë historinë personale - se si ka punuar si zyrtar ligjor në PTK deri në pension, se si e ka pasur mirë me shefat... Biseda më të mori kthesë kur rrëfeu se si ai dhe një grup “ekspertësh” kanë punuar në përgatitjen e një skeme, të ngjashme me Trustin Pensional. Meritat për krijimin e asaj “fantazme” financiare brenda PTK-së ia faturonte vetes, me mburrje.

“Unë e kam përgatitë rregulloren për krijimin e një fondi kursimesh brenda PTK-së. Kur kam dalë në pension mua më kanë takuar pak mbi 20 mijë euro kesh. Por, kam marrë vesh që disa të tjerë kanë marrë ma shumë se unë për kohën e njëjtë të punës dhe për këtë kam ardhur të ankohem, që ju me e qitë në gazetë”.

Kur përmendi fondin e pazakontë të kursimeve u ndjeva fort keq. I thashë “prit, prit, se kjo çështje më ngjan në krim të organizuar”. Nuk i pëlqeu reagimi im, e as paralajmërimi se krijimi i fondit mund të jetë në qendër të interesimit tonë. Për ta arsyetuar shpejt e shpejt, e me shpresën që kjo do të tejkalohet, nisi t’i përmendte disa emra autoritetesh, që për të ishin vetë ligji. Bile çuditej se si unë po ndieja dhembshuri për këtë ndërmarrje dhe për paratë e saj. Apo se më shumë shqetësohesha unë për PTK-në sesa ai që e kishte “rru” atë për shumë vjet.

“Për vendimin e kam pasur përkrahjen e atij ndërkombëtarit që ka qenë mbi krejt, e dhe të drejtoreshës Leme Xhema. Çka po don ma shumë ti. Ata janë njerëzit kryesorë. Krejt e ligjshme ka qenë, është vendim i brendshëm, janë paret e Postës”.

Nuk di si i ka perceptuar gazetarët dhe median ai. Mbase si instrumente ku mendon se gjërat që i vlerëson të rëndësishme ata i publikojnë “bruto”. Apo, meqë ai po na “nderon” me dhënien e informatës për “padrejtësinë” ndaj tij, me automatizëm do ta ketë rolin e viktimës.

Dhe për mos të humbur kohë me njeriun që, mjerisht si edhe shumë të tjerë në këtë vend, ideal të vetëm e ka paranë, qoftë ajo edhe e pistë, i them që tash nuk është ka m’intereson nëse dikush ka marrë më pak apo ma shumë nga kursimet, por po m’intereson baza ligjore e krijimit të kësaj skeme në një ndërmarrje publike.

Dhe tashmë “halli” i ekspertit të skemës pensionale doli në plan të dytë. Më me interes ishte zbardhja e këtij vendimi. I dëshpëruar me qasjen tonë, ai nuk deshi të flasë më shumë për historinë e fondit, e në PTK e pranuan se ka ekzistuar një i tillë, se kanë përfituar të gjithë të punësuarit, porse drejtori Shyqeri Haxha, që e kishte pasuar në këtë detyrë Etrur Rrustemin, e ka ndërprerë këtë praktikë.

PTK-ja nuk dha të tjera detaje, sa para janë shpenzuar për fondin dhe pse është heshtur ky skandal, kostoja e të cilit - nëse merret mesatarja e përfitimit të ish-zyrtarit që dha lajmin dhe numri i punëtorëve - i binte diku rreth 30 milionë euro.

PTK-ja vërtet ishte kampione për gjenerimin e të hyrave në Kosovë. Por, e njëjta ishte dhe është kampione në rajon për nga shpenzimet për punëtorë. Një kompani që disa vite më parë ishte angazhuar për përgatitjen e strategjisë së privatizimit të PTK-së ka nxjerrë shifra të frikshme të shpenzimeve. Në shtetin me ekonominë përtokë e me të ardhurat “afrikane”, PTK-ja thuhej në raport se shpenzon 10 për qind për punëtorë më shumë se kompanitë e ngjashme në Kroaci e Slloveni, vende me standarde të BE-së, e edhe se kompanitë në Serbi e Mal të Zi.

Edhe më keq, kontributi i punëtorëve të saj me paga presidentësh shteti ishte rreth 100 mijë euro më i vogël se i kolegëve të tyre në kompanitë e vendeve të rajonit. Studimi ka treguar se me 100 milionët e planifikuar për investime në Telekom mund të ndërtohej nga e para një ndërmarrje moderne e telekomit.

Masakrim të parave, sipas studimit, ka pasur edhe në njësinë Posta e Kosovës. Në rajon, për punëtor të postës shpenzohen 15.6 për qind e shpenzimeve të përgjithshme, e në Kosovë 26.5 për qind. Rrogat për punëtorë në Postë dhe Telekom nuk janë ulur, përkundrazi, numri i punëtorëve është shtuar në mbi 1500 në të dy njësitë dhe nuk është ndalur as kur të hyrat u kanë rënë përtokë.

Kompania që ka “pre pare” duke i “prerë” konsumatorët, tash nuk është as aset nacional, as mburrje për ekonominë. Keqmenaxhimi e mungesa e llogaridhënies, depërtimi i shpejtë i operatorit të dytë, e ndërkohë edhe aktivizimi i operatorit të tretë që u quajt virtual dhe funksiononte me infrastrukturën e PTK-së, u bënë varrmihësit e saj në treg. Në krejt këto episode që duken të ndara, megjithatë ekziston një urë lidhëse – politika. Punësimet, emërimet e kryeshefave dhe drejtorëve të departamenteve, emërimet e njerëzve në Bordin e PTK-së, tenderët e deri te politikat që lidhen me shërbimet e telekomunikacionit dizajnoheshin nga partitë politike - nga ata që ishin brenda e nga ata jashtë qeverisë.

PTK-ja, ashtu si edhe të gjitha ndërmarrjet tjera publike, ashtu si edhe Qeveria e Kuvendi, pushtetet komunale dhe institucionet e tjera, u trajtua nga politikanët si “miniera ari” për ta. Betejat zgjedhore në fakt bëheshin për to, jo për të mirën e vendit.

Tash, histeria e krijuar brenda ndërmarrjes dhe paralajmërimi se borxhi ndaj Z-Mobile mund ta falimentojë atë janë pretekste për t’i mbuluar të gjitha abuzimet qindra-milionëshe ndër vite dhe kapjen e ndërmarrjes nga partitë politike.

Punëtorët, para se të kërkojnë “lëmoshë” nga Qeveria, duhet të flasin për të tjera histori 30-milionëshe në këtë ndërmarrje. Të tregojnë se si janë dhënë ryshfete dhe se si një pjesë e madhe është paguar pa punuar. Le të tregojnë se fatin e punëtorëve që kanë punuar nga fillimi ua kanë rrezikuar të punësuarit nëpërmjet çelësit partiak, përfshirë 300 të fundit nga qeveria e PAN-it.

Populli mjaft ka paguar dhe po paguan ende koston e dështimit të qeverisjes.

Para se t’i vihen barrë 30 milionët e PTK-së, populli ka paguar 53 milionë euro dëmshpërblim për Bechtel-Enkan, ndërsa vazhdon të paguajë për rrymën që shpenzohet në veri; për dhjetëra-mijëra mashtrues që janë futur në listat e veteranëve të UÇK-së; për “Rojet e Urës” në veri, që u sistemuan në institucione dhe që nga 2015 nuk shkojnë asnjë ditë në punë; për stafin diplomatik që veç diplomaci nuk bëjnë; për ministra e deputetë që nuk meritojnë të jenë as drejtues lagjesh...

Kemi paguar dhe do të paguajmë edhe qindra raste që institucionet i kanë humbur në procese gjyqësore me individë e kompani, e edhe të tjera raste në Arbitrazh Ndërkombëtar, shuma e të cilave do t’ia kalojë për 10 herë “rastit të Z-Mobile”.