Vështrime

Shteti që kurrë nuk e kuptoi dhimbjen e nënës

1. Më shumë me dashuri se me dhimbje e shikonte fotografinë e bebes së saj fytyrërrumbullake të mbështjellë me të bardha gruaja që nga Spitali Gjinekologjik i Tetovës kishte dalë diku një javë më përpara. Ishte në të njëzetat dhe nënë për herë të parë. Në bark, vendin nga ku ia kishin nxjerrë beben e kishte të mbështjellë me fashë. Lëkurën e zbehtë të fytyrës ishte përpjekur ta mbulonte me make-up, që nuk e kishte përhapur mirë anash. Përpiqej të jetonte në dimension tjetër. Me çdo kusht dëshironte të jepte dashuri nëne.

2. Ka qenë periudha kur shpresa ishte më e madhja në Kosovë. Një nënë mburrej me të birin që e kishte rritur e edukuar gjatë një epoke jo të lehtë. E kishte bërë gati një njeri të shkolluar e të ndershëm për t’i shërbyer vendit që sapo kishte hyrë në atë periudhë të shpresës. E dinte që përmes tij nuk do të mund të kalonte asnjë e keqe që do ta vriste shpresën. Sytë i rrezatojnë sot më shumë dashuri se dhimbje kur e shikon fotografinë e tij të diplomimit. Dashurinë e nënës e ka me bollëk. Nganjëherë duket se përpiqet të jetojë në dimension tjetër.