Ne duhet të përballemi me nacionalizmin e rrezikshëm dhe mohimin e krimeve dhe gjenocidit të së kaluarës. Prandaj gjithmonë duhet të flasim për të keqen, e cila ua mori jetën mijëra njerëzve të pafajshëm. Ne duhet të flasim për gjenocidin në Srebrenicë, krimet në Shahoviq, në Foqë, Sarajevë, në Reçak - këtë ua kemi borxh viktimave në të gjitha gjenocidet dhe krimet që u kryen ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve, dhe ato ishin të shumta...
Të shtunën, më 11 korrik, u mbushën plot 25 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë. Kjo masakër, si një ndër krimet më të rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Deri më tani janë varrosur më shumë se 8 000 persona. Megjithatë, gjetja, identifikimi dhe kthimi i mbetjeve të viktimave të këtij gjenocidi ende vazhdon.
Termi ligjor “gjenocid” nuk ka ekzistuar para Luftës së Dytë Botërore. Sipas Konventës së KB-së për Gjenocidin e vitit 1948, gjenocidi synon “shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të një bashkësie kombëtare, etnike, racore ose fetare”. Sipas së drejtës ndërkombëtare, krimet e këtilla janë ndjekur penalisht vetëm në dy raste: në masakrën e Srebrenicës të vitit 1995 në Bosnjë-Hercegovinë dhe në masakrat e Ruandës të vitit 1994.
Përveç vrasjeve në masë të djemve dhe burrave boshnjakë që u hodhën në varreza masive në qytetin boshnjak të Srebrenicës, në korrik të vitit 1995, rreth 25 000 gra, fëmijë dhe pleq u dëbuan me forcë, ndërsa një numër i konsiderueshëm i grave u dhunuan. Fakt tmerrues është se, pas hetimeve të Gjykatës së Hagës, u dëshmua se kufomat ishin zhvendosur nga varrezat e vjetra në varreza të reja masive. E gjithë kjo kishte ndodhur me direktiva të kriminelëve të luftës, gjeneralit Mladiq dhe ushtrisë së tij, me qëllim të fshehjes së krimeve të tyre monstruoze. Edhe pse Karaxhiqi dhe Mladiqi u dënuan për gjenocidin në Srebrenicë, në Bosnjë-Hercegovinë
ende lavdërohen spastrimi etnik dhe gjenocidi. Në disa qytete të Bosnjë- Hercegovinës ende ekzistojnë murale të Ratko Mladiqit, ndërsa ultranacionalistët për çdo vit marshojnë nëpër rrugët e Srebrenicës duke kënduar këngë çetnike. Kjo na kujton “ballon e vampirëve”, ku për çdo 9 janar, datë kjo kur shënohet dita e këtij shteti gjenocidal, të ashtuquajtur Republika Srpska, dhe në tërë Bosnjën kumbon “psalmi” çetnik “Bože pravde...” Sa të pafe, çfarë hipokrizie e shekullit XXI!
Dihet që përmbajtja e programeve dhe ideologjive nacionaliste krijohet me qëllim të shkatërrimit të popujve vendës në vendbanimet e tyre historike dhe të themelimit të një krijese shtetërore në mënyrë agresive, që ndërtohet mbi shenjtërimin ekstrem dhe gdhendjen e kryqit ballin e atyre që nuk janë ortodoksë. Mirëpo, të gjitha këto veprime ishin të kota: edhe ushtria më e fuqishme, edhe “jeta më e rëndë se vdekja”, edhe zhurma kumbuese ... Bosnja vazhdon të mbijetojë, dhe kështu do të jetë përgjithmonë!...
Këta 25 vjet nuk kanë mjaftuar për t’i gjetur, identifikuar dhe varrosur të gjithë viktimat, gjë që dëshmon për dimensionin e asaj që ka ndodhur në hapësirat e Bosnjë-Hercegovinës gjatë vitit 1995. Enklava e Srebrenicës, në atë kohë, ishte zonë e sigurt nën mbrojtjen e KB-së. Mirëpo, kjo nuk e kishte penguar ushtrinë e serbëve të Bosnjës ta pushtonin qytetin. Shumë burra myslimanë të Bosnjës, që kishin mbetur aty pas dëbimit të grave dhe fëmijëve, tentuan ta kalonin këmbë hekurudhën nëntëdhjetë kilometra deri në qytetin e Tuzlës, por shu
mica e tyre nuk mbijetuan, sepse u vranë dhe kufomat e tyre, më vonë, u gjetën në varreza masive.
Srebrenica e sotme, e rrethuar nga revizionizmi i historisë dhe politika e mohimit, ende e mbart barrën e rëndë të viktimave të gjenocidit, eshtrat e të cilëve ende nuk janë gjetur. Fakti që gjenocidi, i cili shkaktoi mijëra viktima, ka ndodhur në zonën që kontrollohej nga KB-ja, mund të përshkruhet si pasivitet i faktorit të jashtëm në atë kohë, gjë që KB-ja e kishte pranuar në raportet e veta. Mirëpo, nëse faktori i jashtëm, në atë kohë, ishte “i pafuqishëm”, atëherë bëhet pyetja se pse edhe sot po ndodh kjo. Ata që e neglizhojnë, relativizojnë, madje edhe e mohojnë këtë gjenocid, në disa situata edhe shpërblehen. Le ta kujtojmë fituesin e fundit të çmimit “Nobel” për letërsi, i cili pohonte se fjala gjenocid nuk mund të përdoret për t’i përshkruar ngjarjet në Srebrenicë, por flet për Srebrenicën si një lloj hakmarrjeje, e që në fakt i minimizon krimet e kryera kundër popullatës boshnjake.
Nacionalizmi i rrezikshëm dhe mohimi i gjenocidit në të kaluarën duhet të luftohet. Prandaj, gjithmonë duhet të flasim për të keqen që ka marrë jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm. Duhet të flasim për gjenocidin në Srebrenicë, për krimet në Shahoviq, Foqë, Sarajevë, Reçak - këtë ua kemi borxh viktimave në të gjitha gjenocidet dhe krimet që u kryen ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve, dhe ato ishin të shumta...
Hulumtimi i gjenocidit dhe krimeve që u kryen ndaj viktimave të pafajshme gjatë luftërave të fundit në Ballkan duhet të zërë një vend më domethënës në kuadër të politikave të ndryshme arsimore, për t’i thelluar njohuritë për vrasjet masive, krimet dhe gjenocidin në kontekste të ndryshme historike, kulturore dhe politike... Me fjalë tjera, nga aspekti kulturologjik dhe socioantropologjik, brezave të tashëm dhe të ardhshëm duhet t’u mundësojmë studimin e të gjithë atyre mekanizmave që çuan në gjenocid dhe krime në Bosnjë-Hercegovinë, në Kroaci dhe Kosovë, duke u dhënë mundësinë që t’i dëgjojnë perspektivat e ndryshme të së kaluarës. Në këtë kontekst është e domosdoshme që të theksohet përgjegjësia e intelektualëve në problematizimin e nacionalizmit në rritje, ksenofobisë dhe mostolerancës që mund të çojnë në krime të reja, madje edhe në gjenocid. E nacionalizmi dhe fashizmi, për fat të keq, shpesh ndodh të ringjallen në Ballkanin Perëndimor, duke u manifestuar me tirada verbale të shumicës së politikanëve, në të gjitha mjetet mediale, me spastrim të heshtur etnik, në arsim, shkencë dhe kulturë... Prandaj, ne duhet t’i luftojmë të gjitha format e politizimit të shkencës, arsimit dhe kulturës, domethënë të përballemi me të gjitha politikat që komprometojnë vlerat e qenieve njerëzore. Parandalimi i etnocentrizmit dhe ideologjive nacionaliste që vazhdimisht po e ndotin rajonin e Ballkanit dhe që gjithmonë mund të ngrenë kokën, duhet të bëhet pjesë integrale e politikave arsimore dhe shkencës, në përgjithësi. Në këtë diskurs, një qasje ndërkulturore për t’i thelluar lidhjet ndërmjet institucioneve arsimore dhe shoqërisë do të mund të kontribuonte në parandalimin e ndarjeve shoqërore në rritje që bazohen në parimin etnofetar, e që është në përputhje me politikat e BE-së në nivel ndërkombëtar.
(Dr. sc. Suada A. Džogović, nga universiteti ‘’Haxhi Zeka’’ në Pejë, është anëtare e Ekipit ndërkombëtar për hulumtim të gjenocidit, Kanada)