Vështrime

Një natë në Srebrenicë

Mbi varret dhe vajin – shënime për një natë korriku në Srebrenicë dhe hijet e së kaluarës që turbullojnë të tashmen.

Atë natë ra shi. Nuk ishte shi me rrebesh. Ishte shi i prajshëm që binte mbi tokën e butë. Ishte nata mes 10 dhe 11 korrikut 2005. Shënohej 10-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë. Ra shi gjatë gjithë natës. Hotel në Srebrenicë? Jo, diçka të tillë s’kishte. Te Abdullahu, ndër myslimanët e parë që ishte kthyer në Srebrenicë dhe kishte hapur një restorant dhe një bujtinë, s’kishte vend më. Diplomatë dhe dinjitarë, politikanë dhe “ekspertë të rajonit” i kishin zënë karriget dhe shtretërit.

Gjeta strehë te një familje që kishte mbijetuar krimin e llahtarshëm. “Jebiga”, tha i zoti i shtëpisë, edhe vetë i habitur që kishte mbijetuar tmerrin, pastaj rrudhi supet, përkëdheli fëmijët dhe ra në gjumë. Të nesërmen kodrat rreth Srebrenicës i kishte mbështjellë mjegulla. Nëpër qytet shiheshin vetura me targa të Gjermanisë, Suedisë, Francës, Zvicrës, Austrisë, Holandës, Belgjikës... Të mbijetuarit e Srebrenicës jetojnë të shpërndarë në 105 vende të botës. Nga Zelanda e Re në Amerikë.