Vështrime

Gjarpni në hije

Hoti mund të përsërisë deri në pafund se ai do të jetë udhëheqës i dialogut dhe askush nuk do t'i besojë - për shkak se si nëpër to, e tha në mbledhje të Qeverisë se do ta themelojë një trup koordinues për negociatat, duke mos treguar se kush do të jetë koordinatori. Nuk duhet shumë imagjinatë për të konstatuar se ai koordinator do të duhej të ishte njeri i afërt i Thaçit - ashtu që ky i fundit, edhe pse jo prezent fizikisht, do t'i ngrehte penjtë nga distanca

COVID-i nuk ka të ndalur dhe tashmë i kemi mbi 3000 raste të konfirmuara me koronavirus përderisa trendi nuk po ndalet. E gjithë disiplina që na veçoi nga marsi deri në qershor mbaroi me t'u hapur gastronomia, shëtitja e lirë dhe protestat. Fatkeqësisht, është në rritje numri i atyre që besojnë se virusi nuk ekziston dhe se e gjithë kjo është një skemë e qëllimshme e dikujt me ide të errëta për ta shkatërruar ekonominë.

Në Kosovë nuk ka mbetur shumë ekonomi për t'u shkatërruar - tashmë e kemi prekur fundin moti, e burimi i kësaj është politika. Shteti i cili nuk është në gjendje ta zbatojë madje në plan emergjent me ndihma për dy muaj, tregon se nuk mund të ecën larg. E nuk mundet për shkak se 170 milionët që i kishte planifikuar qeveria e shkuar nuk mund të realizoheshin, sepse nuk kishte pasur vullnet politik. Kurse tash, kjo qeveri deklaron se nuk ka më para, dhe po qe se nuk votohet rishikimi i buxhetit, nuk do të ketë para për asgjë.