Vështrime

Spektakël teatral i shkatërruesit të teatrit

Edi Rama si shkatërrues teatri dhe asnjëherë në mungesë dramaciteti, do t’i drejtohej popullit me një qasje ku nga ai po kërkonte revoltë ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe Evropës në veçanti, pas ngritjes së "fletërrufesë" për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, e që do të thoshte ajo plaka e famshme kosovare, e cila iu drejtua atëherë ish-kryeministrit tashmë të ndjerë, Bajram Rexhepi, e cila sigurisht do t'ia thoshte po të njëjtat fjalë edhe Edi Ramës: "Po valla, na keni ndihmu, na keni kqyr, na e keni BEEEEP atë nanë". Edi Rama propagandonte për zhbërjen e kësaj gjykate, këshillë kjo e cila nuk do të jepej nga një mik e aq më pak nga një vëlla shqiptar

Sot kremtohet 30-vjetori i shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë. E mbaj mend atë ditë të premte, më 2.7.1990, kur para dyerve të Kuvendit të Kosovës, deputetët shqiptarë të cilët nuk u lejuan që të hynin brenda objektit të Kuvendit, e lexuan Deklaratën e Pavarësisë të Kosovës, e cila ishte e shkruar dhe hartuar nga akademik Gazmend Zajmi. Pas një sakrifice të një plejade të klasës punëtore, elitës intelektuale, popullatës dhe sidomos luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënies në altarin e lirisë të bijve dhe bijave më të mira të cilat i kishte rritur ky vend, ne sot e kujtojmë me pietet dhe përkulje të gjithë këtë sakrificë gjatë tri dekadave të fundit të mbarë popullit tonë, falë të cilëve sot e gëzojmë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ishin ato kohë kur populli dhe politikëbërësit shqiptarë të Kosovës ishin më unikë se kurrë për arritjen e aspiratave tona shekullore për liri dhe pavarësi. Sot, 12 vjet pas shpalljes së Pavarësisë të Republikës së Kosovës, pavarësi kjo e njohur nga 110+ shtetet më demokratike të rruzullit tokësor, populli dhe politikanët e Kosovës janë më të përçarë se asnjëherë më parë. Për të qenë kjo gjendje edhe më tragjike, e njëjta përçarje ndodh edhe me vëllezërit dhe motrat tona në Republikën e Shqipërisë.