OpEd

Letër publike “Perpit” për fajin e gazetarëve

Ekziston një gjë që mund të jetë më e rëndë sesa leximi apo dëgjimi i lajmeve të këqija. Ajo është shkrimi apo raportimi i tyre. “Perpit” në kritikat se gazetarët e kanë fajin për krejt do t’i përgjigjesha me dëshirë të madhe me fjalët e bashkëvendësit tim “Blerimit”; “Phiiii. Ma mirë s’po foli hiç burrë!”

Humori është inspirim në jetë. Është shpesh edhe metodë e mirë për të mbijetuar kohë të vështira. Por është edhe metodë shumë e mirë për të përshkruar në mënyrë brilante një situatë të caktuar, një gjendje shpirtërore të shoqërisë. Këto ditë janë bërë jashtëzakonisht të popullarizuar “gjithologët”, personazhe artistike që me humor plotësojnë emisionin “Desku” në KTV. “Shpjegimet” e tyre të situatave të ndryshme në Kosovë shpërndahen nëpër rrjete sociale, shkëmbehen përmes whats up dhe komentohen në biseda të përditshme. Ka edhe të tillë të cilët mundohen t’i imitojnë këto personazhe. Krahas karikaturave të Jeton Mikullovcit, këto “shpjegime” në anën tjetër janë bërë ndër përshkrimet më të mira të situatës në Kosovë. E ajo situatë vështirë të ketë qenë më e komplikuar siç është sot. Në fakt, i tërë ky vit ka kaluar deri më tash me vështirësi, shumë prej të cilave kanë ardhur pa mundësinë e qytetarëve që të ndikojnë në to.

“Blerimi”, një personazh nga “gjithologët” me të drejtë ka propozuar që dikush ta heqë nga rryma këtë vit dhe ta ndalë disi se po na sjell si “centrifugë”. Duket sikur të gjitha të këqijat janë grumbulluar mbi ne në këtë gjysmën e parë të këtij viti. E nëse vazhdon kështu ky vit, çfarë do të na sjellë në gjysmën e dytë.

Pak ka këto ditë gjëra që mund t’ua tërheqin vëmendjen njerëzve e që janë gjëra të bukura, argëtuese. Si mund të bisedosh sot diçka pa përmendur koronavirusin. Pa përmendur se Kosovës nuk i janë hequr vizat. Se ato edhe për një kohë nuk do të hiqen. Se Kosova nuk ka unitet politik as në kohën e vështirë. Të gjitha këto njerëzit i bisedojnë mes vete. Dhe kur hapin gazetat apo portalet, ndezin televizorin apo radion, i dëgjojnë të njëjtat gjëra.

Personazhi tjetër nga “gjithologët” që e thirrin “Perpi” ka gjetur fajtorët: gazetarët të cilët “nuk janë kurrkund për të raportuar lajme të mira sikur “kur lindin dy fëmijë si drita në Banjë”, apo kur “direkt në gojë propozohet fejesa” e lajmërojnë për infektime, viruse, dialog, aktakuza, zëvendës-ministra feministë dhe lajme të tjera të këqija “veç zi e ma zi me e ba”.

Ekziston një gjë që mund të jetë më e rëndë sesa leximi apo dëgjimi i lajmeve të këqija. Ajo është shkrimi apo raportimi i tyre. “Perpit” në kritikat se gazetarët e kanë fajin për krejt do t’i përgjigjesha me dëshirë të madhe me fjalët e bashkëvendësit tim “Blerimit”; “Phiiii. Ma mirë s’po foli hiç burrë!”.

Por pasi gazetarëve askush nuk mund t’ua mbyllë gojën, dhe nuk pranojmë të na mbyllet goja, do ja ktheja përmes një letre publike përgjigjen “Perpit”:

O Perpi. Mos u merr ti me gazetarët, por këqyri punët tua. Mësoje historinë mos me met për vjeshtë. Se lajmet e këqija nuk i bajmë na. Por nëse nuk i japim, ato mund të mblidhen edhe më shumë dhe të na godasin përnjëherë.

Nga Brukseli presim lajme të mira. Por nuk po vijnë. Be më ka ba njeri që o kon në takimin e Komitetit për Siguri dhe Politikë se e nënshkroi apo jo presidenti Hashim Thaçi, EULEX-i ka me mbet në Kosovë sa të dojë. Qysh me shku EULEX-i tash kur nuk ka shku as pas protestave të Vetëvendosjes kur thojshin “EULEX go home”. Qysh me e humb punën aq shumë njerëz nga ky mision. Çka me ba Avdyli si përkthyes? Kujt m’i tregu barsoleta!

Njani tjetër i një ambasade e kish ni prej një kolegu gjerman se francezët e holandezët nuk dojnë me ni për liberalizim vizash për Kosovën. Francezët nuk po na besojkan e holandezët ishin idhnu se gjakovarët nuk ua kanë dhanë recetën e qebapave. Bile ju kish shku fjala prej një diplomati se në Gjakovë kishin nis me mbjellë tulipanë.

Tash kur diaspora e Kosovës ka nisë me ardhë në Kosovë, është rrit frika se ata munden me i pru dhe kthy virusat. Be bani njeri, i cili i kish ni 27 ambasadora në Bruksel tuj fol qysh me ja ba mas 1 korrikut. Kanë dhanë premtime se kanë me i hap kufijtë për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit në këtë datë. Por ishin tuj u tut se mos po ju vjen tash virusi prej Kosove. Kanë frikë mos ka pasë mutacion.

Shumë ka shqetësim në Bruksel nga mutacionet e virusëve që vijnë nga jashtë në Ballkan e pastaj kthehen nga Ballkani në Evropë. Siç kemi pa edhe me disa njerëz të EULEX-it, ata kur vijnë në Kosovë për të luftuar dukuri negative, në vend që t’i luftojnë i përqafojnë ato vlera. Tash ka vendos me i mbajt kufijtë e mbyllun, sepse virusi në Kosovë po shumëzohet më shpejt se në Evropë.

E di se krejt këto janë lajme të këqija “Perpi”. Por ka edhe sene të mira. Në Bruksel javën e kaluar ka ra shi pas tre muajsh. O konë periudha më e thatë në 180 vjetët e fundit. U tha bari, u ça toka dhe u thanë bunaret. Tash kanë fillu me lulzu lulet, me u gjelbru bari përsëri. Edhe virusi osht zvoglu. Pra, gjanat mujn me shku edhe mirë.

Kur raportonim se NATO-ja do të nisë bombardimet, se do të çlirohet Kosova, se do të shpallet pavarësia, na thoshin “na kënaqet me lajme”: tash kur raportojmë se nuk do të ketë shpejt liberalizim vizash, se kufijtë e BE-së do të mbesin të mbyllur, se nuk ka kushte me u largu EULEX-i, po na thonë “na mytet me lajme”. Por ti Perpi dhe kolegët e tu na kënaqet dhe vetëm vazhdoni. Po na ndihmoni që gjërat serioze t’i absorbojmë me më pak tension.