Vështrime

Me dy koka, pa asnjë kokë

Do të ishte iluzore të besohej se Hoti mund ta anashkalonte apo ta mënjanonte Thaçin nga ky proces, kur dihet qartë se Thaçi e bëri kryeministër. Për pasojë ai do të mund ta shkarkonte kur të donte. Siç edhe do ta bëjë posa kjo Qeveri t'i përmbushë disa nga caqet që i ka përcaktuar Thaçi

Që nga data 6 qershor në Kosovë u regjistruan madje 833 raste të reja të të infektuarve me Covid-19. Prej 13 marsit deri më 5 qershor i kishim pasur gjithsej 1165 raste. Dhe çka na ndodhi? U hoqën masat, u humb kontrolli, u organizuan protesta, u mbushën kafehanet e qendrat tregtare pa asnjë masë mbrojtëse dhe i hodhëm në ujë ata tre muaj të "rri n'shpi" dhe "mbaje distancën".

Sa tipike për ne, çfarë papërgjegjësie dhe çfarë naiviteti të besohet se kjo do të kalojë vetëm pse ne po kemi qejf. Për më tepër, tash kanë nisur fushatat për të thënë se çështja e virusit është krejtësisht e shpikur dhe se kjo që po ndodh në Kosovë është konspiracion kundër këngëtarëve që vetëquhen artistë, që po mbesin pa "tezgat" e dasmave. Pare e madhe sillet aty, s'ka dyshim. Por kjo madhësi nuk reflektohet edhe te tatimet. E ky është sekret publik.