Vështrime

"Dhoma ku ajo ndodhi - Memoare nga Shtëpia e Bardhë" - JOHN BOLTON

Këshilltari i dikurshëm për siguri shtetërore i presidentit Trump, John Bolton, rishtazi e ka dërguar librin e tij për botim "The Room Where It Happened - The White House Memoir" (Dhoma ku ajo ndodhi - Memoare nga Shtëpia e Bardhë), ku ai shpalos shumë gjëra nga mënyra e të udhëhequrit të Amerikës nga presidenti Trump. Një nga shembujt, të cilët ai i shpalos aty, ka të bëjë me takimin që Trumpi e kishte pasur me presidentin kinez Xi, nga i cili kishte kërkuar që t’i ndihmonte në rizgjedhjen e tij president në vitin 2020. Kina do të mund t’i ndihmonte atij duke i blerë produktet bujqësore nga Amerika e të cilën pastaj ky do t'ua shiste popullit amerikan si storie suksesi ekonomik amerikan

Të gjithë jemi dëshmitarë të antagonizmave, të cilat politika i ka sjellë në jetët tona. Antagonizmat përbrenda familjarësh, antagonizma përbrenda shokësh të vjetër, antagonizma ndërmjet partive politike dhe, ç'është më e keqja, jemi dëshmitarë edhe të antagonizmave politikë midis shtetesh, të cilat deri dje ishin partnerë në çdo storie suksesi në glob, në qindvjeçarin e fundit. Njëra nga këto storie suksesi ishte bashkërendimi i botës perëndimore që të ndërpriste gjenocidin e aparatit shtetëror të Slobodan Milosheviqit mbi shqiptarët e Kosovës dhe që para 21 vjetësh Aleanca e NATO-s të bënte intervenim ushtarak kundrejt një shteti sovran siç ishte Serbia. Do të ishte intervenimi i vetëm i kësaj natyre që nga themelimi i kësaj aleance të fuqishme ushtarake. Në fakt, ai intervenim u realizua as duke e kërkuar pëlqimin e Kombeve të Bashkuara që në vete përmbante një lloj precedenti. Mirëpo kjo e tregon përkushtimin e botës perëndimore që të keqen ta ndalnin njëherë e përgjithmonë.