Vështrime

Cila shkelje është më e bukur?

Nuk ka shkelje të mirë dhe shkelje të keqe të Kushtetutës. Por ka shkelje që bëhen në situata emergjente dhe nën presionin për të shpëtuar jetë (siç ka ndodhur jo vetëm në Kosovë, por edhe në Gjermani) dhe ka shkelje që bëhen për ta krijuar një “republikë serbe” brenda Kosovës. Këso shkeljesh kanë bërë ata që sot janë shumë të zhurmshëm mbi shkeljen e Kushtetutës nga ana e qeverisë që u shkarkua nga mesi i marsit. Ata që kanë nënshkruar marrëveshje të paligjshme me Serbinë në Bruksel dhe janë shpallur shkelës të Kushtetutës nuk janë gardianë të ligjit themeltar të shtetit, por gardianë të mashtrimeve.

Po flasin politikanët e Kosovës se cili e shkeli Kushtetutën më shumë. Duke i thënë tjetrit se “ti dhe vetëm ti e shkele Kushtetutën”, synohet të bëhet e harruar shkelja që ia kanë bërë Kushtetutës vetë akuzuesit, që sundojnë Kosovën prej dekadash. Qeveria që sapo u largua nga pushteti, u ballafaqua me një situatë të vështirë për shkak të pandemisë. Një situatë që shumë shtete e qeveri i vuri para dilemave të mëdha: si dhe çka të vendoset? Masa radikale apo vetëm kujdes të shtuar dhe vazhdim i ritmit të zakonshëm të jetës? Çka është më e rëndësishme: shpëtimi i jetëve apo liritë themelore (lëvizja e lirë, e drejta e demonstrimit etj.)? Për ata që gjenden para vendimeve që mund të kenë pasojë edhe vdekjen e qytetarëve apo mund të kenë si efekt shpëtimin e jetës së qytetarëve, kjo është dilemë e rëndë. Të tjerët e kanë më lehtë të flasin nga foltoret e parlamentit, në studiot televizive e media sociale.