Vështrime

Hakmarrja artistike me armët e pushtetit

Në botën shqiptare tendenca e vitit zero është mani. Sado ta rrotullojmë kryet për 360 gradë sytë tanë vështirë gjejnë objekte që mund të mbajnë të paktën dy vjet zero brenda

Pas çdo shkrimtari të suksesshëm qëndrojnë të paktën njëqind shkrimtarë të dështuar, të gatshëm në çdo moment për t’u hakmarrë. Ndërkohë që janë të paktë artistët e suksesshëm, ushtria e dështakëve është e madhe dhe e mirushqyer. Kështu Platoni, që kishte pasur ëndërr të bëhej dramaturg, poet e piktor, por nuk kishte aspak talent, i dëboi artistët nga Republika e tij si manipulues e njerëz të pavlerë dhe nuk rreshti tërë jetën së shkruari kundër artit. Arti ishte kopja e një kopjeje, diçka e pavërtetë, imorale, banale. Frustrimi e shpuri të shtronte pyetjen “Çfarë vlere ka letërsia? A ishte parë ndonjherë që një poet të përmirësonte shoqërinë?”. Nëse Republika e Platonit do të ishte realizuar, do të kishim pasur precedentin e hakmarrjes artistike me armët e politikës, shkruan Buonanno në librin e tij “Sindroma e Neronit”.

Një dorëshkrim i mbetur në sirtar a një pikturë fantazmë mund të ketë vlerën e një bombe atomike, shkruan Bonanno, e shpjegon lidhjen e fortë që qëndron te shumica e diktatorëve pikërisht me dështimin e tyre në art. Që nga Neroni, poeti e dramaturgu që e shndërroi perandorinë në një skenë tragjikomike, Napoleoni, shkrimtari i rrallë, por që kishte probleme themelore me frëngjishten, Hitleri, piktori i shkëlqyer që u sakrifikua për politikë, Musolini artisti multidimensional, të gjithë kishin një ëndërr të fshehtë, të arrinin majat e artit.