OpEd

Kosova në botën e çudirave

Numri i të infektuarve nga një prej viruseve më vdekjeprurëse që kemi parë deri tash e ka kaluar moti njëmilionëshin, mbi 50.000 kanë vdekur, numri i të vdekurve po shtohet çdo ditë me mijëra. E tërë bota është e fokusuar në betejën kundër këtij virusi. Por në Bjellorusi vazhdon kampionati i futbollit, e në Kosovë zhvillohen lojëra të çuditshme politike. Virusi nuk shihet aq shumë si problem sa si mundësi. Sikur Bjellorusia për futboll, ashtu edhe Kosova për politikë po bëhen si fenomene që ofrojnë diçka ndryshe nga ajo që ka preokupuar botën. Këto dy shtete sikur janë duke jetuar në një botë të çudirave. Bjellorusia injoron ftesat e federatave ndërkombëtare të futbollit për të ndalur zhvillimin e ndeshjeve në kohën e pandemisë, ndërsa Kosova injoron ftesat që të lërë anash betejat politike dhe të fokusohet në luftë kundër pandemisë

Nga një grup i miqve me të cilët në kohë normale luaj futboll më vjen një mesazh për të rikujtuar se ditën e nesërme zhvillohet ndeshja Dynamo Minsk kundër Torpedo Jodzina, dhe që është një derbi që kurrsesi nuk duhet lëshuar. Këto dy skuadra, krahas Bate Borisov, janë më të mirat që luajnë futboll në botë në këto momente dhe me miliona njerëz i shikojnë këto ditë. Kampionati i Bjellorusisë vazhdon të luajë pa problem në kohën kur Liverpuli largon njerëz prej pune, Juventusi ua zbret rrogat lojtarëve, Valencia numëron lojtarët e shëruar nga koronavirusi, UEFA anulon Evropianin 2020, duke e shtyrë për vitin që vjen, ndërkaq Liga e parë e Belgjikës e shpall të përfunduar kampionatin para kohe. Përderisa në asnjë vend të botës nuk dihet se çfarë sjell e nesërmja në fushën e futbollit, sepse për shkak të pandemisë janë ndërprerë të gjitha garat në të gjitha divizionet, prej atyre profesionale deri tek amatore, në Bjellorusi nuk duan të dinë gjë. Vazhdojnë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Miliona tifozë në tërë botën, të ngujuar nëpër shtëpi, sepse nuk mund të dalin për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së virusit, e që nuk mund të jetojnë pa dozë futbolli, masivisht po e ndjekin kampionatin bjellorus. Derisa presin derbin e radhës së këtij kampionati, në Youtube gjejnë xhirime të vjetra të ndeshjeve të Premier Ligës, Ligës së Kampionëve apo ndonjë lojë tjetër. Dhe në fund nuk mund të besojnë se sa kualitet të lartë paska liga e Bjellorusisë, shtet, kombëtarja e të cilit lehtë ka mundur të jetë kundërshtare e Kosovës në barazh për Euro 2020, sikur të ishin luajtur ndeshja e play offit kundër Maqedonisë, të cilën Kosova do ta kishte fituar e Bjellorusia në gjysmëfinale tjetër ta ketë mposhtur Gjeorgjinë.

Ndërkohë numri i të infektuarve nga një prej viruseve më vdekjeprurëse që kemi parë deri tash e ka kaluar moti njëmilionëshin, mbi 60 mijë kanë vdekur, numri i të vdekurve po shtohet çdo ditë me mijëra. E tërë bota është e fokusuar në betejën kundër këtij virusi. Por në Bjellorusi vazhdon kampionati i futbollit, e në Kosovë zhvillohen lojëra të çuditshme politike. Virusi nuk shihet aq shumë si problem sa si mundësi. Sikur Bjellorusia për futboll, ashtu edhe Kosova për politikë po bëhen si fenomene që ofrojnë diçka ndryshe nga ajo që ka preokupuar botën. Këto dy shtete sikur janë duke jetuar në një botë të çudirave. Bjellorusia injoron ftesat e federatave ndërkombëtare të futbollit për të ndalur zhvillimin e ndeshjeve në kohën e pandemisë, ndërsa Kosova injoron ftesat që të lërë anash betejat politike dhe të fokusohet në luftë kundër pandemisë.

Dhe lojërat politike në Kosovë po gjejnë po ashtu tifozë. Mjaft tifozë të brendshëm dhe spektatorë nga jashtë, disa si tifozë e disa si të paanshëm.

Përderisa futbolli, edhe në Bjellorusi, është një lojë ku një skuadër është kundër një tjetre, njëmbëdhjetë lojtarë luajnë kundër njëmbëdhjetë të tjerëve, njëra mund të ketë ndihmën e referit nganjëherë, por në parim duket si lojë e barabartë, lojërat politike në Kosovë janë bërë sikur asnjëherë më parë askund, e as në Kosovë. Është një lojë e të gjithëve kundër njërit. E të gjitha partive politike, listave të pakicave, kundër Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është prishur me partnerin e koalicionit. Janë bërë bashkë presidenti, të gjithë ish- kryeministrat, ish-ministrat për ta krijuar një qeveri e cila do ta linte Vetëvendosjen jashtë Qeverisë pasi e rrëzuan Qeverinë në kohën e pandemisë. Dhe nuk duan ndonjë zgjidhje kalimtare. Duan formimin e një qeverie e cila do të ishte “gjithëpërfshirëse” kundër Vetëvendosjes. Qeveri e “Unitetit kundër Vetëvendosjes”. Nuk kërkohet më unitet kundër virusit, kundër Serbisë jo se jo, por kundër Vetëvendosjes. Dhe ky unitet është arritur. Sa i ka kontribuar kësaj Vetëvendosje është po ashtu një temë rreth së cilës mund të bisedohet.

Dhe uniteti i të gjithëve kundër Vetëvendosjes duket si një lojë pa rregulla. Sikur të luhet futboll me rregulla të ragbit, ku lejohet edhe kapja e topit me dorë, edhe shtyrja dhe goditja fizike e kundërshtarëve. Ironia shkon aq larg, saqë presidenti Thaçi, udhëheqës i përhershëm i dialogut me Serbinë, e akuzon Qeverinë se po e rrezikon integritetin territorial të Kosovës në veri për shkak se atje nuk po i respektojnë masat e Qeverisë së Kosovës për luftë kundër koronavirusit. Në këtë e mbështet Isa Mustafa, i cili si kryeministër ka kaluar një numër të konsiderueshëm orësh dialogu me Serbinë. E mbështesin të gjithë. Thuajse deri tash Kosova paska pasur integritet territorial në veri. Thuajse në veri nuk ka ekzistuar deri tash, me bekimin e Prishtinës, sistemi paralel edhe arsimor, edhe shëndetësor i Serbisë. Sa mund të ketë përgjegjësi për rrezikimin e sovranitetit në veri një strukturë e rrëzuar nga pushteti, e cila nuk i bëri as dy muaj më shumë sesa ata që ishin në pushtet për më shumë se 20 vjet. E që u mburren aq shumë për sukseset në dialogun e Brukselit, për të cilin tash thonë se “është i dështuar”. Dhe gjatë atij dialogu mundësuan jo shpërbërjen, por legalizimin e strukturave paralele. Dhe i premtuan NATO-s, me shkrim, se forcat e FSK-së, që tash është ushtri e Kosovës, nuk do të shkojnë në pjesën veriore të Kosovës pa pëlqimin e KFOR-it, e KFOR-i nuk do ta japë pëlqimin pa e dhënë strukturat serbe në veri, e që, deshëm ta pranojmë apo jo, janë të Serbisë.

Vendet e tjera nuk kanë kohë të merren me asgjë tjetër pos me luftë kundër virusit. Kosova duket se vazhdon ta ketë luksin të bëjë lojëra politike, sepse edhe numri i të infektuarve, dhe ai i të vdekurve, është shumë, shumë më i vogël sesa në pjesën tjetër të Evropës. Më shumë njerëz vdesin për një ditë në Belgjikë apo Zvicër apo Holandë, pa përmendur këtu Italinë, Spanjën apo Francën, sesa që Kosova ka raste të konfirmuara të infektimit me koronavirus. Dhe, për çudi, edhe nga Zvicra edhe nga Holanda e edhe nga BE-ja Kosovës i vijnë ndihma edhe në këtë kohë kur ato shtete ndoshta kanë nevojë për ndihmë nga Kosova më shumë sesa Kosova nga to.

Në komunikim me zyrtarë të BE-së këto ditë ka pasur edhe raste të keqkuptimeve të mëdha. Në pyetjen se si e shohin krizën në Kosovë, janë përgjigjur se “Kosova po përballet në mënyrë të mrekullueshme më krizën, duke pasur parasysh kapacitete të limituara që ka”. Por në Kosovë në këto momente me “krizë” së pari mendojnë në atë politike e jo në atë të pandemisë. E në pjesët e tjera të Evropës mendojnë vetëm e vetëm në betejën kundër koronavirusit dhe në pasojat që kjo krizë do të lërë pas vete kur të kalojë.

Sikurse kampionati i futbollit që vazhdon në Bjellorusi, vazhdojnë edhe lojërat politike në Kosovë. Dhe nuk do të ndalen. Sepse duket se tashmë ka një koalicion të gjerë i cili beson se e ka shumicën e votave në Kuvend dhe mund të krijojë Qeverinë. Kjo në një shtet normal demokratik, me Kushtetutë të qartë, do të ishte vërtet e mundshme. Por Kosova tashmë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, vendim jodemokratik, i cili nuk lejon që Qeverinë ta formojë ai që siguron shumicën e votave në Kuvend nëse nuk ka dalë si fitues, qoftë edhe relativ në zgjedhje. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ishte dhënë për të pamundësuar krijimin e Qeverisë pa PDK-në, ndërsa tash ia mundëson Vetëvendosjes që të mos pajtohet me asnjë kryeministër që nuk e propozon ajo. Por LDK-ja, kryetari i së cilës tashmë paraqitet si qeveri e ardhshme, beson se i ka votat në Kuvend edhe për të ndryshuar Kushtetutën nëse ka nevojë. Ndërsa Vetëvendosje beson se i ka votat e popullit për të qeverisur edhe e vetme nëse zhvillohen zgjedhjet. LDK thotë se “nuk është kohë për zgjedhje” dhe me këtë pajtohen edhe partitë e tjera që duan pushtet. Por i kanë injoruar thirrjet që të mos shkohet në rrëzimin e Qeverisë, sepse nuk është koha. Do t’i injorojnë edhe thirrjet që të mos shkohet në formimin e Qeverisë së re, sepse nuk është koha. E aq më pak është koha për ndryshime kushtetuese, të cilat në demokraci, pos votave dhe debatit në Kuvend, kërkojnë edhe debat publik. Vetëvendosje në njërën anë e të tjerët në anën tjetër janë të gatshëm t’i matin forcat në këtë lojë politike në kohë krize. Por Vetëvendosje do betejë para qytetarëve e të tjerët duan në Kuvend. Aty është dallimi. Ndoshta në kohën kur çfarëdo gare kudo në botë mbërrin edhe në bastoret që pak kanë gara për t’i futur në lista, do të mund ta gjejmë edhe mundësinë për koeficientin e betejës mes Vetëvendosjes në njërën anë e LDK-PDK-AAK-NISMA-ListaSërpska-pakicat e tjera joshumicë në anën tjetër.