OpEd

Në Prishtinë nuk ka më aleancë transatlantike – dhe kjo është një tragjedi

Kosova ka ecur përpara kur pas vetes ka pasur amerikanët dhe europianët. Tani SHBA dhe BE në Kosovë mbajnë qëndrime të kundërta. Është shumë lehtë të drejtohet gishti tregues nga njëra palë për të shfajësuar palën tjetër. Por pa politikat katastrofale të BE-së, Kosova nuk do të përfundonte në këtë qorrsokak. Dhe pa indiferencën e administratës së Barack Obamës ndaj problemeve të Kosovës, punët nuk do të kishin arritur këtu ku janë sot. Që askush nuk është marrë seriozisht me Kosovën në dekadën e fundit ka të bëjë edhe me klasën e korruptuar dhe kriminalizuar politike kosovare, ndaj së cilës shtetet e fuqishme kanë mbajtur distancë higjienike.

Përtej tifozërisë lokale për parti e personalitete të çarshisë së Prishtinës, duhet parë një zhvillim shqetësues: është hera e parë në tri dekadat e fundit që SHBA-të dhe BE-ja nuk kanë qëndrim të përbashkët ndaj një problemi në Ballkan. Boshti transatlantik momentalisht nuk po vërehet në Kosovë. Sa i përket tarifave dhe reciprocitetit: BE mbështet qeverinë në largim të Kosovës, SHBA-të janë kundër masave të nënshkruara nga kryeministri, sepse ato përfshijnë reciprocitet. Në Prishtinë, siç po shihet, nuk ka më aleancë transatlantike – dhe kjo është një tragjedi.

Deri më tani BE dhe SHBA-të kanë qenë kryesisht unike në çështjet kryesore dhe bashkë në zbatimin e vendimeve të rëndësishme. Në Dayton (marrëveshja për Bosnjën) SHBA dhe BE kanë qenë - bashkë, në Rambouillet (bisedimet për Kosovën) – bashkë, në bombardimet kundër Serbisë – bashkë, në negocimin e marrëveshjes së Ohrit për paqe në Maqedoni – bashkë, në bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës - bashkë, në përpjekjen e fundit për të gjetur një zgjidhje për Kosovën – bashkë (treshja Ischinger, Wisner dhe një diplomat rus), në përkrahjen e Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) Amerika dhe Europa kanë qenë – bashkë. Edhe procesin e negociatave në Bruksel e kanë përkrahur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu edhe marrëveshjet e mëvonshme të Kosovës me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi. (Këto dy marrëveshje nuk i kanë sjellë Kosovës pothuaj asgjë për shkak se dy presidentët, me lejen e BE-së, e kanë vazhduar muhabetin për kufijtë).

Kosova ka ecur përpara kur pas vetes ka pasur amerikanët dhe europianët. Tani SHBA dhe BE në Kosovë mbajnë qëndrime të kundërta. Është shumë lehtë të drejtohet gishti tregues nga njëra palë për të shfajësuar palën tjetër. Por pa politikat katastrofale të BE-së, Kosova nuk do të përfundonte në këtë qorrsokak. Dhe pa indiferencën e administratës së Barack Obamës ndaj problemeve të Kosovës, punët nuk do të kishin arritur këtu ku janë sot. Që askush nuk është marrë seriozisht me Kosovën në dekadën e fundit, ka të bëjë edhe me klasën e korruptuar dhe kriminalizuar politike kosovare, ndaj së cilës shtetet e fuqishme kanë mbajtur distancë higjienike.

Tani hendeku mes BE-së dhe SHBA-ve po thellohet sa i përket Kosovës. Ka një entuziazëm sidomos në mesin e funksionarëve naivë të Lëvizjes Vetëvendosje që besojnë se BE do të bëjë mrekulli tani që spanjolli Josep Borrell si kryediplomat i BE-së po tregohet pak më i arsyeshëm ndaj Kosovës për dallim nga koha kur ka qenë ministër i Jashtëm i Spanjës. Por së fundi edhe Borrell në një takim në Berlin ka pyetur nëse zgjidhja e duhur do të ishte po t’i jepej Serbisë veriu i Kosovës. Borrell e përshëndeti heqjen e tarifës nga qeveria në ikje e Kosovës, por nuk tha asnjë fjalë kritike ndaj Serbisë.

Heqjen e tarifave ndaj Serbisë para disa ditëve e përshëndeti ministrja e Jashtme e Spanjës. Ishte me gjasë hera e parë që një zyrtare spanjolle tha një fjalë të mirë për Kosovën pas vitit 2008. Diplomatë të Kosovës tregojnë se si në pritje të ndryshme diplomatët spanjollë u kanë thënë: “Kemi urdhër nga Madridi që as dorën të mos ua japim”. Politika e Spanjës ndaj Kosovës ka qenë tejet destruktive, duke bërë krahasime mes Kosovës dhe Katalonisë – dy konflikte që nuk mund të krahasohen.

Mos të flasim këtu për deklaratat antikosovare të zyrtarëve qipriotë, të popullistëve sllovakë, nacionalistëve grekë (ndonëse politika zyrtare greke viteve të fundit ka qenë befasisht e matur ndaj Kosovës) apo të ish-presidentit rumun Trajan Basesku, i cili antikosovarizmin e tij e dëshmonte edhe me celebrimin e një “miqësie ortodokse” me Serbinë. Që nga viti 2014 kryetar i Rumanisë është Klaus Johannis, një gjermano-rumun. A ka ndryshuar diçka në qasjen e Rumanisë ndaj Kosovës? Jo.

Po shtetet e mëdha të BE-së çfarë bën për Kosovën në këto vite? Gjermania qëndroi indiferente dhe bllokoi heqjen e vizave për kosovarë. Franca tha se nuk ka vija të kuqe, pra nëse palët merren vesh për korrigjim kufijsh apo ndarje – urdhëroni. Austria – ngjashëm. Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë i dërguari i ri i BE-së, Mirosllav Llajçak. Ai i njeh problemet e rajonit, e di se çfarë domethënë prishja e kufijve, sepse ka qenë përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë. Do të ishte mirë, për shembull, që BE jo vetëm të përshëndes heqjen e tarifave, por të kërkojë nga Serbia të ndalë fushatën për çnjohjen e Kosovës dhe të kërkojë nga shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që këtë ta bëjnë. Do të mund ta bënte këtë edhe kancelarja Angela Merkel. Ose presidenti Emmanuel Macron. E bëri ndokush? Jo. Heshtje.

Në Kosovë shumë njerëz mund të jenë kritikë ndaj ambasadorit Richard Grenell, mund të mos u pëlqejë mënyra se si ai e kupton diplomacinë, si i shtynë gjërat përpara, por qasja e tij tejet e pazakontë, shpesh brutale, ua ka ndezur evropianëve zjarrin nën fundshpinë dhe tani ata po sillen si pa krye në konfliktin e Kosovës.

A do të ketë ndarje të Kosovës? Askush nuk e di, përveç ndoshta Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit. “Raporti i tyre është raport mirëbesimi. Harroni këto çka thonë ata në publik për njëri-tjetrin”. Kështu thonë zyrtarë të lartë të PDK-së në kushte anonimiteti. A do të ketë korrigjim të kufijve? As këtë nuk e di askush përveç atyre që mund të kenë negociuar për këtë. Kosovën nuk e pret një zgjidhje fatlume e raportit të saj të vështirë me Serbinë.

Për të shmangur dëmin e pariparueshëm kërkohet unitet – më shumë se kurrë që nga epoka e Rambujesë (Rambouillet). Ky unitet, fatkeqësisht, duket iluzor për shkak të polarizimit të thellë në skenën politike të Kosovës. Përtej kacafytjes mes Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit, shqiptarët e Kosovës duhet të shqetësohen për shkak të hendekut mes BE-së dhe Amerikës dhe paralajmërimit të një marrëveshjeje për të cilën kanë negociuar dy veta – Thaçi dhe Vuçiqi. Sot shefi i LDK-së tha se ky parlament që e votoi rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit, ka numra për të ndryshuar edhe Kushtetutën. Pse po përmendet ndryshimi i Kushtetutës? Ndoshta për të kaluar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën Richard Grenelli “nuk e ka parë kurrë”.