Vështrime

“Plan sekret” mund të mos ketë, biseda sekrete për kufij ka pasur

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është afër, sinjalizonte presidenti Donald Trump në dhjetor 2018. Para tij, në gusht 2018, këshilltari për Siguri Nacionale, John Bolton, theksonte se SHBA-të nuk do të kundërshtojnë “shkëmbimin e territoreve” mes Serbisë dhe Kosovës dhe nënvizonte se “ka shenja të reja” se palët “janë të gatshme të negociojnë për këtë”. Më qartë një diplomat nuk mund të flasë. Idenë e kanë shoqëruar me tekste mbështetëse edhe intelektualë me ndikim si Ivan Krastev apo ish-diplomati austriak Wolfgang Petritsch. Për kufijtë hapur kanë folur presidentët e Kosovës dhe Serbisë. Njëri duke thënë se Kosova e merr Luginën e Preshevës, tjetri duke treguar se është folur që edhe pjesë të Anamoravës t’i bashkohen Serbisë. Ndoshta ndërkohë ideja për shkëmbim territoresh është varrosur. Këtë do ta kuptojë opinioni i Kosovës mbase këtë vit. Dhe do të shihet kush e tha të vërtetën: Albin Kurti që me ton pothuaj panikmbjellës alarmoi se “ekziston një plan” për prekjen e kufijve apo Avdullah Hoti, kandidati i mundshëm i LDK-së për kryeministër, i cili po thotë se kjo është përrallë. Ndërsa sa i përket shqetësimit të europianëve që Trump po “përzihet në kopshtin tonë”, duhet thënë: europianët kanë fjetur me vite.

Jo për t’ia prishur entuziazmin atyre që pas deklaratës së fundit nga SHBA-të thonë se gjithçka ka qenë dramë e panevojshme, sepse “nuk ka plan sekret për shkëmbimin e territoreve”, por për hir të së vërtetës duhet renditur faktet që tregojnë se gjithsesi prekja e kufijve ka qenë pjesë e bisedave mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë.