Vështrime

Pranvera e koronavirusit

Po e përjetojmë hovin e luftës mbarëbotërore për t’ia dalë mbanë përhapjes së koronavirusit të ri (SARS-CoV-2) dhe sëmundjes të cilën e shkakton ai dhe e cila është emërtuar Covid-19. Forma më e re e virusit nga grupi i quajtur coronaviridae, e lindur në Wuhan, e përhapur gjerësisht në Itali, tani në Spanjë e shtetet e tjera perëndimore, ka trokitur me të madhe në derën e SHBA-së e cila duket se do të jetë shteti me numrin më të madh të të sëmurëve dhe të të vdekurve nga kjo pandemi. Kosova, pashmangshëm, u prek dhe masat që po ndërmerren edhe në shtetin tonë nuk dallojnë nga pjesa tjetër e botës dhe situata ende, në fund të muajit mars, duket të jetë në kontroll sa i përket shëndetit publik.

Edhe pse presidenti Trump dhe ndonjë bashkëmendimtar i tij dalin dhe deklarojnë se ky apo ai bar është efektiv në trajtimin e infeksionit, si edhe paraqiten qindra apo mijëra artikuj, të verifikuar apo të paverifikuar për dobinë e këtij apo atij bari, një gjë është e sigurt shkencërisht, bar kundër koronavirusit nuk ka! Të gjithë njohësit e fushës e dinë se klorokina (bari për trajtimin e malaries) dhe azitromicina (antibiotik për trajtimin e infeksioneve bakterore) kanë nevojë për testim shkencor dhe klinik, që zakonisht është afatgjatë, për të ardhur në përfundimin nëse do të ketë dobi apo jo. Këto dy barna dhe të tjerat që përdoren aktualisht për trajtimin e sëmundjeve të tjera do të kenë një përparësi nëse një ditë aprovohen për përdorim në sëmundjen Covid-19 – do të dihet profili i tyre i efekteve anësore – gjë që do ta shkurtojë kohën për zbatimin e tyre praktik. Kurse, laikët dhe ata që janë të prirë të besojnë në rekomandimet e ndonjë presidenti apo pseudoshkencëtari përfundojnë me depozitimin e këtyre barnave në shtëpitë e tyre, në mos përfundojnë me vdekje siç është rasti i amerikanit të joshur nga presidenti i tij.