OpEd

Pushim pa panik

Koronavirusi mbase na e dha rastin që më në fund t'iu kthehemi librave e besa edhe familjeve tona. Më shumë muhabet të cilin na e ka mbytur dinamika ditore e jetës në Kosovën e pasluftës hiç nuk do të na bënte dëm.

E komentonte një mike imja sot: "Që kthehemi në gjendjen e para 20 e kusur vjetëve e që nisim me mbledh ushqim e gjësende të tjera nga paniku se do të mbetemi të uritur, zor që më kishte shkuar ndër mend". Dhe njëmend, këto dy-tri ditët e fundit na kanë kthyer me shpejtësi të dritës në kohën e luftës, kur raftet qëndronin kryesisht të zbrazura dhe ku produkte si mielli, vaji, sheqeri e kripa bliheshin me qindra kilogramë e me shumë kuti që në rastin e parë...

Ngarendja nëpër dyqanet në krejt qytetet e qytezat e Kosovës, blerja e pakontrolluar e produkteve ushqimore dhe akumulimi i tyre nëpër shtëpi na doli të jetë një diçka që mbase nuk e kishim paraparë se do të mund të na ndodhte. Dhe sinqerisht, disi e gjithë kjo rrëmujë nisi në formë orteku dhe e solli situatën që e kemi sot: në shumë dyqane nuk ka produkte bazike. Dhe këto produkte bazike nuk janë prodhim i Kosovës - por janë gjëra që importohen. I gjithë ky panik, për kot, megjithatë.

Që nga kjo javë, fëmijët rrinë në shtëpi, e me ta edhe bile ndonjëri prej prindërve. Qytetarëve po u preferohet që të vetizolohen, të qëndrojnë në shtëpi sa më gjatë dhe të mos dalin nëse vërtet nuk ka shumë nevojë. Prej dje edhe Kosova hyri në listën e shteteve të prekura me Covid-19, dhe që nga mbrëmë, dy komuna futen në karantinë (Vitia e Klina), ndërkohë që mbyllen të gjitha lokalet e kafiteritë, qendrat tregtare dhe ndalohen aktivitetet kulturore e sportive. Udhëtimi është i ndaluar, pos për rastet e kosovarëve që janë jashtë shtetit, e që duhen të kthehen, të kontrollohen dhe të mbahen të izoluar për dy javë nga dita kur kthehen pas.

Me këto vendime, Kosova shumë seriozisht u është qasur masave më drastike për parandalimin e përhapjes së virusit, që na ktheu, pa dashjen tonë, në psikozën që mendonim se e kishim harruar qe dy dekada.

Taksa

Me gjithë formimin e komiteteve të veçanta që do të merren me parandalimin e përhapjes së koronavirusit, dhe me një varg konferencash për shtyp që i përcjellim në çdo orë për këtë temë, megjithatë vazhdoi aktiviteti politik si në Qeveri, ashtu edhe në Kuvend.

Tema e pashmangshme, ajo e taksës, natyrisht se nuk zbriti nga ballinat dhe kryetitujt. Dikush me insistimin që gjithsesi të hiqej, se po prishen raportet me Amerikën, e dikush që duhej të bëhej gradualisht e që më pas të zëvendësohet me masa të reciprocitetit.

Me kërkesë të opozitës u mbajt një seancë e jashtëzakonshme. Zgjati deri para mesnatës, dhe prej krejt seancës do të veçoheshin fjalimi i Kurtit gjatë ditës dhe fjalimi i jashtëzakonshëm i Vjosa Osmanit në përmbyllje të saj.

Seanca mbaroi pa asnjë përfundim, ngase opozita nuk paraqiti rezolutë, kurse rezoluta e partive të koalicionit qeverisës nuk u fut në procedurë për shkak se nuk kishte kuorum.

Sido që të jetë, taksa ende vazhdon të jetë tema së cilës askush nuk i shmanget, dhe për opozitën (minus AAK-në), mos-heqja e taksës është atuja kryesore që kanë për ta sulmuar Qeverinë.

Dhe pas gjithë këtyre muajve, sidomos javëve të fundit ku u shpreh kaq zëshëm insistimi i Grenellit që taksa të hiqej, "për të mirën e Kosovës" thuhej, ende nuk e kam të qartë se përse i gjithë ky insistim për një vendim sovran, që nuk është ama bash asnjë pengesë për të vazhduar dialogun. Se po të ishte pengesë, Thaçi e Vuçiq nuk do të takoheshin orë e çast për të folur kush e di për çfarë punësh që nuk na i bëjnë publike.

Sinqerisht, po qe se kjo taksa e ndalon arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë, të keqe dhe të pakthyeshme për Kosovën, atëherë më mirë është që të mos hiqet. E kjo nuk do të thotë se mbajtja e taksës të bën antiamerikan. Përkundrazi. Të bën më proamerikanin të mundshëm: sepse po e mbron një shtet të cilin fillimisht e kanë çliruar Amerika me miqtë, e që më pas e kanë pavarësuar Amerika me miqtë.

E premte, 13

Takim i shumëpritur dhe i shumështyrë ndërmjet kryetarit dhe kryeministrit më në fund u mbajt dje. Qëlloi të ishte e premte, i 13-ti i muajit, dhe po në ditën kur na u konfirmua ajo që tashmë do të ishte e pashmangshme - se edhe ne do të kishim, herët a vonë, raste me koronavirus.

Dhe virusi e qiti në hije këtë takim, që për dallim nga takimi i parë që kishte zgjatur 4 minuta, zgjati dy orë të plota dhe u detyrua të ndërpritej për shkak të situatës së zhvilluar me virusin.

Që të dy thanë se kishte qenë takim përmbajtjesor, që kishin folur për gjërat që kanë të bëjnë për të mirën e Kosovës. Kurti në konferencën e tij për shtyp tha se u kishin mbetur plot gjëra pa i folur, dhe se do të kishte takime të reja.

U la të nënkuptohej se pos çështjeve të brendshme, konkretisht virusit që është bërë kryetema, kishin biseduar edhe për bashkërëndimin e punës në politikën e jashtme, që nënkupton problemin kryesor aktualisht: bisedimet me Serbinë dhe, po besoj, se kush do ta udhëheqë procesin e dialogut dhe si.

Na mbetet t'i presim takimet e radhës dhe të shohim po qe se do të arrijnë të merren vesh. Porse një gjë është e sigurt - asnjëri nuk e ka as të drejtën e as legjitimitetin të negociojë në emër të Kosovës pa e pasur përkrahjen dhe autorizimin e Kuvendit dhe pa e arritur një konsensus mes subjekteve politike shqiptare, në rend të parë, për strategjinë dhe qëllimin që mëtohet të arrihet me këto negociata.

Sido që të jetë, ndalimi i udhëtimeve, po qe se vërtet respektohet, do ta bëjë të pamundur takimin e sërishëm kokë më kokë mes Thaçit dhe Vuçiqit pa dijen e të tjerëve. Por, nëse nuk respektohet dhe përderisa këto takime nuk mund të bëhen në Amerikë, askush nuk e përjashton se mund të bëhen qoftë në Kosovë apo edhe në Serbi.

Për të mirën e Kosovës, mirë do të ishte që të mos ndodhnin fare.

Virusi e solli një pushim të nevojshëm, por të pakërkuar në këtë formë. Mbase do të jetë rast i mirë për të gjithë që të ulen e debatojnë se si t'ia bëjnë që t'i hyjmë një procesi të mirëfilltë negociatash që për qëllim do ta kenë paqen dhe ecjen para.

* * *

Koronavirusi e ngriti çmimin e mallrave të artikujve bazikë dhe e uli atë të naftës. Nuk po e mbaj mend se kur një litër karburant kishte kushtuar më pak se një euro në Kosovë. Porse çfarë t'i bëjmë që ky çmim bie në kohën kur pak shumë njerëz do të jenë në gjendje ta "shijojnë" këtë "lehtësim" për shkak të rekomandimit se është mirë të kufizohet qarkullimi me vetura dhe autobusë.

E bëri edhe një gjë tjetër - krejt muhabetin e ktheu nga vetja dhe thuajse na la pa tema për raportim.

Mbase na e dha rastin që më në fund t'iu kthehemi librave e besa edhe familjeve tona. Më shumë muhabet të cilin na e ka mbytur dinamika ditore e jetës në Kosovën e pasluftës hiç nuk do të na bënte dëm.

Fare në fund, e shkurtoi edhe këtë kolumne :) .

Çfarë për t'i shtuar kësaj, pos urimit që pandemia të kalojë sa më shpejt dhe me sa më pak viktima.

flaka@koha.net