Vështrime

Raportimi për koronavirusin, dezinformatat dhe gjuha sensacionale

Në thjerrëzat e gazetarit çështjet më të rëndësishme janë tri: informimi i saktë i publikut për koronavirusin, shmangia e gjuhës dhe elementeve sensacionale, si dhe kujdesi i shtuar në përdorimin e pamjeve për të mos “ushqyer” panik te publiku

Koronavirusi është shqetësimi kryesor i shumë shteteve në ditët dhe javët e fundit. Në Kosovë ende nuk është konfirmuar asnjë rast me këtë virus, megjithatë shoqëria kosovare u është ekspozuar informacioneve të shumta dhe të ndryshme lidhur me këtë pandemi. Ende pa u shfaqur ndonjë rast në Kosovë, qytetarët, si pasojë e mënyrës së raportimit të medieve, kanë filluar të ndiejnë frikë, sidomos pas shfaqjes së koronavirusit në Shqipëri. Media nëpërmjet raportimit mund të vendosë agjendën e debatit publik dhe, pas çështjes së tarifës dhe marrëdhënieve Kosovë-SHBA, tema tjetër më e diskutuar në publikun kosovar është koronavirusi. Profesori amerikan, Bernard Cohen, thotë se media mund të mos jetë e suksesshme në atë se si duhet të mendojnë njerëzit, por është e suksesshme për t‘u treguar atyre për çfarë të mendojnë. Ndjeshmëria në raportimet për rastet që ndërlidhen me shëndetin, si çështja e koronavirusit, kërkon nga gazetarët që të jenë shumëfish më të kujdesshëm kur raportojnë për tema të tilla. Media duhet të kryejë funksionin e informimit të shoqërisë, mirëpo këtë duhet ta bëjë duke e ndërgjegjësuar shoqërinë për një pandemi si kjo e koronavirusit dhe asnjëherë të mos mendojë të përfitojë nga situata për më shumë klikueshmëri apo shikueshmëri.