OpEd

Një vit i gjatë përpara

Një vit, aq sa mund t'i zgjasë Thaçit shpëtimi i lëkurës, ngase mbase do ta ketë arritur ndonjë marrëveshje që Specialja të mos e prekë derisa është duke e mbajtur postin e kryetarit të shtetit. Apo mbase do ta ketë ofruar e arritur një marrëveshje që të mos preket fare, ngase është i vetmi njeri që do të pranojë të nënshkruajë çfarëdo. Sikurse e nënshkroi autonominë territoriale për serbët në veri dhe sikurse ishte i gatshëm ta nënshkruante këmbimin e territoreve duke u dhënë shpresa të kota luginasve, me do teori që i ka shkelur treni qëmoti.

Java nisi furishëm me disa vendime jo me pak peshë nga Qeveria, në javën kur shënohej Epopeja e Jasharëve. Mbase vendimi më i zhurmshëm qe ai i kthimit të ambasadorëve politikë, për shkak të kryerjes së mandateve sipas fuqisë së ligjit. Vendim, natyrisht, që nuk mund të ketë efekt të menjëhershëm, ngase duhen përgatitje për zëvendësimin e këtyre personave, qoftë me diplomatë karriere apo edhe të emëruar politikë.

Vendimi tjetër erdhi nga Kuvendi, i cili nuk pranoi propozimin e Trustit Pensional që t'u paguhej anëtarëve të Bordit 70% e pagës për një vit pas përfundimit të mandatit. Arsyetimi: është zhvatje e buxhetit.

I treti, mbase më i rëndi për nga pesha e parave, qe ai për anulimin e marrëveshjes me "Bechtel Enkan" për ndërtimin e tri kyçjeve në autostradën për në Shkup në vlerë prej nja 30 milionë eurosh. Megjithatë, meqë kjo çështje kishte qenë punë e një vendimi të marrë nga Qeveria e shkuar, mund të ketë efekte financiare, për shkak se kontrata tashmë është negociuar, por jo edhe nënshkruar.

E megjithatë, krejt këto vendime, paraqitja e programit 45-faqësh qeveritar si dhe emërimi i një numri jo të vogël këshilltarësh politikë nëpër ministri, mbetën nën hijen e një shou të vërtetë në regjinë e Hashim Thaçit.

Imponim agjendash

Hashim Thaçi qëndroi mjaft gjatë në Amerikë. Pati takime në Shtëpinë e Bardhë, u tha. U takua me Vuçiqin e Grenellin dhe u kthye në Kosovë. Kurti, ndërkohë, ia nisi një letër duke e ftuar që t'i bashkërendojnë veprimet në politikën e jashtme. Ky e injoroi. Për më tepër, e nisi një letër nga zyra e tij, në të cilën thuhej se "Thaçi ishte institucioni më i lartë kushtetues për politikën e jashtme". Pra, për pasojë, do të duhej të ishte edhe më përgjegjësi për krejt dështimet e diplomacisë kosovare, përfshirë edhe çnjohjet. Porse kjo nuk thuhej në letër.

U kthye nga Amerika me arrogancën që e karakterizon dhe ia shkroi një letër kryeparlamentares Osmani, në të cilën i tregonte se, në bazë të nenit të gabuar të Kushtetutës, do t'i adresohej Kuvendit për vizitën në Amerikë dhe se seanca do të duhej të mbahej po atë ditë në orën 16:00.

Osmani ia ktheu, duke thënë se deputetët ishin të zënë me punë të tjera, dhe se mbledhja e ardhshme e kryesisë së Kuvendit do të mbahej më datën 9 mars, ku edhe do të shqyrtohej kërkesa e Thaçit, ngase në asnjë vend nuk e kishte cekur se kjo që e kërkonte ishte çështje urgjente.

Natyrisht, i pamësuar që t'i thuhej jo, e thirri një konferencë për gazetarë, ku foli e foli, e praktikisht nuk tha asgjë që nuk e kishim dëgjuar deri tash. Natyrisht, e tha atë që ia mori mendja ta thoshte, dhe në njërën nga ato fraza patetike që i përdor, e tha se do të vazhdonte të ishte transparent për këto procese e takime. Me fjalë të tjera, nuk do të jetë fare transparent. Se po të ishte transparent, në fakt është dashur ta kishte thirrur mbledhjen e Kuvendit para se të nisej në Amerikë, për t'i informuar deputetët për arsyen e udhëtimit dhe agjendën e takimit apo takimeve. Po të ishte transparent, do të tregonte se do të takohej me Vuçiqin sërish.

Në konferencë, mori për argument se po qe se Kosova nuk e pranonte lidershipin amerikan në negociata, do t'i humbte me miliarda dollarë investime në Kosovë. Njëkohësisht, sulmoi BE-në si për liberalizim, ashtu edhe për shumëçka tjetër. Porse jo edhe për "marrëveshjet historike" që i kishte nënshkruar nën patronazhin e baroneshës Ashton nga BE-ja, e as për tentim-këmbimin e territorit, në të cilën aktivisht mori pjesë së bashku me Vuçiqin dhe me Mogherinin, si ndërmjetëse nga BE-ja.

Përpjekja për ta eliminuar BE-në nga një proces të cilin e ka sakatuar vetë, me vendimet kokë me vete dhe me negocimin kot, me të cilin e kishte ngarkuar Edita Tahirin, e më pas të cilin e kishte marrë vetë nën kontroll, çon porosi shumë të keqe edhe pjesës tjetër të botës që na shpëtoi nga zhdukja, kur iu bashkua SHBA-së në fushatën e sulmeve ajrore kundër Serbisë.

Thuajse harron sasinë e parave që e ka investuar BE-ja në Kosovë si dhe ndihmën e vazhdueshme të cilën e ofron, pavarësisht kënaqësive apo pakënaqësive që mund t'i kemi për jo rrallë veprimin e ngathtë të BE-së.

Nëse e beson se Kosova mund të mbijetojë vetëm me përkrahjen amerikane, gabim e ka, për shkak të faktit të thjeshtë se Kosova gjendet në Evropë. Kjo do të thotë se për Kosovën është shumë me rëndësi të vazhdojë ta ruajë përkrahjen amerikane, por edhe të shteteve të mëdha evropiane, ngase pa to, ky vend perspektivë nuk ka. E sa i përket liberalizimit - fajin do të duhej ta kërkonte te vetja dhe te zyrtarët që i emëroi vetë apo i solli në pozita vendimmarrëse. Liberalizimi nuk na erdhi, sepse krimi e korrupsioni i instaluar nga qeverisja që nisi me të, nuk luftohet në Kosovë. Shumë thjesht, ani që nuk po na pëlqen që kemi mbetur të getoizuar.

Letrat që e zbulojnë frikën

Menjëherë pas kësaj konference, KOHA e zbuloi dhe publikoi letrën që Thaçi ia kishte nisur shefit të State Departmentit amerikan, Mike Pompeo, në lidhje me Gjykatën Speciale. Letra e gjatë madje nja pesë faqe, niste me referencën që u bëhej institucioneve të Kosovës, që shprehnin brengën se përse ishte krijuar kjo Gjykatë Speciale, që ishte një institucion i padrejtë që do t'i gjykonte vetëm shqiptarët. Sill e pshtill, porosia për Pompeon qe: le ta prishë Amerika këtë Gjykatë.

Përgjigjja e Pompeos qe dëshpëruese për Thaçin, ngase ai e lavdëronte hapin e Kosovës për t'u ballafaquar me krimet e luftës nëpërmjet një institucioni vendas, por me punonjës të huaj që duhen ruajtur neutralitetin.

Kur jemi te transparenca, Thaçit nuk iu kujtua të na tregonte se ia kishte drejtuar një letër të këtillë Pompeos edhe në emrin tonë. Meqë doli në publik, dhe kur u pyet për të, tha: "Ajo letër është e qartë, e qëndrueshme, shumë e saktë".

Nuk e di se cilës pjesë të letrës iu referua për saktësi, por mbase duhet kujtuar se Gjykatën Speciale e votuan edhe deputetët e tij, pasi që ky i detyroi; ligjin për këtë Gjykatë, me përbërje, seli, buxhet, mënyrë të operimit, etj., e ka miratuar Qeveria, në të cilën ai ishte zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm; Specialja u votua për shkak të tijin - se baza për Specialen doli nga Raporti Marty, e ky raport e ka Thaçin për kryeprotagonist.

Para më shumë se dy vjetësh, Thaçi bashkë me Haradinajn e Veselin, u nisën për ta shpërbërë Gjykatën Speciale kur e panë se edhe ata mund të jenë objekt trajtimi nga ajo. Presioni ndërkombëtar qe aq i fuqishëm, sa i detyruan të hiqnin dorë. Dhe fakti se sërish u ngrit çështja e Gjykatës të cilën vetë e formuan dhe e promovuan, tregon se vazhdon të ekzistojë mundësia reale se këta tre do të trajtohen nga Specialja. Në fakt, tashmë Haradinaj dhe Veseli kanë qenë të sinqertë për të treguar se ishin ftuar nga Specialja, kurse Thaçi me ngulm e mohon të jetë intervistuar ndonjëherë nga Specialja.

E letra e fshehur e Thaçit, e elaboruar gjerë e gjatë, po tregon se vetë Thaçi është në radhë për t'u ftuar nga Haga (nëse tashmë nuk është ftuar). E edhe ngulmi për të shkuar në Amerikë dhe për t'u paraqitur si njeriu me të cilin duhet bërë negociata, është në fakt atuja e fundit që i ka mbetur Thaçit për ta shpëtuar lëkurën. Dhe është atuja që është duke e përdorur ka disa vjet. Do ta kujtoni se kur negocionte me Mogherinin, ashtu në formë "transparente" siç na ka mësuar, thoshte se marrëveshja duhet të arrihet deri në fund të vitit (2018 e më pas 2019). Tash sërish thotë se marrëveshja, ulësja në OKB, njohja e ndërsjellë, blla, blla... duhen të arrihen shpejt, nën udhëheqjen e SHBA-së - sepse vijnë zgjedhjet në Amerikë, pra ky duhet të shënohet si sukses diplomatik për administratën, përderisa Thaçit i skadon mandati brenda një viti.

Një vit, aq sa mund t'i zgjasë shpëtimi i lëkurës, ngase mbase do ta ketë arritur ndonjë marrëveshje që Specialja të mos e prekë derisa është duke e mbajtur postin e kryetarit të shtetit. Apo mbase do ta ketë ofruar e arritur një marrëveshje që të mos preket fare, ngase është i vetmi njeri që do të pranojë të nënshkruajë çfarëdo. Sikurse e nënshkroi autonominë territoriale për serbët në veri dhe sikurse ishte i gatshëm ta nënshkruante këmbimin e territoreve duke u dhënë shpresa të kota luginasve, me do teori që i ka shkelur treni qëmoti.

* * *

Kryetari i ri i Kosovës duhet të zgjidhet më së voni 30 ditë para se t'i skadojë mandati Thaçit, që e nisi detyrën më 8 prill 2016. Kjo do të thotë se më dt. 8 mars 2021, Kosova do të ketë kryetar tjetër, ngase është thuajse e pamundshme (edhe pse në Kosovë gjithçka bën vaki) që Thaçi të zgjidhet edhe për një mandat.

Ky do të jetë një vit mandati tejet i gjatë, duke e pasur parasysh se Thaçit po i ngushtohet laku. Do të jetë tepër i gjatë, për shkak se ai vazhdon t'i bjerë muzikës së tij ashtu siç ia merr mendja. Do të jetë tepër i gjatë, për shkak se do të përpiqet të shndërrohet në faktorin unifikues që do të duhej koordinuar çështjen e negociatave me Serbinë. Pra, kinse të koordinohet dhe kinse të krijojë ekip uniteti ku ai do të vazhdonte me agjendën e vet, kokë më vete, siç ka bërë që nga 2010-a.

Do të jetë vit tepër i gjatë, në të cilin do të mund të na dalë edhe me kushedi çfarë befasish të tjera që nuk do të jenë lajme të mira për Kosovën.

Prandaj, edhe duhet zbatuar krejt mekanizmat kushtetues dhe ligjorë për t'ia ndalur hovin. Mbase do të duhej të niseshin nga kufizimi i buxhetit për shëtitje andej-këndej, si hap i parë. E më pas, do të vinte zbatimi i vendimit të Kushtetueses që e përcakton ekzekutivin si bartës të procesit të negociatave. E më pas, mbase edhe zbulimi i ndonjë letre tjetër të fshehtë që do ta ballafaqonte me Kushtetuesen..., apo mbase edhe një ftesë që më në fund do të bëhej publike...

flaka@koha.net