OpEd

Fast Forward

Tri javët e para të kësaj qeverie po i ngjasojnë shikimit të një shiriti filmik me “fast forward”, me shpejtësi, për shkak se për çdo ditë po miratohen vendime që në fakt anulojnë një sërë vendimesh të paligjshme, jo vetëm të qeverisë së fundit, por edhe atyre tjerave që janë shquar për keqmenaxhim financash publike.

Nisa të besoja se mbase do ta kishim një javë në të cilën nuk do ta shënonte asnjë skandal - dhe përvoja më dëshmoi se një besim i tillë në Kosovë është përherë i parakohshëm. 

Para dy netësh, mbas dy vjet heshtjeje absolute nga bota, ku askush nuk na njihte, por ku në fakt na tregonin se sa i kishin rënë pishman që na kishin njohur – Hashim Thaçi doli për të na treguar se Xhamajka na kishte pranuar si shtet. Krejt u gëzuan, krejt dolën me statusa andej–këndej, derisa herët në mëngjes nuk e zbuluam përgjigjen e ministres së Jashtme xhamajkane te statusi i Thaçit, që e thoshte të kundërtën. 

Thaçi e përmendi ambasadoren Çitaku si burimin e informatës. Çitaku, nga ana tjetër, duket se u ka thënë të gjithëve se pranimi po vjen, porse nuk do të duhej bërë publik para se të arrinte nota verbale. Thaçi nuk e priti notën; e qiti lajmin dhe e prishi njohjen. Të nesërmen, refuzoi t’u përgjigjej gazetarëve. 

Bile i injoronte me sa më shumë arrogancë që të ishte e mundur dhe duke hequr natyrisht përgjegjësinë prej vetes. Ngase, nëse dje nuk ka folur, do të flasë në ditët në vijim dhe pataten e nxehtë do t’ia lërë në dorë ministrit të Jashtëm. 

Festë modeste, fjalime përmbajtjesore

Java nisi me kremten e 12-vjetorit të Pavarësisë. Pa ndonjë aktivitet më të madh sesa mbajtja e seancës solemne dhe vizita kazermës për ta takuar FSK-në. 

U vunë kurora lulesh te Jasharët në Prekaz; te Rugova e Demaçi (këtu Kurti e Osmani bashkë) dhe te monumenti heroinat (vetëm Osmani). Në Kuvend, e dëgjuam një fjalim frymëzues të Osmanit, e cila kishte ftuar edhe 12 fëmijë të lindur më 17 shkurt 2008; sportistët dhe artistët eminentë dhe ndërmarrës të rinj të cilët i përshëndeti në formë të veçantë. 

I vetmi i cili mungonte qe kryetari i shtetit, por mungesa e tij duket se as nuk u vërejt. Seanca solemne nisi me një performancë kot të PDK-së me vendosjen e një flamuri tepër të ndrydhur të UÇK-së prapa kryesisë së Kuvendit. Se përse u veprua ashtu, nuk e kam fare të qartë, sepse nëse kjo porosi i është drejtuar Albin Kurtit, atëherë do të duhej kujtuar se ai ka shkuar në burg pse ka qenë sekretar i Demaçit, zëdhënës i UÇK-së dhe ai dhe partia e tij të vetmit kanë votuar kundër themelimit të Gjykatës Speciale. Përfundoi me fjalimin e Osmanit dhe thirrjen që “zoti ta bekojë Kosovën”, që për mua është jo pak problematike, për shkak se Kosova është shtet shekullar, sipas përkufizimit kushtetues. 

Më pas, shkuan te FSK-ja dhe edhe në këtë vizitë mungoi Thaçi, i cili ia aranzhoi vetes një fjalim para FSK-së nja dy orë më vonë. Porosi më e qartë se kjo nuk pati: Kosova, nga njëra anë, ka një duo të ri, me idenë e qartë se si ta çlirojë shtetin nga ky që tash qëndron thuajse i vetmuar, në anën tjetër.

Njëzet vjet pushtet në emër të luftës e kanë degraduar Kosovën aq, sa tash kur sheh tek merren katërpesë vendime për gjërat që nuk është dashur të kenë ndodhur, e kupton se sa thellë është rrënjosur e keqja gjithkund dhe gjithkah. 

Korrigjimet

Një nga aspektet ku duket se ka nevojë për intervenim dhe një qasje më ndryshe për ta bërë më mirë, është Policia e Kosovës. 

Të martën ndodhi një tragjedi e paparë, ku një police, e cila supozohej se nuk duhej të kishte qasje në armën zyrtare për shkak të problemeve mendore, vrau prindërit, vëllezërit e më pas edhe veten. Së paku ky është versioni zyrtar. Natyrisht se një rast kaq tragjik aktivizoi komplet hierarkinë e policisë, që na e zbuloi se në polici ishin 100 raste të zyrtarëve me probleme mendore... që në fakt gazeta i kishte zbuluar si mashtrues, për shkak se do të kualifikoheshin edhe për një pension invalidor. Sido që të jetë, ky rast, krahas edhe disa të tjerave që kanë ndodhur në vitet e fundit, pa asnjë dyshim imponon nevojën e pastrimit edhe të policisë nga elemente që aty nuk e kanë vendin. 

Kosova ka nevojë për një polici së cilës mund t’i besojë, dhe e cila do të jetë në gjendje të hetojë e ta luftojë krimin pa hile. E rastin, me gjithë gjasë, do ta kenë te Telekomi i Kosovës, Bordi i të cilit u shkarkua, për shkak të dyshimeve të bazuara për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe dëmin financiar që ia kanë shkaktuar ndërmarrjes dhe Kosovës. Është ende e pabesueshme se si ndodhi që kompania më fitimprurëse të ketë rënë në derexhenë në të cilën gjendet. 

Raste të ngjashme do të ketë me gjasë edhe te rasti i sekretarëve të ministrive të liruar nga detyra në ato ministri ku ka pasur fuzionim, dhe të cilët teknikisht dhe ligjërisht mund të shpallen tepricë. E kur jemi te teprica, edhe Ligji i punës e mundëson një gjë të tillë, në rastin kur një organizatë është në krizë financiare dhe nga e cila nuk mund të dalë pa bërë lëvizje serioze brenda, që nënkupton edhe shkurtimin e vendeve të punës. 

E kjo në Telekom në disa vjetët e fundit, ka qenë punësim i pafund dhe i pafytyrë i qindra familjarëve dhe militantëve të këtyre partive që tash janë në opozitë. Kushdo që të vijë në krye të Bordit, nuk do ta ketë punën e lehtë për ta shpëtuar atë nga falimentimi. Duhet ta ketë një ide të qartë se si duhet dalë nga hendeku dhe duhet të ketë disiplinë në zbatim të politikës. Mbase punën e parë që duhet bërë është të identifikohet numri i saktë i të punësuarve e më pas, edhe rrogat e tyre. 

Hapi i ardhshëm do të duhej të ishte përcaktimi i numrit të punëtorëve për të cilët ka nevojë, shkurtimi i shpenzimeve, që nënkupton edhe vendet e punës edhe rrogat, e plot të tjera, nëse duan të kthehen prapa në treg. 

Por mbi të gjitha, do të ketë nevojë që t’i përmirësojë shërbimet dukshëm, nëse do që t’i bëjë ballë konkurrencës.  Vendimi tjetër i mirëseardhur qe ai i ministrit të Jashtëm, Konjufca, kur i ktheu prapa 14 konsuj të emëruar në kundërshtim me ligjin, për të cilët kishte shkruar gazeta në një seri shkrimesh gjatë vitit të shkuar. Tash, konsujt janë një pjesë e problemit në MPJ. Tjetri janë ambasadorët politikë, e mandej edhe plot diplomatë të rangut më të ulët që kanë shkuar falë lidhjeve familjare me ish-pushtetarët gjithkund nëpër botë. 

Edhe një pastrim aty do të ishte më se i domosdoshëm, për ta këndellur një segment që pos skandaleve, nuk e dimë të na ketë sjellë ndonjë gjë të hairit. 

Mjedisin duhet kthyer në interes primar

Dy vendime nga ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Abdixhiku, një për anulimin e tenderit për rrugën e Gjilanit dhe anulimin e kushteve për ndërtimin e lagjes te Badovci – janë shumë lajme të mira. 

Anulimi i së parës me siguri mund të tregojë se rrugët në Kosovë mund të ndërtohen më lirë, çfarëdo rruge të synohet. Tashmë punët e nisura nuk do të mbeten në gjysmë, porse duhet shikuar që çmimi të bjerë dhe të sigurohet cilësia e punimeve me mbikëqyrje profesionale. 

Në rrugët e ndërtuara deri tash, problemet kanë qenë se: një, kurrë nuk është ditur çmimi i saktë i rrugës; dy, kur nuk është ditur gjatësia e saktë e rrugës dhe tre, kurrë nuk u gjet dikush që do ta mbikëqyrte punën ndërtimore në to. Nëse këto ndryshojnë dhe e sjellim çmimin e kilometrit të ndërtuar në diçka që do të shihej si normale, do të ishte risi në Kosovë. Vendimi tjetër, ai për të cilin një grup i madh qytetarësh kundërshtuan zëshëm, ka të bëjë me ndërtimin e lagjes ekskluzive bri Badovcit. 

Ministri e urdhëroi që të anuloheshin kushtet ndërtimore, të cilat Komuna ia kishte lëshuar investitorit, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, edhe pse në kundërshtim me ligjin. Me vendimin e anulimit, Abdixhiku e nisi një betejë të re, të luftës kundër të gjitha lejeve që janë lëshuar (i)legalisht për ndërtim në zonat ku ndërtimin supozohet se është i ndaluar. E kjo do të jetë vetëm një nga shumë luftërat që do t’i ketë, sepse ndaj mjedisit jemi sjellë shumë keq, mbase duke menduar se sa më shumë që e shkatërrojmë aq më mirë do t’i kemi punët. 

Ministri do të ballafaqohet me hidrocentralet ilegale; me gurthyesit ilegalë; me nxjerrjen ilegale të zallit nga lumenjtë, me ndotjen e ajrit; me importimin e veturave të vjetra, etj.,etj. Jo, nuk do ta ketë lehtë nëse e ka marrë këtë punë seriozisht, siç po duket se ka bërë, në bazë të veprimeve të para.

* * * 

Tri javët e para të kësaj qeverie po i ngjasojnë shikimit të një shiriti filmik me “fast forward”, me shpejtësi, për shkak se për çdo ditë po miratohen vendime që në fakt anulojnë një sërë vendimesh të paligjshme, jo vetëm të qeverisë së fundit, por edhe atyre tjerave që janë shquar për keqmenaxhim financash publike. Të shpresojmë se elani i fillimit nuk do të mbetet me kaq. 

flaka@koha.net